Kosovë, mbahet konferenca për të drejtat pronësore të grave

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Prishtinë u mbajt konferenca e nivelit të lartë me temë “Të drejtat pronësore të grave”, organizuar nga misioni i OSBE-së dhe ambasada e Francës në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë të pranishëm ishin presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Jan Braathu, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe kryetarja e Komisionit kuvendor për të drejta të njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, Duda Balje.

Presidenti Thaçi në fjalën e tij, duke ua uruar gjithë grave “Ditën e gruas”, tha se më shumë se çfarëdo tjetër, në këtë ditë duhet të ritheksojmë përkushtimin tonë për barazi gjinore në shoqëri.

Kreu i shtetit tha se duke u bazuar në Strategjinë për të Drejtat Pronësore në Kosovë, gratë përbëjnë 49.6 për qind të popullsisë së Kosovës dhe shtoi se vetëm 15.24 për qind e grave i kanë të regjistruara pronat në emrin e tyre.

Sipas presidentit Thaçi, pasuria në pronësi të gruas ka patur përfitime pozitive edhe në mirëqenien e familjeve ndërsa ai më tutje tha se kur gratë nuk e kanë në kontroll pronën, ato në shumicën e rasteve nuk mund të jenë as aktor ekonomik.

“Gruaja kosovare vazhdon të ballafaqohet me pengesa në realizimin e të drejtave të saj. Një sfidë e tillë është realizimi i të drejtave pronësore dhe trashëgimisë, që janë edhe objekt i kësaj konference. Neni 46 i Kushtetutës sonë ua garanton të gjithë qytetarëve të drejtat e tyre në pronë. Por, fatkeqësisht, në masë të madhe gratë në Kosovë ende luftojnë për tejkalimin e barrierave që pengojnë trashëgiminë e pronës së paluajtshme nga familja”, tha Thaçi.

Ndërsa, shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Jan Brathu tha se gjatë tërë historisë faktorë të shumtë kulturorë, ligjor, politik e social sistematikisht kanë penguar qasjen në të drejtat pronësore të gruas.

Sipas tij, gratë vazhdojnë të lihen jashtë pronësisë, ku sipas tij, traditat patriarkale vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë. Ai poashtu tha se si rrjedhojë prona martesore shumë herë regjistrohet vetëm në emër të një bashkëshorti dhe nëntë nga dhjetë raste është në emër të burrit.

Përkundër faktit se sot ligjet e Kosovës garantojnë gëzimin e të drejtave të barabarta të pronës, Brathu tha se: “Korniza ligjore e Kosovës siguron që edhe burrat edhe gratë të kenë mundësi të barabartë në përfitimin e pronave, ndërsa në anën tjetër në praktikë gratë dhe burrat kanë përjetime krejtësisht të ndryshme. Shumë gra në Kosovë ende nuk trashëgojnë prona dhe nuk regjistrohen si pronare të pronave”.

Duke përmendur një raport të një programi të USAID-it të vitit 2016, Brathu tha se vetëm rreth 20 për qind e grave në Kosovë kanë prona në pronësi nga të cilat vetëm 7.5 për qind janë prona të trashëguara nga familjarët e tyre.

Pjesëmarrësit e konferencës poashtu patën mundësinë ta dëgjojnë rrëfimin e Hava Lajçit, një grua nga Kosova e cila bashkë me motrat e saj, zgjodhi të luftojë për trashëgiminë e tyre në vend dhe e fituan rastin.

Lajçi gjatë rrëfimit të saj tha se procesi i zgjidhjes së kontekstit të trashëgimisë për të dhe motrat e saj ka qenë i mundimshëm dhe me shumë pengesa duke theksuar se nuk kanë hequr dorë nga e drejta e tyre.

Ajo tha se babai i saj ka tentuar që pronën që i ka takuar nga babai i tij ta marrë me sistemin e pleqve por nuk ka qenë i suksesshëm. Ndërsa ajo tha se pas tentimit të parë hisen e tij ka vendosur ta marrë përmes procesit gjyqësor gjatë viteve të ’70-ta ku procesi gjyqësor ka zgjatur me vite dhe nuk është zgjidhur.

Sipas saj insistimi nga ana e saj dhe të motrave të saj kanë shtyrë babain që t’i drejtohet gjykatës në Pejë duke mos hequr dorë. Lajçi theksoi se për të nuk vlenë parimi “pronën e trashëgojnë djal pas djali” duke potencuar se gjithmonë ka besuar se prona e babait të trashëgohet edhe tek ajo dhe motrat e saj.

Ajo ftoi gjykatat që në afatet e duhura ta përcjelln një kërkesë në mënyrë që askush mos të privohet nga e drejta në trashëgimi.

“Edhe pse gjithçka është e shkruar në lidhje dhe në emrin tonë se ne jemi dhe e gëzojmë atë pronë, besoni që akoma ne kemi shqetësime nga kushërinj të caktuar duke pretenduar se ajo pronë është e tyre dhe se prona që ata pretendojnë që është e tyre nuk është dashur të shkojë nëpër familje të tjera që ne shqiptarët i themi nëpër ‘dhëndurrë'”, tha Lajçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button