Veseli uron miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar bashkëatdhetarët dhe deputetët në Republikën e Maqedonisë për miratmin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Veselit, miratimi i ligjit të gjuhëve shënon një hap të rëndësishëm në përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe në arritjen e standardeve të larta të realizimit të të drejtave të njeriut, që sipas tij, kërkohen në kuadër të integrimeve Euro-Atlantike.

“Urimet më të përzemërta për bashkëatdhetarët tanë në Maqedoni për përmbushjen e një të drejte legjitime thelbësore. Falënderoj kolegët e mi të Parlamentit të Maqedonisë për miratimin e ligjit të gjuhës, i cili do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, jo vetëm në këtë shtet por në mbarë rajonin”, ka shkruar Veseli në një postim nëpër rrjete sociale.

Ndyrshe sot me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua sërish në Kuvend, pasi që ai nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me arsyen se është antikushtetues. Pas kësaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së, dorëzuan në Kuvend 35.569 amendamente, me të cilat duan ta dëshmojnë se i njëjti ligj është jo-kushtetues dhe të tërhiqet.

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të këtij shteti, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button