Pavllopullos: Zaev nuk është i vetëdijshëm kur thotë se do të nënshkruajë marrëveshje kundër Kushtetutës

“Ndryshim të Kushtetutës dhe emrit i cili nuk do të rrezatojë irredentizëm, ndërkaq do të sigurojë tre garanci: “jo” për ndryshim të kufijve, “jo” për komunitetet etnike jashtë kufijve dhe “jo” për gjuhën që do të kërkonte të drejta jashtë kufijve. Këto janë kushtet që i ka përmendur presidenti i Greqisë, Prokopis Pavllopullos, që të zgjidhet çështja e emrit mes Shkupit dhe Athinës, njofton Portalb.mk.

“Fillimisht të ndryshohet kushtetuta e tyre, ndërkaq më pas, kur të arrijmë deri në ndonjëfarë marrëveshje, në këtë marrëveshje do të ketë emër i cili nuk do të rrezatojë irredentizëm. Dhe kur themi irredentizëm mendojmë në tre çështje: nuk mundet në asnjë rast që ky emër të nënkuptojë ndryshim të kufijve. E dyta, ky emër nuk mundet t’u referohet etnive përtej kufijve të IRJ Maqedonisë. Dhe e treta, nuk mundet që ky emër t’i referohet një gjuhë të jashtme nga kufijtë, që do të shkaktonte të drejta të pakicës edhe në këtë fushë. Këto tre çështje janë fakt”, deklaroi Pavllopullos, dje nga komuna Pindas-Kolundru, ku ishte shpallur për qytetar nderi.

Presidenti tha se është e nevojshme që ndryshohet Kushtetuta si parakusht bazë për zgjidhje, por edhe për “mbrojtjen e vetë kryeministrit të IRJM-së”.

“Nuk mundet që në momentin kur vijnë të merren vesh për kompromisin që aspirojnë, të të thonë: këtë kompromis do ta bëjmë, por nuk mundemi ta ndërrojmë Kushtetutën, do ta ndërrojmë në të ardhmen. A është ai vend demokratik? Kryeministri i këtij vendi nuk kupton se çfarë rreziku vetë shkakton kur deklaron se është i gatshëm që të nënshkruajë një marrëveshje e cila është kundër Kushtetutës? Mundemi të paramendoni ndonjë lider i perëndimit të thotë diçka të tillë?”, shtoi Pavllopullos, transmeton Portalb.mk.

Sipas presidentit grek, qëndrimi i Greqisë është i qartë me të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare dhe nuk është “Greqia përgjegjëse nëse vetëm, me qëndrimin e tyre, e varrosin perspektivën e tyre për në NATO dhe BE”.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Greqi-Maqedoni
Greqi – Maqedoni

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Koxias në Shkup dhe raund i ri i negociatave për emrin deri në fund të marsit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button