Brenga e rrejshme për turqit, romët dhe boshnjakët

Rilind Dauti

Rilind Dauti

Ligji për gjuhët ende është sagë e pambaruar. Pas mosnënshkrimit të Ligjit nga ana e presidentit për të cilin me bojkotin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014 shqiptarët vet janë fajtorë që e fitoi mandatin e dytë, Ligji u kthye prapë në procedurë parlamentare, por tani pengesë për votimin e sërishëm janë 35,000 amandamente të VMRO-DPMNE-së që shërbejnë për zhagitje të tij, por jo dhe pengim, sepse edhe po u votua për secilin amandament veç e veç, herdo-kurdo amandamenteve do t’iu vijë fundi (a mesa duket as që do të shqyrtohen por do të shkohet direkt në votim të Ligjit).

Kundër Ligjit për Gjuhët VMRO-DPMNE jep shumë arsye kundër: Ligji është antikushtetues (që ndoshta mban ujë), del jashtë Marrëveshjes së Ohrit (që ndoshta mban ujë), e rrezikon unitaritetin e shtetit (që është e pasaktë), e rrezikon gjuhën maqedonase (që është budallallëk). Por arsyetimi më qesharak, më patetik dhe më i pasinqertë, është se Ligji i diskriminoka komunitetet më të vogla.

Por nuk është vetëm Ligji për Gjuhët. Çfarëdo të drejte që e kërkojnë shqiptarët, dikush do të thotë “po por kjo është e padrejtë për komunitetet më të vogla” (që të gjithë së bashku janë 11% ndërsa shqiptarët vet janë 25%). Të thuash diçka të tillë fillimisht është e palogjikshme, sepse avancimi i të drejtave të shqiptarëve nuk don të thotë se ato të drejta do t’iu merren të tjerëve. Dhe shtrohet pyetja: cila është më e drejtë, që maqedonasit (64%) të kenë monopol për shumë të drejta, ose disa nga ato të drejta t’i gëzojnë edhe shqiptarët me çka numri i përgjithshëm i njerëzve që i gëzojnë ato të drejta nga 64%, me 25% sa janë shqiptarët të rritet në gjithsej 89% të popullsisë? Por preteksti se avancimi i të drejtave të shqiptarëve i diskriminon komunitetet më të vogla, vetëm se e zbulon josinqeritetin dhe dyftyrësinë e tyre. Ja pse:

Sikur t’ua ndiente aq shumë për turqit, së paku një komunë e udhëhequr nga maqedonasë do ta kishte turqishten si gjuhë zyrtare. Me ligj lejohet një komunë ta shpallë një gjuhë zyrtare edhe nëse ajo është gjuhë amtare e më pak se 20% të popullsisë. Por asnjë komunë e udhëhequr nga një maqedonas nuk e ka bërë një gjë të tillë! Këtë e kanë bërë Çairi, Studeniçani, Gostivari, Kërçova, etj. që udhëhiqen nga shqiptarë, që ju pa fije turpi i akuzoni se duan t’i diskriminojnë komunitetet më të vogla!

Sikur t’ua ndiente aq shumë për romët, nuk do të lejonit ata të jenë shumicë dërmuese e lypësve duke qenë vetëm 2.66% e popullsisë së përgjithshme, nuk do të lejonit të dëboheshin nga puna në sektorin për ushqim në City Mall, nuk do të lejonit të ndaloheshin së hyri nëpër bazene dhe klube nate, nuk do të dërgonit romë për ta tallur ndërtesën lara-lara në Qendër duke u nënçmuar me stereotipe për vetëveten, dhe nuk do t’i kthenit në kufi që të mos udhëtojnë në Bashkimin Evropian!

Sikur t’ua ndiente aq shumë për boshnjakët, nuk do të lejonit fshati me shumicë boshnjake Orizari në Komunën e Prilepit me muaj të jetë pa ujë!

Prandaj, mjaftë më me atë brengosje të rrejshme për komunitetet më të vogla dhe me insinuata që shqiptarët deshkan t’i diskriminojnë komunitetet më të vogla, (mos)veprimi i juaj i deritanishëm dëshmon se realisht juve nuk ua ndien për ata!

Autori është apsolvent i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP