OEMVP kërkon masa për motivimin e diasporës të investojë në Maqedoni

OEMVP në takim sot me ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi diskutoi masat për përkrahje financiare të investimeve të cilat janë shumë të rëndësishme për biznesin dhe ekonominë në përgjithësi, njofton Portalb.mk.

Kryetari i OEMVP, Nebi Hoxha tha se masat e planit për rritjen ekonomike janë të kënaqshme por duhet të përfshijnë më shumë ndërmarrje.

“Këto masa duhet të përfshijnë edhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në tekstin e ligjit të ri për investime. Të zgjerohet lista e sektorëve tjerë që kanë potencial të madh për ekonominë vendore, duke paraparë masa të veçanta edhe për kompanitë që vijnë nga viset rurale dhe sipërmarrësinë e gruas, me theks të veçantë në zhvillimin e barabartë rajonal.” tha Hoxha.

OEMVP vlerëson se duhet të punohet në mënyrë paralele edhe në sjelljen e rregulloreve të nevojshme për zbatim të ligjit dhe të koordinohen më mirë me organet tjera kompetente për ndihmën shtetërore, dhe nëse mjetet e parapara shpërndahen në mënyrë adekuate do të jenë të mjaftueshme.

Ministri Bekteshi theksoi se ligji për mbështetjen e investimeve së shpejti do të hyjë në procedurë qeveritare dhe pret zbatimin e këtij ligji, për të ripërtërirë aktivitetin ekonomik në vend.

“Këto masa mundësojnë trajtim të barabartë për të gjithë investitorët dhe më tej shtoi se qeveria do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për tërheqjen e diasporës për të investuar në vend. Me këtë ligj ofrojmë masa të reja të cilat synojnë rritjen dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë së vendit duke nxitur investime të reja. – tha ministri Bekteshi.

Në fund, ministri Bekteshi ftoi të gjitha kompanitë të shfrytëzojnë masat që i ofron Ligji për mbështetje financiare për investime dhe në këtë mënyrë të përmirësojmë standardin e jetesës së qytetarëve të Maqedonisë dhe të inkurajojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button