R2P

“Brejtja e ndërgjegjes është ferri vetë brenda njeriut!”

Lord Byron

Breshëri predhash nga qielli i zymtë sirian.  Zjarr, pluhur, rrënoja, trishtim, dhimbje.  Koka pa trup, fëmijë nën beton, kufoma të shkapërderdhura gjithandej nga avionët që vrasin pamëshirshëm jo vetëm gutasit por edhe njerëzimin në përgjithësi. Lotët rrëke, të mjaftueshme për të bërë një det të mjerimit në të cilin  po përmbytet politika ndërkombëtare dhe raca humane. Gjendjen e ‘hapësirës së ngjyer me gjakun e civilëve’ për The Guardian (8.3.2018) në mënyrë prekëse e “ilustron” një punonjës shpëtimi: “Për të gjithë ata që gjenden jashtë Gutës, që jetojnë në paqe… Dëshiroj t’ju them se fëmijët, gratë, të moshuarit dhe foshnjet po vdesin të gjithë sot para syve të botës”. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së e ka quajtur Gutën “ferr në tokë”, ndërsa Komisioneri i tij i Lartë për të drejtat e njeriut e ka përshkruar atë si një “asgjësim monstruoz”.  “Ne mund të vdesim në çdo moment!” – është shprehur një gutas. Bashkë me ta edhe ne. ‘Vampiri Asad që thith gjakun e viktimës’ dhe bota që thirret në përgjegjësi, pa kurrfarë efekti në terren. Ky është përshkrimi më i shkurtër i gjendjes në Siri.

Akronimi R2P që përbën titullin e këtij eseu nënkupton shprehjen angleze “Responsibility to Protect”, në frëngjisht Responsabilité de protéger, që në gjuhën shqipe përkthehet si “përgjegjësi për të mbrojtur”. Bëhet fjalë një term të marrëdhënieve ndërkombëtare, për “pikëpamje sipas të cilës nëse një shtet ushtron gjenocid, krim kundër njerëzimit, shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe pastrim etnik, fuqitë ndërkombëtare kanë të drejtë që të ndërhyjnë për t’i ndaluar veprimet e tilla.” Sipas kësaj, nëse një shtet shfaq dobësi për t’i mbrojtur qytetarët e vet dhe nëse ndërmarrjet paqësore nuk japin rezultatet e pritura, bashkësia ndërkombëtare është e detyruar që të ndërhyjë për ndryshimin e gjendjes në favor të qytetarit. Kjo ndërhyrje në fillim duhet të nisë me masa detyrimi dhe mund të arrijë deri te embargoja dhe operacionet ushtarake.  (Dağ, 2018)

Përgjegjësia për të Mbrojtur mishëron një angazhim politik për t’iu dhënë fund formave më të këqija të dhunës dhe persekutimit. Ajo synon afirmimin e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, mbrojtjen e popujve nga rreziku i  gjenocidit, krimeve të luftës, spastrimeve etnike dhe krimeve kundër njerëzimit.  Në Dokumentin e Samitit Botëror të vitit 2005, paragrafin 139 thuhet: “Ne theksojmë nevojën që Asambleja e Përgjithshme të vazhdojë shqyrtimin e përgjegjësisë për të mbrojtur popullsinë nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit dhe pasojat e tij, duke pasur parasysh parimet e Kartës dhe të së drejtës ndërkombëtare.”

Koncepti “Përgjegjësi për të Mbrojtur” do të duhej të ishte jashtëzakonisht aktual këtyre ditëve kur vërejmë varrin e gjallë më të madh në botë, ku aplikohet dhuna e çmendur (insane violence), në Gutën Lindore, në Sirinë e kataklizmës së shekullit XXI dhe pafuqishmërisë së lidershipit botëror për të shprehur zëlart të vërtetën e saj të dhimbshme dhe për të sanksionuar krimin. Në këtë kohë kur hegjemonët apo bërësit e  arkitekturës politike globale nuk çajnë shumë kokën për kombësitë e ngecura dhe për popujt periferikë (Hobson, 2018), që janë shndërruar në rebus për të cilët civilizuesit paternalistë të Lindjes ende s’kanë gjetur zgjidhje. Kuptohet as muslimanët e pasur me petrodollarë!

Vetëm misioni qytetërues perëndimor mund ta shëronte ‘problemin lindor’ thonë teoricienët e eurocentrizmit paternalist. Keohane mbron hapur një formë të rigjallëruar imperiale të ndërhyrjes perëndimore dhe ndërhyrjes humanitare në shtetet e dështuara lindore (Keohane, 2003), gjë që nuk po ndodh edhe në shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut. Kriza globale me sa duket e ka paralizuar racion, zemrën dhe ka mbytur ndërgjegjen politike. Lindja në letargji,  Perëndimi shikues, statist në një tragjedi, krejt bota pa sy.

Sot, etika në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të thuhet se nuk ekziston, është vetëm një lëndë e bukur që mësohet si pjesë e kurikulave universitare. Ai që shkakton vrasjen pamohueshmërisht është kriminel, jonjeri, por pjesëmarrës në krim është edhe ai që ka fuqi por heziton, ose që për interesa të caktuara “nuk guxon”.

Vitet 1990 Bosnja, Ruanda e Kosova, sot Guta… Evidente është se botës moderne i mungon vetëdija morale. Qysh në vitin 1923 Dewey fliste për bashkësinë ndërkombëtare të paralizuar, të papërgjegjshme dhe impotente. Sot, ca zëra të ndërgjegjes kundër animus dominandi apo vullnetit për pushtet të pakufizuar dhe të mbajtur me të gjitha metodat,  vijnë nga teoricienët politikë liberalë, feministët, teoricienët kritikë, postmodernistët, moralistët, besimtarët… Këto zëra mund të ndryshojnë gjendjen e dobësisë së institucioneve dhe të së drejtës ndërkombëtare, në këtë epokë kur bashkësia ndërkombëtare është e dobët, pa koherencë, kohezivitet dhe pa konsensus.

Siç shprehen realistët, shoqëria ndërkombëtare akoma është primitive, andaj duhet vullnet politik dhe fuqi e pavarur ushtarake. Gjithnjë duke pasur parasysh të vërtetën se moraliteti nuk mund të reduktohet në analiza të tipit kosto-benefite, e as në akomodimin e të gjitha pretendimeve dhe kënaqjen e të gjitha palëve. Sot bota ka “nevojë për gjykim përfundimtar” (S. Hoffman), e jo për takime, samite e narrativë shterpe. Ndërkohë, ku mbeti R2P?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button