Merru me politikë, nëse do të jesh dikush!

Mehdi Memeti

Politika, është bërë zanat më i parapëlqyer në shoqërinë shqiptare, sidomos në Maqedoni. Pasi që nuk vlerësohet mençuria e politikanit, por libreza e tij partiake, e cila ja mundëson të mos jetë e rëndësishme çka ka në kokë, por cilës parti i përket !

Kjo ndodh mbase politika, edhe të pavlerin, e bënë të jetë dikush dhe nga i panjohuri, e bën të njohur, e bën më të famshmin e lagjes, fshatit, qytetit, shtetit etj.

Ky zanat sigurisht se ka një të mirë: nga njeri m ‘hall e m ‘dysh të shndërron në politikan të sojit të vet. Atyre të cilëve dikur iu kërcëllonin zorrët nga uria, e s`kishin çka të vishnin, këmbë-zbathur, arrijnë që mos ti mundon më ajo, por, copa sa më e madhe e kulaçit të pushtetit.

Jetojmë në një shoqëri kur zanati më i preferuar e më fitimprurës mbetet politika bëhesh shumë shpejtë i pasur, bëjnë çdo gjë , janë  në gjendje ta vrasin popullin që i kanë ndihmuar të bëhen politikanë.

Shtrohet pyetja? Nga buron kjo prirje e politikanëve shqiptarë, ku partitë politike i kanë shndërruar në kompani private, në emër të “demokracisë”, duke menduar se u takon vetëm atyre. Teori Staliniste  “Ke pushtetin ,ke gjithçka”.

Dihet fakti se partitë shqiptare kryesisht janë formuar  nga njerëz të pasuksesshëm në profesionet e tyre, kuptohet me ndonjë përjashtim të vogël. Thuajse partitë shqiptare morën trajtën e gradacioneve të njerëzve që me shpejtësi marramendëse t`i kompensojnë të gjitha humbjet jetësore dhe ku nga askush, bëhen dikush.

Prandaj, jo rastësisht partitë shqiptare në Maqedoni janë shndërruar në shtabe, që pjellin patriot të rrejshëm. Këtë e dëshmon vet fakti se si po bëhen dhe zhbëhen partitë shqiptare. Brenda natës  për plot këta 27 vjet, me plot parti në Maqedoni, të ndara e të përçara… me njollën e paturpësisë, duke harruar se pa votën e mbështetësve partiak, respektivisht qytetarëve, vështirë se dikush do e dinte se edhe ata jetojnë në mjediset tona.

Sidoqoftë, patriotët tanë politikë, politikën e konsiderojnë si zanat më të lehtë me të cilin mund të merret cilido individ . Politikanë të cilët na sollën në situatën në të cilën ndodhemi: Që shumë nga partitë tona të përfundojnë me turp nga vet njerëzit e vetë, pikërisht nga ata të cilët i kanë votuar. Po pra, politika është veprimtari që me shpejtësi të madhe të bënë të pasur e të famshëm, pa feje dyshimi në rrethanat ku gjendemi ne sot.

Politikanët tanë, themelojnë shumë shpejtë parti, siç thotë populli:  “Si kërpudhat që dalin pas shiut “ por, edhe shpejtë copëtohen e shkatërrohen, sepse themeluesit e tyre nuk kanë për qëllim realizimin e asaj që ua premtojnë votuesve, por atë që ua thonë kapriçot e tyre individuale e marrin në qafë popullin dhe votuesit që do të thotë e kanë qëllimin e keq (Nijetin e keq) para se të startojnë.

Kështu do të jetë, për derisa politika do të udhëhiqet me cunga, pse jo, edhe për derisa mentaliteti votuesve të papërgjegjshëm gjen vend në vetveten e tyre?!…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP