Manastir, shënohet 119 vjetori i diplomimit të Ataturkut

Në Akademinë Ushtarake në Manastir të Maqedonisë u organizua program përkujtimor me rastin e 119 vjetorit të diplomimit të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoninë, e cila u mbajt në objektin e Akademisë Ushtarake dhe e cila aktualisht përdoret si Muzeu i Qytetit të Manastirit, morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Bekim Maksuti, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Salih Murat, zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë, gjeneral-major Muhamed Racaj, ambasadorja turke në Maqedonisë, Tülin Erkal Kara, delegacioni i ushtrisë turke i kryesuar nga gjeneral brigade Nerim Bitlislioğlu, deputetë, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, Bitlislioğlu tha se Maqedonia si vend në të cilin Ataturku mbaroi shkollën e mesme dhe në të cilin kanë lindur shumë figura që i kanë shërbyer themelimit të Turqisë, ka rëndësi të posaçme në jetën kulturore turke.

Bitlislioğlu e cilësoi Akadaminë Ushtarake të Manastirit si një institucion arsimor i cili ka kontribuar në zhvillimin e personalitetit të Ataturkut, duke thënë se historia e përbashkët është elementi më i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë.

Ai rikujtoi se në Manastir gjatë periudhës së fundit osmane gjendej edhe Komanda e Tretë Ushtarake.

“Dëshira jonë më e madhe është që marrëdhëniet miqësore mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë të vazhdojnë nën dritën e parimit më të madh të Ataturkut. Paqe brenda, paqe në botë”, theksoi Bitlislioğlu.

Ndërkaq, gjeneral-major Racaj tha se evenimenti i sotëm paraqet mundësi që edhe një herë të përkujtojnë personalitetin dhe veprën e Ataturkut, të cilin e cilësoi si lider të madh, vizionar, bashkues dhe burrështetas.

“Manastiri, Akademia Ushtarake dhe Ataturku, si burrështetas përbëjnë urën e miqësisë mes dy vendeve në jetën bashkëkohore të sotme. Marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve shihen edhe më haptazi në bashkëpunimin aktual të forcave të armatosura të Maqedonisë dhe atyre të Turqisë”, deklaroi Racaj.

Nga ana tejtër, ambasadorja Kara vlerësoi se arsimimi i Ataturkut në këtë shkollë mes viteve 1896 dhe 1899 kontribuoi jo vetëm në formimin ushtarak të tij, por edhe në personalitetin dhe pikëpamjet kulturore të tij.

Ajo e cilësoi qytetin e Manastirit jo vetëm si një qendër të spikatur kulturore dhe tregtare të periudhës osmane, por edhe si një mozaik kulturor në të cilin edhe sot takohen njerëz të katër anëve të botës.

“Në fakt, jo vetëm qyteti i Manastirit, por e tërë Maqedonia ngërthen një mozaik të tillë dhe paraqet shembull të veçantë në Ballkan, ku në paqe bashkëjetojnë kultura dhe ide të ndryshme. Mbrojtja dhe stabiliteti i Maqedonisë si vend i cili është pasqyra e Ballkanit ka rëndësi për vendin tonë i cili gjithnjë kujdeset për lidhjet e përbashkëta historike dhe kulturore”, tha Kara.

Kara adresoi edhe luftën e Turqisë kundër organizatave terroriste, duke thënë se vendi i saj do të vazhdojë të jetë e vendosur në këtë luftë edhe në të ardhmen.

“Kemi besim të plotë se edhe miqtë tanë nuk do ta kursejnë mbështetjen në luftën tonë kundër terrorizmit”, deklaroi ambasadorja Kara.

Në kuadër të ceremonisë përkujtimore po ashtu u recitua poezi, si dhe u vizitua Muzeu i Qytetit të Manastirit dhe Oda Përkujtimore e Ataturkut në kuadër të këtij muzeu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button