Hahn: Shqipëria gati për një hap të ri

Kryeministri, Edi Rama ka ndarë me publikun një shkrim të gazetës “Eureporter.co”, e cila vlerëson përpjekjen e Shqipërisë për luftën ndaj krimit të organizuar si një ndër kushtet thelbësore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në artikullin e gazetarit, Martin Banks, përmendet ndalimi i sasisë rekord të 613 kilogramëve kokainë me një vlerë prej 180 milion eurosh.

 “Ish-shteti komunist, i ndodhur në rajonin e Ballkanit, ndodhet nën presion nga perëndimi për të rritur efektshmërinë në luftën kundër trafikut të drogës dhe formave të tjera të krimit të organizuar, si pjesë e përpjekjeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, thuhet në shkrimin e “Eureporter”.

“EUREPORTER”

“Shqipëria përgëzohet për luftën ndaj krimit të organizuar, një kusht thelbësor për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Bashkimi Europian ka përgëzuar Shqipërinë për përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, një parakusht për anëtarësimin e mundshëm në bllokun prej 28 vendesh, shkruan Martin Banks.

Autoritetet thonë se kapja gjatë kësaj jave e një sasie rekord kokaine , me një vlerë tregu prej rreth 180 milionë eurosh,për Shqipërinë është një shembull i progresit të bërë në adresimin e këtij problemi.

Ish-shteti komunist, i ndodhur në rajonin e Ballkanit, ndodhet nën presion nga perëndimi për të rritur efektshmërinë në luftën kundër trafikut të drogës dhe formave të tjera të krimit të organizuar, si pjesë e përpjekjeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. E vendosur në udhëkryqin midis Europës Lindore dhe asaj Perëndimore, Shqipëria ka qenë një burim prodhimi për marijuanën e gjithashtu, një rrugë kalimi drejt tregjeve europiane për kokainën dhe heroinën.

Megjithatë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa reforma të thella, përfshi luftën kundër krimit të organizuar, që është edhe një kusht thelbësor i Bashkimit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Të mërkurën, Policia shqiptare sekuestroi në Durrës 613 kilogramë kokainë, e paketuar në 528 pako dhe e fshehur në dyshemenë e një kontejneri bananesh me prejardhje nga Kolumbia. Kontejneri me ngarkesën e bananeve dhe kokainës kaloi fillimisht në Itali dhe në Maltë pa u zbuluar. Megjithatë, në Shqipëri, sasia e kokainës u zbulua dhe dy
persona u arrestuan.

Ky operacion i suksesshëm u ndërmor pavarësisht mungesës së sinjalizimeve nga ana e vendeve europiane, nga ku kaloi sasia e drogës përpara se të mbërrinte në portin e Durrësit. Autoritetet shqiptare thonë se “ndërveprimi i menjëhershëm dhe efikas midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëri të mundur përfundimin me sukses të këtij operacioni”.

Në të shkuarën, lulëzimi i krimit të organizuar në këtë vend të vogël juglindor, me një vijë të gjatë bregdetare në Adriatik, është parë si një pengesë për kredencialet europiane të Shqipërisë. Ndonëse Shqipëria vazhdon të përballet ende me shumë sfida, raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, socialdemokrati gjerman Knut Fleckenstein, ka përgëzuar përpjekjet serioze të këtij vendi në luftën ndaj krimit të organizuar.

“Që prej verës së vitit 2014, Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe që prej atëherë, progresi ka qenë i vazhdueshëm”, thotë ai. Fleckenstein shtoi se “zbatimi i reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse kanë vendosur një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe drejt shndërrimit në një vend modern”.

“Më pak korrupsion dhe më pak krim i organizuar janë thelbësorë për jetën e përditshme të çdo shqiptari”, nënvizoi ai.

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, gjithashtu shprehu optimizëm mbi procesin e reformave, duke shtuar se Komisioni do të rekomandojë së shpejti, me shumë gjasa brenda kësaj vere, nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Hahn theksoi se “Shqipëria ka zbatuar reforma të rëndësishme” dhe se ajo “është e gatshme për të ndërmarrë këtë hap të ri”. Pas vizitës në Tiranë ditën e diel (25 shkurt), Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, gjithashtu përgëzoi progresin e qeverisë shqiptare në zbatimin e reformave integruese. Juncker tha:

“Shqipëria nuk rresht së akumuluari progrese të rëndësishme, që kur iu përkushtua rrugës së reformave strukturore në shumë fusha të ndryshme. Progresi i arritur është mbresëlënës dhe ka bindur Komisionin Europian që të rekomandojë hapjen e bisedimeve”. Një koment shtesë erdhi nga Luke Coffey, drejtori i Qendrës së Politikave Ndërkombëtare në “Heritage Foundation”.

Ai tha: “Shqipëria ka shumë arsye për të qenë krenare. Vendi u bë një anëtar me të drejta të plota në NATO në vitin 2008, duke u shndërruar në vendin e dytë me shumicë myslimane që realizon këtë objektiv. Në vitin 2014 u shndërrua në një kandidat zyrtar për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Për një vend të pozicionuar në Ballkan, një rajon të turbullt, i dalë nga një seri luftërash të përgjakshme e me vështirësi të shumta financiare, këto janë arritje të shkëlqyera”.

Një numër eurodeputetësh të tjerë, gjithashtu kanë mirëpritur progresin e Shqipërisë sa i përket zbatimit të reformave europiane dhe “progresit të qenësishëm” në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se këto arritje mund të jenë “çelësi” që do të përshpejtojë rrugën europiane të Shqipërisë, duke nisur nga hapja e negociatave të anëtarësimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button