Karaxhovski “out”, Vangellovski pret ftesë për këshillin për mbikëqyrje të reformave në gjyqësor

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, ka mbetur jashtë Këshillit për Ndjekjen e Implementimit të Strategjisë në Gjyqësor për periudhën 2017-2022, ndërkaq kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, pret ftesë zyrtare, nëse do të jetë i ftuar ai, apo do të dërgojë ndonjë përfaqësues tjetër, njofton Portalb.mk.

“Po presim të dërgojnë ftesë zyrtare dhe pastaj do të shohim se cilin do ta emërojmë si përfaqësues të Gjykatës Supreme në këtë trup”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Maja Dimitrovska.

Se kur pritet që të dërgohet ftesa zyrtare, nga Qeveria e Maqedonisë nuk precizojnë, por vetëm thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm.

“Trupi është formuar, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe kur ta dërgojmë ftesën zyrtare atëherë do të dalim edhe me emrat konkret”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Pjesëmarrja e Vangellovskit dhe Karaxhovskit në trupin për ndjekjen e implementimit të reformave  për herë të parë u përmend, pasi që kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se ai do të jetë prijës i trupit për ndjekjen e reformave. Edhe pse nuk tha me emra, Zaev, bëri të ditur se në përbërje të Këshillit do të jenë kryetarët e Gjykatave të Shkupit, Prokurorisë Publike, e Prokurorisë Speciale Publike dhe persona të tjerë, që sipas Zaevit “janë njohës të mirë të praktikës gjyqësore”.

Ndaj kësaj, pati reagime të mëdha nga ana e opinionit, duke theksuar se nuk munden t’i mbikëqyrin reformat në gjyqësor, ata të cilën deri dje e kanë shkatërruar gjyqësorin, duke aluduar në afërsinë e tyre me strukturat partiake të VMRO-DPMNE-së.

Andaj, pas formimit të Këshillit, Qeveria njoftoi se pjesë e tij do të jenë: “ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, zëvendësi i tij, Oliver Ristovski, prokurori publik- Lubomir Joveski, përfaqësues i Gjykatës Supreme, prokurorja speciale Katica Janeva, një përfaqësues i Gjykatave të Apelit në Gostivar, Manastir, Shtip dhe Shkup, nga një përfaqësues i Gjykatave Themelore Shkupi 1 dhe 2, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti dhe kryetari i Shoqatës së Gjykatësve – Xhemali Saiti, përfaqësues të Odës së Avokatëve dhe grupit së organizatave të qytetarëve gjyqësore “Blu Print”.

Siç mund të shihet, nëse për të gjitha institucionet tjera ku funksionarët janë të rinj, si në Ministri dhe Prokurori Publike janë theksuar emrat, tek institucionet gjyqësore shtetërore kur bartës të funksionit kryetar i gjykatave nuk kemi emra të rinj, kanë theksuar “përfaqësues”.

Sipas të gjitha gjasave, ashtu edhe siç shkruajnë mediat këto ditë, pas shumë kritikave në opinion, Zaev ka ndërruar mendjen dhe nuk do ta ftojë Vangellovskin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button