LIBËR I ÇMUAR PËR POLLOGUN

Kemi pak njohuri për historinë dhe vlerat kulturore të vendlindjeve tona, sa ndonjëherë na duket sikur jetojmë në vende pa histori, pa kujtesë dhe pa vlera kulturore. Ndodh që edhe librat e çmuar të kalojnë në heshtje. Një libër i çmuar është ai me titull: “Pollogu – thesar i kulturës shqiptare” / “Polog – A treasure of Albanian culture”, i botuar nga “Çabej”, më 2010.

Autori i librit, Hamdi Mediu – Dushi, viteve të fundit, ka bërë libra e studime të vlefshme për vlerat kulturore, veçanërisht në Pollog.

Autori, në fillim të këtij libri, ofron të dhëna të përmbledhura për historinë e Pollogut; këtij rajoni që, përgjatë shekujve, ka qenë nën sundime të ndryshme. Ai u referohet shumë autorëve, në veçanti, atyre që merren me periudhën e mesjetës, e cila, siç dihet, është e errët, jo vetëm në raport me shqiptarët. Ata, megjithatë, përmenden në shënime të ndryshme, përfshirë edhe kristobulat mesjetare. Madje disa kristobula lidhen pikërisht me Pollogun.

Autori, më pas, flet për arkitekturën islame në Pollog, që në këto hapësira u zhvillua ndërmjet shekujve XV dhe XVI; jepen të dhëna përmbledhëse për disa monumente historike në Pollog, që do t’i përmendim më poshtë.

Xhamia e Larme, e quajtur më vonë si Xhamia e Pashës, e njohur për zbukurimet autentike e mbresëlënëse, është ndër monumentet më të rëndësishme arkitektonike të periudhës osmane në mbarë rajonin. Historianët kanë dilema rreth vitit të ndërtimit dhe përmendin vitin 1495 ose 1564. Supozohet se motrat Hursida dhe Mensura ishin donatore të xhamisë. Më 1833 xhamia u rindërtua nga Abdurahman Pasha dhe besohet se ishin angazhuar edhe mjeshtër nga rrethi i Dibrës.

Xhamia e Sahatit, gjithashtu shumë e vjetër, sipas studiuesit Nadi Bilmenoglu, të cilit i referohet autori i librit, ishte ndërtuar më 1489. Në afërsi të xhamisë ishte Kulla e Sahatit, që nuk ekziston nga viti 1933. Nuk ka pasur nisma serioze për rindërtimin e saj.

Xhamia e Gam – Gamit besohet se ishte ndërtuar më 1463 nga Isa Beu, kurse si material ndërtimor është përdorur guri.

Çifte Hamami i Tetovës është ndërtuar në shekullin XVI dhe gjendet në bregun e majtë të lumit, përballë Xhamisë së Pashës. Ka mure të fuqishme, kurse si material lidhës është përdorur llaçi i gëlqeres. Sot funksionon si galeri artesh.

Teqeja Arabati, nisi të ndërtohej më 1538 dhe u përfundua më 1548. Në shekujt XVIII – XIX ishte edhe biblioteka ku kopjoheshin vepra dijetarësh nëpërmjet një kaligrafie të veçantë. Teqeja e Tetovës ka pjesën sakrale dhe profane. Ka tyrben, faltoren, varret, shatërvanin, Shtëpinë e Kaltër (e ndërtuar për Fatimenë, vajzën e Rexhep Pashës), konakun e miqve, shtëpinë dimërore, furrën, kuzhinën, mejdanin etj. E sa herë flitet për këtë teqe nuk mund të anashkalohet Sersem Ali Dede, misionar, poet, filozof dhe teolog, që kishte qenë vezir dhe, sipas shumë burimeve, njihet si i vëllai i Sulltaneshës Mahidevran, gruas së Sulltan Sulejmanit.

Mediu, në këtë libër, fokusohet edhe tek arkitektura e banimit në Pollog, gjegjësisht tek arkitektura qytetare, te kompozicioni i banesave, arkitektura fshatarake e Pollogut. Kjo arkitekturë më nuk shihet. Ndërtimet e pakontrolluara e kanë mbuluar historinë.

Recensentë të librit janë: Jahja Drançolli, njëri prej historianëve më të mirë të mesjetës shqiptare dhe profesori i njohur Ferid Hudhri.

Ky libër, në dy gjuhë, tani i digjitalizuar, mund të shërbejë edhe si guidë për të interesuarit që duan t’i vizitojnë monumentet me vlerë të madhe historike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button