Monstra, familjari i të vrarëve: E kam fotografinë e një agjentit që i është gjetur telefoni në veturën “Opel”

“Një funksionarit të lartë nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) i ka rënë telefoni në veturën që sipas akuzës fillestare të Prokurorisë, me atë veturë (Opel Omega) kanë lëvizur të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë”, kështu deklaroi një familjarë i të vrarëve në Liqenin e Smillkovës, duke kërkuar nga trupi gjykues që sa më shpejtë të zgjidhet rasti dhe të mos anulohen seancat gjyqësore, njofton Portalb.mk.

Rasti "Monstra", vetura Opel Omega

Rasti “Monstra”, vetura Opel Omega

Familjarët kërkojnë që të zbulohet identiteti i agjentit, ndërkaq deklarojnë se telefoni tani gjendet në Prokurorinë Speciale.

“Telefoni gjendet në Prokurorinë Speciale, unë e kam fotografinë e agjentit të cilit i ka rënë telefoni. Të  zbulohet se kush është dhe pse e fshihet emri i agjentit”, deklaroi familjarë gjatë seancës së sotme gjyqësore.

Avokati i të akuzuarve për rastin “Monstra”, Sasho Dukovski deklaroi se nuk ka njohuri se për çfarë telefoni bëhet fjalë.

“Nuk jam i sigurt për diçka të tillë, që nuk do të thotë se s’është ashtu. T’ia lëmë procedurës gjyqësore ta konstatojë të vërtetën”, deklaroi Dukovski.

Familjarët e të vrarëve sot gjithashtu kërkuan që të deklasifkohen të gjitha materialet të cilat janë të lidhur me këtë rast dhe të cilat trajtohen si fshehtësi shtetërore.

“Kërkojmë të deklasifikohen të gjitha materialet të cilat trajtohen si fshehtësi shtetërore, mos janë ato më të rëndësishëm se fëmijët tanë që kanë vdekur. E kërkojmë telefonin e fëmijës që të na kthehet urgjentisht. E ka mbyllur telefonin? Shumë ka rëndësi për ne ajo që të na kthehet. Nuk do të jemi të gjallë derisa të mbarojë gjykimi”, thanë familjarët.

Ata gjithashtu kërkojnë që të shihet automjeti kontestues, me të cilin sipas akuzës fillestare të Prokurorisë Themelore Publike kanë lëvizur të akuzuarit. Ky automjet asnjëherë nuk u lejua që të shikohet nga afër, por vetëm nëpërmjet fotografive.

Ndryshe, sot është anuluar seanca gjyqësore për rastin “Monstra”, pasi që Prokuroria Speciale Publike më 12 mars ka parashtruar kërkesë që ta marrë në udhëheqje rastin, si pasojë e së cilës kërkesë Prokuroria Publike nuk kishte caktuar prokuror publik për seancën e sotme.

Deri te dhënia e përgjigjes nga PTHP-ja për kërkesën e PSP-së duhet të kalojnë 10 ditë. Seanca e radhës do të mbahet më 17 prill me fillim prej ora 09:00.

“PSP-ja parashtruar kërkesë që ta marrë rastin “Monstra” dhe tash procedura do të udhëhiqet nga ajo. Argumentet për të cilat është marrë rasti janë të qarta sepse puna e PSP është që punojë lëndët që kanë të bëjnë me telefonata e përgjuara, dhe për këtë PSP ka të drejtë t’i përfaqësojë të akuzuarit në këtë rast. Është e qartë se kjo duhet të argumentohet dhe të zbardhet rasti në tërësi”, tha avokati mbrojtës Naser Raufi.

“Monstra”

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri përkohësisht është liruar nga burgu (për shkaqe shëndetësore) pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të Maqedonisë dhe Kosovës, Oliver Spasovski dhe Flamur Sefaj, në dhjetor të vitit të kaluar ata thanë se nuk kanë biseduar diçka konkretisht për rastin “Monstra”, gjegjësisht për dy të arratisurit që gjenden në Kosovë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Te të arratisurit nga drejtësia e Maqedonisë, policia kosovare kishte gjetur një arsenal të tërë armësh, të cilat Afrim Ismailoviqi i kishte arsyetuar me nevojën që të dy kishin për t’u mbrojtur, pasi siç kishte thënë ai në Prokurori, ndiqeshin nga shërbimet sekrete të Maqedonisë. Te Ismailoviqi e Demiri policia e Kosovës kishte zbuluar dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë.

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP