Prokuroria Speciale e ka kërkuar rastin “Monstra”, u anulua seanca e sotme (VIDEO)

Është anuluar seanca gjyqësore për rastin “Monstra”, raporton Portalb.mk, pasi që Prokuroria Speciale Publike më 12 mars ka parashtruar kërkesë që ta marrë në udhëheqje rastin, si pasojë e së cilës kërkesë Prokuroria Publike nuk kishte caktuar prokuror publik për seancën e sotme.

Deri te dhënia e përgjigjes nga PTHP-ja për kërkesën e PSP-së duhet të kalojnë 10 ditë. Seanca e radhës do të mbahet më 17 prill me fillim prej ora 09:00.

“PSP-ja parashtruar kërkesë që ta marrë rastin “Monstra” dhe tash procedura do të udhëhiqet nga ajo. Argumentet për të cilat është marrë rasti janë të qarta sepse puna e PSP është që punojë lëndët që kanë të bëjnë me telefonata e përgjuara, dhe për këtë PSP ka të drejtë t’i përfaqësojë të akuzuarit në këtë rast. Është e qartë se kjo duhet të argumentohet dhe të zbardhet rasti në tërësi”, tha avokati mbrojtës Naser Raufi.

Naser Raufi
Naser Raufi

Në seancë të pranishëm ishin katër të akuzuarit: Sami Luta, Agim Ismailloviqit, Haki Azirit dhe Fejzi Aziri, ndërkaq vazhdojnë të jenë në arrati Alil Demiri dhe Agim Ismailloviq.

Seanca e sotme erdhi pas anulimit të seancës së seancës së 12 shkurtit e cila erdhi si pasojë pasi që përfaqësuesi i Prokurorisë Themelore Publike, Naum Panovski, nuk e ka poseduar akuzën për të akuzuarin Sami Luta.

Në seancën e paraprake, Prokuroria kumtoi se ende qëndron në akuzën me të cilën, 6 të akuzuarit janë dënuar me burg të përjetshëm për veprën “terrorizëm” për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ndërkaq pala mbrojtëse vazhdon të thotë se janë të pafajshëm.

Avokati mbrojtës Naser Raufi, pas anulimit të seancës së 12 shkurtit tha se në seancat e ardhshme pret që të ketë proces më transparent dhe ndërrim të prokurorit, Naum Panovski, i cili ka udhëhequr lëndën “Kumanova”.

Në lidhje me mundësinë që rastin “Monstra” ta merr Prokuroria Speciale Publike, Raufi u shpreh: “Rasti në fjalë tashmë një vit është duke u shqyrtuar nga PSP dhe vlerësojmë se është e nevojshme”.

Familjarët e të akuzuarve për rastin “Monstra” kërkuan që procedura gjyqësore të kalojë në duart e Prokurorisë Speciale Publike pasi që kjo e fundit tashmë disa muaj është duke punuar në të.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri përkohësisht është liruar nga burgu (për shkaqe shëndetësore) pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të Maqedonisë dhe Kosovës, Oliver Spasovski dhe Flamur Sefaj, në dhjetor të vitit të kaluar ata thanë se nuk kanë biseduar diçka konkretisht për rastin “Monstra”, gjegjësisht për dy të arratisurit që gjenden në Kosovë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Te të arratisurit nga drejtësia e Maqedonisë, policia kosovare kishte gjetur një arsenal të tërë armësh, të cilat Afrim Ismailoviqi i kishte arsyetuar me nevojën që të dy kishin për t’u mbrojtur, pasi siç kishte thënë ai në Prokurori, ndiqeshin nga shërbimet sekrete të Maqedonisë. Te Ismailoviqi e Demiri policia e Kosovës kishte zbuluar dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë.

“Monstra”

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button