APARTEIDI URBAN

Termi aparteid (apartheid) nënkupton politikën e segregacionit racor në Republikën Jugafrikane e filluar më 1948 nga Partia Nacionaliste, partia e afrikanderëve, e cila i fitoi zgjedhjet dhe imponoi një politikë të rreptë ndarjeje mes të bardhëve dhe afrikanëve. Kjo politikë e zbatuar ndërmjet viteve 1948-1991 bazohej në ndarjen ligjore të popullatës në të bardhë, që qeverisnin, dhe në të zinjtë që ishin të privuar thuajse nga të gjitha të drejtat qytetare dhe njerëzore. Kjo ndarje e sanksionuar me ligje pasqyrohej në kufizime në sferën e banimit, martesës, punësimit, në shfrytëzimin e shkollave, spitaleve, parqeve e deri te plazhet. Kësaj i përket parulla famëkeqe “Ndaluar për zezakët dhe qentë!”, që dëshmon për këtë realitet antihuman, për një sistem shtetëror me pariah, për shfrytëzimin e vendasve që legjitimohej nga një bagazh ideologjik i volkizmit afrikander dhe i epërsisë racore. Qeveria minoritare e të bardhëve përballë presionit ndërkombëtar dhe konflikteve të brendshme në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar filloi të tërhiqej nga kjo politikë dhe në vitin 1994 u arrit te qeveria e parë e shumicës zezake. Simboli i lëvizjes antiaparteidiste u bë Nelson Mandela, i cili afër tri dekada qëndroi nëpër burgjet jugafrikane duke mos u pajtuar me rendin racist. Mandela për një kohë ushtroi edhe postin e kryetarit të shtetit. Termi aparteid tanimë përdoret edhe për regjimet që bazohen në diskriminimin në baza racore ose etnike. Shumë analistë botërore sundimin millosheviqian në Kosovë e kanë cilësuar si aparteid.

Një shprehje që ndërlidhet me termin në fjalë në kontekstin e hapësirës qytetare është edhe aparteidi urban (urban apartheid), dukuri kjo e ndarjes në zona banimi ose segmentim i qytetit sipas kategorive të të ardhurave ose sipas përkatësisë në grupe sociale apo kulturore. Në kalimin mes dy mijëvjeçarëve kjo dukuri shkon përtej veçimit të thjeshtë urban. Aparteidi urban është rezultat i rritjeve të jashtëzakonshme të pabarazive ekonomike e shoqërore, të cilat tridhjetë vitet e fundit krijojnë një dyzim urban. Ky tipar urban shfaqet me përhapjen e getove, sa në qendër (inner city) po aq edhe në rrethina, me formimin e lagjeve të privilegjuara, gjithnjë e më të mbyllura në vetvete, në shumë qytete të Amerikës Veriore, e po ashtu edhe të Europës. Në këto lagje, banorët gëzojnë shërbimet më të mira që ofrohen nga qyteti, si banesa, konsum, argëtime dhe punësim. Këto kategori të reja urbane kohezionin e tyre nuk e bazojnë në afërsinë gjeografike dhe përkatësinë kombëtare ose qytetare, por te mënyra e jetesës duke iu bindur shenjave të mondializimit dhe të kulturës së konsumit që mendohet si kozmopolite. Në lagjet e privilegjuara, ka rruzullime të mbyllura e të mbrojtura, rrugët janë private (qarkullimi është vetëm me makina dhe kalimi i rastit i këmbësorit kthehet në dyshim), ka qendra tregtare private, shkolla private, kanalizimet dhe pajisjet janë private, siguria është private (me policë të armatosur). Disa bashkësi madje janë shkëputur plotësisht, duke shpallur pavarësinë e tyre kundrejt bashkësive vendore fqinje. Ana tjetër e medaljes përbëhet nga lagjet e rrethinave dhe “skëterrave” të qytetit, lagje të kërcënuara nga pasiguria, jeta e makthshme e të pastrehëve dhe dhuna e bandave, ekonomia e drogës, grupe sociale apo etnike që qëndrojnë në plan të dytë dhe janë të përjashtuara nga rrjedhat e qarkullimit, nga veprimtaritë pjesëmarrëse, madje edhe nga punësimi. Këto forma të dyzimit dhe të veçimit urban nxisin kristalizimin e bashkësive të izoluara, “klasat e reja të rrezikshme”, enklavat e fortifikuara, qytetet e muruara. Sipas disa të dhënave në SHBA 4 deri në 8 milionë banorë jetojnë në këto qytete të mbyllura. Sipas një raporti të OCDE-së të botuar në vitin 1996, 35 milionë amerikanë kanë jetuar në 150.000 bashkësi të drejtuara nga shoqata private. Sipas Jérôme Bindê enklavat e fortifikuara përbëjnë një gjendje të shoqërisë qytetare të shqytetëruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button