Serbia s’hyn në BE pa e njohur shtetin e Kosovës!

Serbia nuk ka asnjë shans të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar të martën ish zëvendës/kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan.

Ai ka thënë se mund të ketë deklarata politike individuale pro anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian edhe pa e njohur Kosovën, por kjo sipas tij nuk mund të ndodhë.

Sipas tij, kur evropianët thonë se Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, kjo nënkupton njohjen e Kosovës, anipse momentalisht ka diplomatë që nuk e thonë drejtpërdrejtë.

“Jam i sigurt që shumica e vendeve anëtare do të kundërshtonin anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, sepse të bëhesh anëtarë i një klubi duhet të pranosh rregullat e atij klubi. Pse Turqia nuk bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, sepse refuzon ta njohë Qipron. Mirëpo të gjithë i thonë se nuk mund të anëtarësohet pa e marrë këtë vendim. Ashtu edhe Serbia, mund të ëndërrojë, por nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën. Kjo është e qartë për të gjithë, është punë principesh”.

Rohan në emisionin Rubikon të KTV-së, ka thënë se procesi i njohjeve deri më tani ka qenë pozitiv, dhe se shpreson që në muajt e ardhshëm do të ketë edhe njohje të reja të Kosovës. Ai ka thënë se negative në këtë proces ka qenë mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian (Spanjës, Greqisë, Sllovakisë, Rumanisë dhe Qipros).

“Mosnjohja nga këto pesë vende është politikë e gabuar, është politikë destruktive. Spanja arsyetohet me problemet e saj të brendshme, por kjo nuk ka asgjë të bëjë me Kosovën. Po ashtu vendet tjera përmedin arsyetime që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën, pra bëjnë poltikë të gabuar jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit. Sepse dihet, pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në rajon”, ka thënë diplomati austriak.

Sa i përket anëtarësimit të mundshëm në Kombet e Bashkuara kur të arrihen numrat e nevojshëm, Rohan ka thënë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse Rusia vendosë të mos përdorë veton. “Edhe nëse arrihen numrat dhe kërkohet që procedura të shkojë përmes votimit në Asamblenë e Përgjithshme, kjo bëhet me rekomandim të Këshillit të Sigurimit, ku Rusia ka të drejtë vetoje dhe nuk mendoj se do të ndryshojë qëndrimin derisa Serbia të mos e njohë Kosovën”.

Duke folur për veriun, Rohan ka thënë se situata e brishtë atje nuk mund të zgjatet pa fund.

“Serbëve në veri duhet bërë e qartë se nuk mund ta kenë sovranitetin e Serbisë. Madje me zgjedhjet e fundit lokale kjo është vërtetuar, pasi ato u quajtën ilegale edhe nga Beogradi. Veriu është pjesë e Kosovës. Plani i Ahtisaarit është e vetmja zgjidhje dhe madje u ofron serbëve edhe më shumë se sa ata duan vetëm se atyre duhet gjetur mënyra për t’ua ofruar të drejtat që u garantohen. Tani Prishtina duhet të insistojë në implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel për menaxhimin e kufijve, që me gjithë se është pranuar, po bllokohet nga Serbia. Kjo marrëveshje është një hap i mirë që serbët e veriut të integrohen ashtu sikurse janë integruar serbët poshtë lumit Ibër”, ka thënë ndër të tjera Rohan. /Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button