“Europa përballë një krize të mundshme në Ballkan. Duhet të reagojë sa më parë”

“Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar, por e Para ende jo! Këto ishin fjalë që dëgjova nga një zyrtar turk, që e takova së fundmi në Ankara. Ai po i referohej situatës në Lindjen e Mesme, por është i njëjti koment që kam dëgjuar edhe në Moskë, Kiev dhe Ballkan për gjendjen në të cilën ndodhet Europa”.

Me këto fjalë, Ivan Krastev, drejtori i Qendrës Liberale të Strategjive në Sofje të Bullgarisë nis analizën e tij për “The Guardian”, ku paralajmëron për rrezikun që i kanoset Bashkimit Europian nga Ballkani nëse nuk vepron shpejt, transmeton TCH

Premtimi i dhënë për anëtarësim për vendet e rajonit është i mirëpritur, vijon ai, por Rusia, Kina dhe Turqia mund të krijojnë trazira nëse ky premtim mbetet vetëm në letër.

Bashkimi Europian është i papërgatitur që të përshtatet në një botë ku është rikthyer gjeopolitika, ku qeveritë, ashtu edhe një pjesë e madhe e publikut, janë më shumë të shqetësuara për kufijtë e territoret dhe suksesin e masin më shumë me krenarinë kombëtare, sesa rritjen ekonomike dhe të mirëqënies.

Kjo është ajo që po ndodh sot në Ballkanin Perëndimor, ku kapaciteti i Bashkimit Europian për të menduar dhe vepruar si faktor gjeopolitik po testohet fuqishëm. BE prezantoi strategjinë e saj të zgjerimit, ku inkurajon reformat në Serbi, Mal të Zi, Bosnje, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, duke ritheksuar perspektivën e europiane të rajonit. Por, vetë institucionet e Brukselit po e shohin veten në mes të një vale rritëse të populizmit në vendet anëtare dhe zgjedhjet në Itali ishin prova e radhës. E nën presionin e tyre, BE ka fituar “kurajon” që të deklarojë se anëtarësimi nuk është një proces i lehtë, as një “mrekulli” e vogël.

Për ta ilustruar më mirë këtë, shembulli mbërrin nga Ballkani në një formë shakaje, por shakaja është gjysma e së vërtetës dhe tregon ndjesinë e një pritjeje të gjatë në derën e Brukselit të qytetarëve të rajonit. “Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, diferenca mes optimistëve dhe pesimistëve është se optimistët besojnë se Turqia do të anëtarësohet gjatë Presidencës së Shqipërisë në BE, ndërsa pesimistët besojnë se Shqipëria do të anëtarësohet gjatë Presidencës së Turqisë në BE, pra: Kurrë”.

Brukseli ka të drejtë kur thotë se në gjendjen aktuale, me “hesape” ende për të mbyllur mes vendeve kandidate, korrupsionin dhe shtetin e së drejtës, rajoni nuk është gati për anëtarësim, por kjo duhet të pasohet me një udhërrëfyes të qartë, përndryshe mund të shkaktohen trazira në rajon.

Ajo që duhet t’i trembet më shumë BE është përsëritja e një skenari ukrainas, ku qeveritë që mbështesin anëtarësimin të hasin në rezistencë të fortë nga kundërshtarët e këtij procesi.

Që BE të ketë sukses në objektivin e vet për të transformuar rajonin, duhet të jetë e vetëdijshme për ndryshimet gjeopolitike që kanë ndodhur. Premtimi i parë për të ardhmen europiane të rajonit u bë në vitin 2003. Në atë kohë nuk kishte asnjë dyshim se e ardhmja e Ballkanit ishte Europa, sepse vetë Rusia e shihte rajonin si tranzit për eksportin e energjisë së saj në tregjet europiane. Politika e Moskës në atë kohë ishte më shumë ruajtja e një influence, por jo konkurenca me Brukselin.

15 vite më parë, Turqia ishte entuziaste mbi mundësinë e anëtarësimit dhe në Ballkan frenoi politikat e saj për t’i treguar Europës se ishte një vend i denjë për t’u anëtarësuar. 15 vite më parë, askush nuk fliste për Kinën në Ballkan.

Sot gjërat kanë ndryshuar. Kina pritet që të jetë investitori më i madh i huaj në Serbi. Plani për të ndërtuar një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë që do të lidhë Budapestin me Portin e Pireut dhe që do të kalonte përmes Beogradit ka një rëndësi të madhe për Kinën. Kinezët shpresojnë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në tregun e përbashkët europian dhe kur kjo të ndodhë, ata do ta kenë të ngritur infrastrukturën për tranzitin e mallrave të tyre në tregun më të madhe të botës.

Kjo ngre disa pyetje. Së pari, a duhet që BE të detyrojë vendet e kandidate që të adoptojnë rregullat e saj sa u takon investimeve të huaja tani, apo më vonë? Dhe nëse po, a është gati BE që të ofrojë dëmshpërblim për vendet në fjalë, nëse këto vende humbasin investimet e mëdha kineze?

Edhe qasja e Rusisë në rajon ka ndryshuar. Brukseli nuk ka nevojë për një spiun në Kremlin për të kuptuar se Moska do të bëjë gjithçka për të parandaluar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe kjo jo më shumë për rëndësinë strategjike, sesa për vlerën simbolike që do të kishte për Rusinë sfidimi i Aleancës në këtë rajon.

Udhëheqësit e BE-së duhet ta kenë të qartë që nëse përplasja e gjatë për çështjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë nuk zgjidhet para samitit të radhës të BE-së dhe bllokohet sërish rruga e Shkupit për në NATO dhe BE, kjo do të ishte një humbje e dyfishtë; ambicia e Maqedonisë për anëtarësim do të tronditej fort dhe përpjekjet e Brukselit për t’u lexuar si një aktor serioz në rajon do të minoheshin.

Ballkani mbetet rajoni ku Rusia mund të punojë për të destabilizuar BE-në dhe ta arrijë këtë me një kosto të ulët në terma financiarë, ashtu edhe në terma politikë, pasi risku për t’u përballur me SHBA në këtë rajon është i ulët. Pra, është në dorë të diplomacisë europiane që të bindë Moskën që rritja e tensioneve në këtë rajon nuk është në interesin e saj më të mirë. A është BE gati për këtë?

Një tjetër aktor është Turqia. Marrëdhëniet e Ankarasë dhe Brukselit janë në nivelin e tyre më të ulët prej dekadash. Është e ende e paqartë loja e Erdogan në vendet e Ballkanit Perëndimor. Përpjekjet e Ankarasë për rritjen e influencës në komunitetet myslimane në rajon nuk mungojnë, ndërsa Rusia po përdor kartën e ortodoksizmit. A mundet që Rusia dhe Turqia të koordinojnë politikat e tyre në Ballkanin Perëndimor? Shembujt se e kanë bërë këtë më herët janë të freskët, i fundit në Siri.

Prandaj, nëse BE nuk zgjohet, të njohë dhe pranojë këto realitete gjeopolitike, strategjia e saj për Ballkanin Perëndimor do të rezultojë një dështim.

Marrë nga “The Guardian”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button