Populli nuk duhet të paguajë për luksin e deputetëve, le të shkojnë në punë me transport publik!

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ditë më parë deklaroi se harxhimet rrugore të deputetëve paraqesin harxhime me shuma të larta për qytetarët, me ç’rast ai propozoi që deputetëve të ju blihen vetura ose të ju sigurohen apartamente në Shkup me qëllim që të ulen këto shpenzime.

Qytetarët këtë propozim e vlerësojnë si të panevojshëm dhe të jo korrekt. Ata nuk i arsyetojnë shpenzimet marramendëse të deputetëve.

Shtrohet pyetja: Pse nuk përdorin transportin publik deputetët? Pse nuk ndjekin shembullin e kryetarit të Londrës.

Bardhyl JashariBardhyl Jashari nga Metamorfozis për Portalb.mk thotë se secili propozim që ul shpenzimet e tepruara të buxhetit duhet të merret parasysh.

“Shpenzimet duhet te optimizohen, ndërsa buxheti të menaxhohet me shumë përgjegjësi. Secili propozim që e mundëson këtë duhet të merret parasysh, analizohet dhe vendoset sa më shpejte e sidomos të zbatohet në mënyrë konzistente. Të rikujtojmë se të gjitha shpenzimet të cilët bëhen nga nëpunësit shtetëror, njësoj si ata të deputetëve, mbulohen nga paratë e qytetarëve të Maqedonisë”, tha për Portalb, Jashari.

Arianit Xhaferi
Arianit Xhaferi, “Eco Guerila”

Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla thotë për Portalb.mk se nuk është e nevojshme të ju sigurohet mjeti i transportit funksionarëve pasi që sipas tij ata kanë zgjedhur të kandidojnë e të punojnë në Shkup dhe duhet t’ju lihet secilit prej tyre të gjejë mënyrë për të shkuar në punë.

“Unë mendoj që nuk është e nevojshme që deputetëve apo kujtdo funksionari publik t’i blihet banesë, veturë apo t’i paguhen harxhime rrugore. Fundja, ata kanë zgjedhur të kandidojnë e të punojnë në Shkup dhe duhet t’ju lihet secilit prej tyre të gjejë mënyrë për të shkuar në punë”, tha Xhaferi.

Ai shtoi çdo deputet, çdo ministër, çdo zëvendës ministër, çdo funksionar publik duhet të sigurojë vet mënyrën e udhëtimit, dhe jo të jetë barrë e taksapaguesve të shtetit tonë të varfër.

“Nëse nuk i blejmë veturë mësuesve që çdo ditë ecin me kilometra për të mësuar nxënësit në fshatrat më të largëta, apo mjekëve të cilët çdo ditë punojnë për të shpëtuar jetë e për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, nëse nuk i blejmë veturë gazetarëve që na informojnë çdo ditë për gjërat që kanë rëndësi (etj) pse duhet t’i blejmë veturë, banesë apo t’ju paguajmë mijëra euro atyre që marrin rrogë më shumë se të gjithë ata që i përmenda të kombinuar së bashku. Ndryshime duhet të ketë, dhe ato ndryshime duhet të thonë se çdo deputet, çdo ministër, çdo zëvendës ministër, çdo funksionar publik duhet të sigurojë vet mënyrën e udhëtimit, dhe jo të jetë barrë e taksapaguesve të shtetit tonë të varfër”, shtoi Xhaferi.

ANITA LATIFI

Sa i përket mundësisë së përdorimit të transportit publik nga ana e deputetëve dhe funksionarëve, Anita Latifi thotë për Portalb.mk se vendi jonë nuk ka cilësinë e duhur të transportit publik dhe gjendjes së rrugëve, mirëpo sipas saj  normat ligjore detyrimisht duhet të pësojnë ndryshime, njëherit duke shtuar kontroll më rigoroz të dëshmive për shpenzimet e bëra.

“Duke pasur parasysh cilësinë e transportit publik te ne dhe gjendjen e rrugëve (që dallon nga ajo e Londrës dhe vendeve të tjera), nuk besoj se deputetët tanë do të mund të ishin korrekt në agjendën e tyre të punës. Funksioni,  obligimet dhe përgjegjësia që kanë marrë duhet të kryhen në mënyrë efikase. Gjithsesi, përderisa jemi dëshmitarë të shpenzimeve marramendëse për transport të tyre dhe mungesës së etikës individuale të deputetëve, normat ligjore detyrimisht duhet të pësojnë ndryshime, njëherit duke shtuar kontroll më rigoroz të dëshmive për shpenzimet e bëra”, tha Latifi.

Xhabir Deralla nga OJQ Civil thotë për Portalb.mk se për ta qerasur deputetët veten, varfëruan popullin.

“Pa marrë parasysh se cilës parti politike i takojnë, deputetët shpenzojnë dhe qerasin veten me bollëk nga paratë e popullit, për udhëtimet e tyre në këtë vend. Mijëra euro i vodhën nga fëmijët e uritur, nga familjet e varfra, nga paratë që duheshin të shkojnë për shëndetin e të sëmurëve. Po, ato para nëse i shpenzojnë për rrugë nuk do të ketë para aty ku më së shumti nevojiten. Populli privatisht po blen injeksione, infuzione, insulinë, fasha dhe gjera nga më të thjeshtat, sepse deputetet u mbushën me para. Ka ligj që sanksionon keqpërdorimin e funksionit të deputetëve, ata u kapën në vepër. Ata duhet të japin dorëheqje dhe të marrin përgjegjësi për veprat e tyre”, tha Deralla. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button