Sipas INSTAT 40 për qind e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria

Në vitin 2017 ishin 1 milion e 150,000 njerëz të lindur në Shqipëri, që po jetonin në shtete të tjera. Të dhënat janë publikuar nga Pew Research Center, i cili ka përditësuar informacionin e vitit 2017, bazuar në statistikat e Kombeve të Bashkuara.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri jetonin 2.87 milionë banorë, pra shqiptarët që jetojnë jashtë përbëjnë 40 për qind të atyre që janë brenda, sipas përllogaritjeve të Monitor.

Ky raport është ndër më të lartët në botë, sipas vlerësimeve të mëparshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas raportit të Pew Research, transmeton Shekulli, Italia është destinacioni i parë ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Në total janë rreth 460 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali.

Në vend të dytë është Greqia, e cila dikur ka qenë destinacioni kryesor i emigrantëve, por që vitet e fundit shumë janë kthyer pas krizës së borxheve që pushtoi shtetin grek.

Në vend të tretë janë Shtetet e Bashkuara, një destinacion mjaft i preferuar, ku shumë shqiptarë në vite kanë ikur përmes lotarisë (numri i aplikimeve arrin deri në 200 mijë në një vit) apo me forma të tjera.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë 90 mijë shtetas që kanë lindur në Shqipëri.

Më pas renditet Maqedonia, ju jetojnë 70 mijë persona, të ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 30 mijë shqiptarë dhe Gjermania me 20 mijë shqiptarë dhe Kanadaja po me 20 mijë.

Vitet e fundit është rigjallëruar cikli i emigracionit, ndërsa numri i atyre që kthehen është reduktuar, duke bërë që migracioni neto të përkeqësohet.

Sipas të dhënave të INSTAT, në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona, si emigrantë. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button