Ambasadorët shqiptarë reagojnë për djegien e flamurit në Zvicër (VIDEO)

Incidenti i rëndë i ndodhur më 26 maj në stadiumin e St.Gallenit, ku një grup tifozësh serbë dogjën flamurin shqiptar dhe brohoritën parulla antishqiptare gjatë miqësores Serbi – Spanjë (0-2), nuk ka kaluar pa reagim institucional të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës në Zvicër.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë të përbashkët shtypi të Ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Bernë, dy përfaqësitë diplomatike dënojnë ashpër incidentin dhe u bëjnë thirrje autoriteteve zvicerane që të marrin masat përkatëse.

Përveç reagimit me shkrim, të shpërndarë për mediat, ambasadorët Mehmet Elezi i Shqipërisë dhe Naim Malaj i Kosovës kanë zhvilluar të martën një takim me një përfaqësues të lartë të Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës. Takimi është zhvilluar në selinë e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë dhe dy ambasadorët kanë shprehur shqetësimin e tyre me incidentin e rëndë, duke kërkuar nga institucionet e Zvicrës të merren masat në përputhje me ligjin.

Në komunikatën e nënshkruar nga ambasadorët Elezi dhe Malaj, duke iu referuar lajmit mbi djegien e flamurit shqiptar dhe thirrjet “Vdekje shqiptarëve” që u dëgjuan në stadium, veç të tjerash thuhet:

“Ngjarja ka tronditur shqiptarët edhe në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë, për shkak të lidhjeve historike identitare që kanë ata me flamurin shqiptar dhe për shkak të thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve. Siç dihet, shumica dërmuese e qytetarëve me prejardhje shqiptare në Zvicër kanë nga Kosova, arsye pse Ambasada e Kosovës i bashkëngjitet këtij reagimi. Mendojmë se akte të tilla primitive e raciste që nxisin urrejtjen dhe tensione etnike bien në kundërshtim me vlerat e shoqërisë zvicerane dhe me vlerat demokratike”.

Sipas ambasadorëve, është koha për t’i shënuar deri në fund plagët e së shkuarës dhe jo për t’i ngacmuar e për t’i rihapur ato. “Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës – vijon komunikata – u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente zvicerane, Komisionit Federal kundër Racizmit,  Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Lidhjes Ndërkombëtare kundër Racizmit dhe Antisemitizmit (LICRA) të marrin masat e duhura që veprime të tilla të mos mbeten të pandëshkuara dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button