ANALIZË: Konstatime nga revizioni – kush janë ndotësit dhe çka ka ndërmarrë shteti?

Ndotja e ajrit, vendosja e sistemit për menaxhim me cilësinë e ajrit, gjendja në Inspektoratin shtetëror për mjedis jetësor, ndotësit, zbatimi i standardeve evropiane – janë disa nga çështjet që trajtohen në raportin e ri të revizionit “Cilësia e ajrit- revizioni kooperativ”, të cilin e publikoi Enti shtetëror për revizion. “Portalb”-i publikon disa detaje nga revizioni i realizuar.

Shumë punë, pak inspektorë

Me analizat e bëra të rregullativës ligjore, e cila ka qenë në fuqi gjatë periudhës së monitoringut, janë konstatuar dobësi të shumta në lidhje me mbikëqyrjen e inspeksionit. Kështu, në mes tjerash, revizori thekson:

“Mungon planifikimi disavjeçar për inspektimin në mjedisin jetësor me të cilin do të përfshihej gjithë territori i vendit, gjegjësisht që planifikimi të bëhet në nivel qendror dhe në nivel lokal. Zbatohet status dhe rregulla të ndryshme për inspektorët shtetërorë dhe për inspektorët e autorizuar lokalë për mjedis jetësor në aspekt të obligimeve të tyre”.

Në përputhje me rregulloren, njofton Portalb.mk, në Inspektoratin shtetëror për mjedis jetësor janë paraparë gjithsej 38 vende pune, ndërsa në periudhën e realizuar janë plotësuar vetëm 22 vende pune.

“Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor përballet me numër të pamjaftueshëm të inspektorëve që mund të bëjnë mbikëqyrje. Disa njësi që duhet të krijojnë parakushte për mbikëqyrje efikase inspektuese, si për shembull, financat, çështjet juridike, revizioni i brendshëm, nuk funksionojnë në tërësi” – thuhet në analizën e revizionit.

Revizori thekson se në periudhën e analizuar janë formuar disa organe dhe institucione kompetente për krijimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit jetësor, njofton Portalb.mk. Në vitin 2012 është formuar Grupi i punës së inspektorëve për cilësinë e ajrit, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve kompetente, e pastaj në vitin 2013 është formuar Komiteti për shëndet dhe mjedis jetësor, ku përsëri kanë marrë pjesë disa ministri kompetente.

“Edhe përkundër involvimit të një numri të madh të institucioneve të fushave të ndryshme dhe niveleve të ndryshme kompetente për krijimin e politikave dhe zbatimin e masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit, akoma nuk është krijuar sistem efikas dhe i pavarur për mbikëqyrjen e implementimit të masave që duhet të ndërmerren” – thuhet në raportin e revizionit.

Kush janë ndotësit dhe çka është ndërmarrë

Në prill të vitit 2017, në një mbledhje të qeverisë, është miratuar Plani i rishikuar nacional për zvogëlimin e emetimit të sulfurit dhe substancave të tjera ndotëse nga instalimet, gjegjësisht firmat e mëdha ekzistuese që punojnë me djegie.

“Pjesa më e madhe e instalimeve të mëdha që punojnë me djegie janë në sektorin energjetik, që shfrytëzohen për të fituar energji elektrike dhe të ngrohjes (termocentralet), shkaktojnë ndotje të konsiderueshme, e vetëm disa prej tyre janë pjesë e sektorit industrial” – thuhet të raportin e revizionit.

Sipas dispozitave ligjore, industritë janë të obliguara që, me dinamikë dhe kritere të përcaktuara, të fusin standarde në lidhje me mjedisin jetësor dhe në përputhje me këtë të marrin leje të integruar ekologjike.

“Prej 31.12.2016 janë lëshuar 121 leje të integruara ekologjike, nga të cilat 76 kanë qenë leje të integruara të tipit A, ndërsa 45 subjekte kanë marrë leje të integruar të tipit B. Me kërkesë të firmave, qeveria e ka prolonguar futjen e lejeve ekologjike në: “Makstil” për gjashtë muaj, në “Jugohrom” për dy vite, ndërsa Kombinatit xeheror-energjetik (KXE) Manastir dhe KXE Osllomej u është dhënë afat deri në fund të vitit 2017. Nga të gjitha instalimet e përmendura, vetëm Makstili i ka përmbushur të gjitha aktivitetet në afatin plotësues” – thuhet në raportin e revizionit.

Një nga burimet e ndotjes janë edhe mbeturinat, gjegjësisht deponitë. Revizori konstaton se edhe operatorët që i ruajnë, i trajtojnë dhe i përpunojnë mbeturinat kanë obligime për harmonizim, njofton Portalb.mk. Në periudhën kur është bërë revizioni është konstatuar kjo gjendje:

“Asnjëri nga operatorët e deponive ekzistuese nuk kanë dorëzuar kërkesë për të marrë leje për harmonizim me planin operativ” – thekson revizori dhe konstaton se në vend ka 54 deponi komunale, të cilat i ndotin ujërat nëntokësorë, truallin dhe ajrin.

“Prej tyre, sipas vlerësimeve të ekspertëve, 16 janë me rrezik të lartë, 16 me rrezik të mesëm dhe 19 me rrezik të ulët për mjedisin jetësor. Ka edhe mbi dhjetë lokalitete të vjetra industriale që janë të ndotura dhe që paraqesin rrezik serioz për njerëzit që jetojnë në afërsi të tyre” – thuhet në raportin e revizionit, ku potencohet se vetëm “Drislla” posedon leje të integruar ekologjike të tipit A.

Në sektorin e transportit, ndikim më të madh mbi ndotjen e ajrit kanë emetimet nga komunikacioni rrugor. Me importin me kushte të volitshme të veturave të përdorura në vitin 2010, është importuar një numër i madh i veturave që nuk i plotësojnë standardet ekologjike. Kështu, revizori thekson në fund të vitit 2015, rreth 70% e veturave u takojnë klasave me emetime të larta të ndotjes, ndërsa prej 10 deri në 18% (që konsiderohet si përqindje e lartë) i takojnë kategorisë më të vjetër të veturave (EURO 0), te të cilat nuk ka sistem për përpunimin e gazrave që i lëshojnë veturat.

Revizori në gjithë tekstin e analizës i përmend standardet evropiane dhe përkujton për rregullativat evropiane, dhe me këtë rast thekson se shteti që është anëtar i Bashkimit Evropian, dhe i cili i tejkalon kufijtë e lejuar të substancave të caktuara ndotëse, u nënshtrohet sanksioneve, gjegjësisht duhet të paguajë gjobë të caktuar, njofton Portalb.mk.

“Duke pasur parasysh faktin se Republika e Maqedonisë nuk është vend anëtar i BE-së, nuk u nënshtrohet sanksioneve nga ana e BE-së, e as që ekzistojnë sanksione në nivel qendror apo lokal për mospërmbushjen e qëllimeve të përcaktuara me politikat për cilësi të ajrit. Vendosja e këtillë e gjithë sistemit nuk mundëson ndërmarrje të masave të shpejta dhe efikase” – thuhet në mes tjerash në raportin e revizionit.

Në raport analizohet edhe gjendja me stacionet matëse, me ç’rast edhe në këtë segment konstatohen një sërë problemesh, si p.sh. mirëmbajtja jo e rregullt e instrumenteve dhe mospasja e pjesëve rezerve, që ndikon drejtpërdrejt mbi vlerësimin objektive të gjendjes me ndotjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button