“Takimet Poetike të Karadakut”, e diela që bëri të jehojë poetika shqiptare (FOTO)

Të dielën më 11 mars 2018, u mblodhën poetë, shkrimtarë, dashamirë të artit e kulturës shqiptare nga të gjitha hapësirat shqiptare, për të marrë pjesë në edicionin e XXVI të manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”. Së pari në Qendrën e Kulturës në Kumanovë, u promovuan botimet e fundit të klubit, përkatësisht: monografia: “Klubi i Shkrimtarëve JEHONA Е KARADAKUT – Një çerekshekull”; Revista “Doruntina” nr.52/53; “Rrethi që pret përjetësinë” – roman i Bejtush Memetit; “Psherëtima të pakënduara” – përmbledhje poetike nga Arben Ibrahimi, dhe “Kurorë” nga Fatos Rushiti, njofton Portalb.mk.

Kryetari i klubit dhe një nga përpiluesit e monografisë, Sevdail Demiri, tha se shpresojmë që me këtë botim kemi hedhur një hap drejt arkivimit të një veprimtarie të rëndësishme çerekshekullore të sferës së kulturës kumanovare dhe mbarëshqiptare. “Tani jemi pak më të qetë, kur e dimë që një pjesë e madhe e kujtesës sonë, ruhet brenda këtyre kopertinave, dhe do t’u mbetet një trashëgimi e pasur gjeneratave të ardhshme”, tha ai. Rreth botimeve tjera, përpos autorëve, folën edhe recensentët Burhanedin Xhemaili, Bejtush Memeti, Kalosh Çeliku e Arben Ibrahimi, të cilët vlerësuan lartë arritjet estetike në këto vepra të letërsisë bashkëkohore.

Ndërkohë, karvani i shkrimtarëve vizitoi edhe varrezat e dëshmorëve të kombit në Sllupçan e Hotël, duke marrë impresione nga vepra heroike e luftëtarëve dhe dëshmorëve të përndritjes.

Gjatë mbrëmjes, në Likovë u mbajt Ora e madhe letrare në kuadër të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut – 2018”. Me prezencën e tyre, manifestimin e nderuan kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri dhe shumë veprimtarë tjerë.

Kryetari Arifi shprehu mirënjohje për punën e pandalshme të klubit, dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në aspekt të sigurimit të kushteve më të mira për punë dhe aktivitete, duke ndarë një hapësirë brenda Shtëpisë së Kulturës në Mateç.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri, tha se duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtij klubi, Ministria sivjet i ka përkrahur katër projekte me të cilët është konkurruar, në mesin e të cilëve edhe ky manifestim. “Shpresojmë dhe besojmë që në të ardhmen edhe më tepër të kontribuojmë bashkë për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare”, theksoi Aziri.

Më tej, nën drejtimin e Fatos Rushitit, rrodhën vargjet poetike të poetëve pjesëmarrës në konkursin e shpallur muaj më parë. Me poezitë e tye u paraqitën: Agim Bajrami, Fehmi Ajvazi, Agim Xheka, Majlinda Nana-Rama, Ejup Ajdini, Nexhat Rexha, Rozafa Shpuza, Nazmi  Beqiri, Daim Iljazi, Faruk Buzhala, Vlladimir Muça, Mirela Papuçiu, Ekrem Ajruli, Arsim Halili, Bilall Maliqi, Rrahim Ganiu, Sinan Sadiku, Adem Abdullahu, Arben Rashkaj, Arlind Farizi, Sejdi Gashi, Kreshnik Sopaj, Nadire Ismaili, Arsim Jonuzi, Nertila Pitarka, Liridon Ademi, Elma Rexhepi, dhe poetë të tjerë që lexuan jashtë konkurrimit.

Në emër të jurisë letrare, Sunaj Raimi, tha se sivjet për herë të parë është vendosur kriteri i konkurrimit, ku pati afër 100 aplikime, nga të cilët u përzgjodhën 40 poetë. Prej tyre, Çmimi “Fadil Bekteshi” iu nda tre poetëve më të suksesshëm, konkretisht Vendi i parë poetes nga Fieri i Shqipërisë Majlinda Nana-Rama, vendi i dytë poetit nga Kosova, Fehmi Ajvazi, dhe vendi i tretë poetit nga Kumanova, Nazmi Beqiri.

Ndryshe, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, është nga të parat shoqata joqeveritare shqiptare në Maqedoni, e cila pandërprerë po funksionon tani e 26  vjet me radhë. Kryetar i parë i klubit ishte shkrimtari Fadil Bekteshi, për të renditur më pas një varg veprash dhe suksesesh. Që në vitin 1992, u botua edhe revista e parë e pavarur shqiptare në Maqedoni për letërsi, shkencë dhe kulturë “Doruntina”, dhe nisi rrugën manifestimi tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, i cili nga viti në vit po krijon një reputacion të respektuar në komunitetin tonë kulturor.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button