Kroacia e përkrah anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Marija Pejçinoviq Buriq sot në Shkup deklaroi se vendi i saj do të angazhohet për anëtarësimin e shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pasi vendi të zgjidh çështjen e emrit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarja kroate po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë me ftesë së homologut të saj Nikolla Dimitrov.

Pas takimit të realizuar në Shkup me ministrin Dimitrov, të cilin e shoqëroi edhe një takim në nivel delegacionesh të të dyja vendeve, ministrat e Jashtëm mbajtën një konferencë për mediat në të cilën Buriq tha se Maqedonia paraqet një shembull të mirë për nivelin e deritanishëm të zbatimit të reformave për anëtarësim në NATO dhe BE, të cilat me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, do të marrin akoma më shumë në peshë.

“Maqedonia mund të llogarisë Kroacinë një mike të saj, dhe pasi të zgjidh çështjen e emrit që është pengesa e fundit, ne do të angazhohemi për anëtarësim të saj të shpejtë në NATO dhe nisjen e negociatave me BE-në. Maqedonia mund të arrijë këtë, pasi ka të gjitha predispozitat që të çojë procesin shumë shpejtë ndërsa Kroacia do të jetë pranë saj për ta ndihmuar”, tha Buriq.

Lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit, ajo tha se Kroacia përshëndet përpjekjet e palës maqedonase dhe asaj greke që të zgjidhin çështjen duke respektuar dinjitetin e të dy popujve.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, nga ana e tij tha se në takim është biseduar për bashkëpunimin rajonal dhe për ambicien e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Mbështetja e Zagrebit ka një domethënie të madhe për ne. Kroacia është vendi i fundit që ka hyrë në BE dhe ka një përvojë të madhe në procesin gjithnjë e më të vështirë të negociatave për anëtarësim, prandaj përvojat e tyre janë shumë të rëndësishme për ne”, tha Dimitrov.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për mundësinë e pranimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2025, Pejçinoviq Buriq tha se nuk bëhet fjalë për një vit të përcaktuar pasi siç tha, reformat janë kyçe për anëtarësim në BE, por edhe rrethanat politike në secilin shtet.

Ajo theksoi se ka reforma të cilat kërkojnë një periudhë më të gjatë kohore për përmbushje, siç janë ato në gjyqësor, por për BE-në është shumë e rëndësishme të shihet se procesi i reformës ka shkuar larg, pa mundësi për kthim prapa.

Zv/kryeministrja kroate do të pritet edhe nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button