Ministri danez për çështje Evropiane, sot në Tiranë, takon presidentin Topi

Ministri Danez për Çështje Evropiane, z. Nicolai Wammen mbërrin sot për një vizitë dyditore në Shqipëri.

Vizita e Wammen vjen pak ditë pas vizitës së Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë z. Edmond Haxhinasto në Danimarkë dhe pas takimit të frytshëm që ata patën së bashku.

Wammen sot në mbrëmje ka nisur takimet e tij, duke filluar nga Presidenti Topi. Gjatë takimit, Topi shprehu mirënjohje për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë për ndërtimin dhe forcimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor, sidomos në drejtim të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në strukturat evropiane, ku, aktualisht Mbretëria e Danimarkës kryeson Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

”Marrja nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, – theksoi Presidenti Topi në takim, – kërkon një angazhim maksimal të institucioneve dhe të klasës politike shqiptare, dialog serioz dhe sjellje dinjitoze të të gjithë aktorëve politikë, përkushtim dhe zbatim korrekt të legjislacionit në fuqi, si dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë”.

Ministri danez i Çështjeve Evropiane, vlerësoi me këtë rast kontributin e rëndësishëm dhe moderues të Presidentit Topi në të gjitha proceset integruese të Shqipërisë, si dhe rolin pozitiv të shtetit shqiptar në ruajtjen e qëndrueshmërisë, paqes e prosperitetit në Ballkan e më gjerë.

Duke bërë me dije se një ndër përparësitë e programit të presidencës daneze të radhës së Bashkimit Evropian, mbetet vazhdimësia e procesit të zgjerimit dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të marrë statusin e vendit kandidat, zoti Wammen garantoi përkrahjen e mbështetjen e fuqishme të Mbretërisë së Danimarkës në përpjekjet e vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër Ministri danez theksoi rëndësinë e përmbushjes së kritereve politike nga ana e Shqipërisë dhe përfundimin me sukses të reformave të nevojshme për anëtarësim si ajo zgjedhore, reforma parlamentare si dhe zgjedhja me konsensus e Kreut të ri të Shtetit shqiptar, i cili duhet të përfaqësojë unitetin e të gjithë popullit.

TAKIMET NESER
Ndërkohë që nesër në orën 10.00 z. Wammen do të pritet nga z. Haxhinasto dhe më pas, në orën 10.30 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp. Takimi do fokusohet në çështjen e integrimit europian të Shqipërisë, pasi Danimarka mban dhe presidencën e radhës në BE, por do të diskutohen dhe çështje dypalëshe dhe rajoni.

Z. Wammen do të takohet dhe me zyrtarë të tjerë të lartë, kryeministrin e Shqipërisë z. Sali Berisha, Ministren e Integrimit, znj. Majlinda Bregu, dhe liderin e Partisë Socialiste z. Edi Rama. /Balkanweb/

Lajme të ngjashme

Back to top button