Gruaja dhe sëmundjet e veshkave – më të rrezikuarat

Refleksion në Ditën Botërore të Veshkave nga dr. Matilda Imeraj, mjeke pranë Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT.

Dita Botërore e Veshkave dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas përkojnë në 8 mars, duke ofruar kështu mundësinë për të reflektuar mbi rëndësinë e shëndetit të grave dhe në veçanti shëndetin e veshkave të tyre. Qëllimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi i grave në lidhje me faktorët e riskut dhe inkurajimi i sjelljeve parandaluese.

Sëmundja Kronike e Veshkave (SKV) është një humbje progresive e funksionit të veshkave e cila mund të kërkojë disa muaj apo vite për t’u zhvilluar, që ndikon në rreth 10% të popullsisë adulte dhe përbën ndër 20 shkaqet kryesore të vdekjes në mbarë botën. Gratë të cilat përbëjnë ~ 50% të popullsisë së botës, janë kontribuese të rëndësishme për shoqërinë në tërësi dhe për familjet e tyre. SKV-ja prek afërsisht 195 milionë gra në vit dhe është shkaku i tetë i vdekshmërisë. Kjo sëmundje ka më tepër gjasa të ndodhë tek gratë krahasuar me meshkujt, me një prevalencë mesatare 14% tek femrat dhe 12 % tek meshkujt.

Shtatzënia është dhe një shkak kryesor i dëmtimit të veshkave tek gratë e moshës së fertilitetit, që lidhet me: pre-eklampsinë, abortin septik, hemoragjinë pas lindjes.
Pre-Eklampsia është shkaku kryesor i dëmtimit akut të veshkave dhe mortalitetit, si edhe një faktor risku në progresionin e sëmundjes kronike të veshkave. Ky çrregullim progresiv multisistemik karakterizohet nga hipertensioni dhe prania e proteinës në urinë, ose hipertension me një disfunksion të një organi me apo pa proteinë, në gjysmën e dytë të shtatzënisë ose postpartum. Pre-Eklampsia është e lidhur me ‘foshnjat e vogla’, të cilat janë me risk të lartë për zhvillimin e diabetit, sindromit metabolik, sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjes kronike të veshkave në moshë madhore. Prania e sëmundjes kronike të veshkave ka një efekt negativ në shtatzëni e duke patur parasysh rritjen e riskut të progresit të SKV pas lindjes, ajo ngre çështje sfiduese etike rreth konceptimit dhe vazhdimit së shtatzënisë.

Sëmundjet autoimune si Lupus Eritematoz Sistemik (LES), Artriti Reumatoid (AR) dhe Sklerodermia Sistemike (SS) prekin më shumë gratë dhe karakterizohen nga inflamacion sistemik që çon në mosfunksionim të organeve, përfshirë edhe veshkat.

Diferencat gjinore në incidencën dhe severitetin e këtyre sëmundjeve rezultojnë nga një ndërveprim kompleks i faktorëve hormonal, gjenetik dhe epigenetik.
Në stadin e fundit të sëmundjes kronike të veshkave, Terapia Renale Zëvendësuese (TRZ) është zgjedhja e vetme terapeutike ku futen: Hemodializa, Dializa Peritoneale, Transplanti i Veshkës.

Ka pak informacion rreth raportit meshkuj/femra në TRZ, por në vende të shumta meshkujt raportohet se kanë më shumë gjasa se gratë të trajtohen me dializë.
Gratë kanë më shumë gjasa të dhurojnë veshkat për transplant sesa të marrin ato, siç raportohet nga shumë vende, ato kanë më pak gjasa të jenë të regjistruara në listat e pritjes së transplantit. Nënat kanë më shumë gjasa të jenë dhurues, siç janë dhe bashkëshortet femra.
Shtatzënia, Dëmtimi Akut i Veshkave, Sëmundjet Autoimune, SKV, Dializa dhe Transplanti paraqesin sfida specifike për gratë, për të cilat vazhdojmë të kemi shumë pyetje pa përgjigje. Rritja e teknikave të fekondimit invitro mund të çojnë në shtatzëni të shumta, të cilat mund të predispozitojnë Pre-Eklampsi, kufizimet e rritjes intrauterinë ose të dyja. A do të çojë kjo në një rritje të SKV për gratë dhe të ndikojë në pasardhësit e tyre, në të ardhmen? Këtë se dimë.

Në përfundim mund të themi se, gratë kanë rreziqe unike për sëmundjet e veshkave. Rritja e ndërgjegjësimit të grave për faktorët e riskut, diagnostikimi i hershëm dhe kujdesi për to në vazhdimësi, ka rëndësi madhore për gjeneratën aktuale dhe të së ardhmes sepse në thelb ky është qëllimi i jetës.

Burimi: Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button