Skënder Hyseni kritikon Thaçin

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i ka quajtur të vonuara kritikat e kryeministrit Hashim Thaçi në drejtim të Brukselit. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Hyseni ka thënë se kryeministri ka bërë një veprim jo të duhur dhe në kohën e gabuar.

Ai ka vlerësuar se këto deklarata duhej të bëheshin para arritjes së koncesioneve në kuadër të dialogut me Serbinë. “Deklaratat e kryeministrit i konsideroj të vonuara, shumë të vonuara, sepse këto kritika është dashur të bëhen shumë kohë më parë, e jo tani, aq më tepër në këtë formë dhe për konsum publik”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka thënë se procesi i stabilizim-asocimit dhe liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ndodh si shpërblim për koncesionet e arritura në dialogun me Beogradin, por mbi bazën e meritave.

Ish-ministri i Jashtëm ka kritikuar diplomacinë kosovare për mosfunksionim, madje ai e ka quajtur Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) organizatë joqeveritare (OJQ), e cila sipas tij, nuk funksion fare. 

“Nuk është duke funksionuar diplomacia e Kosovës. Madje mund të them se Ministria e Punëve të Jashtme është shndërruar në një organizatë joqeveritare. Në një OJQ jofunksionale”, ka vlerësuar Hyseni.

Ai është shprehur i pakënaqur edhe me paraqitjen e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përballë akuzave të ministrit serb.

   

Lajme të ngjashme

Back to top button