Shteti ideal

Emir Kurtishi, student në Fakultetin Juridik - UEJL.

Jo, nuk është titulli i veprës filozofike të Platonit “Shteti”. Por, është shteti ideal. Është shteti të cilën thellë brenda qenies sonë të gjithë ne e dëshirojmë. Është shteti siç do të duhej të jetë dhe jo siç është. Titulli i këtij shkrimi mund të duket si joreal dhe shumë imagjinarë.

Sidoqoftë, më duhet ta pranoj që këto ditë vëmendjen ma tërhoqi një tekst i publikuar dhe i shpërndarë gjithandej nëpër portale. “Si shkatërrohen shtetet” – ishte titulli atij i teksti. Historia është e mbushur me shembuj të ndryshëm që flasin mbi shtetet e fuqishme, perandoritë apo “imperitë” e fuqishme e dominante të asaj kohe. Gjithsesi një gjë duhet pranuar. “Gjithmonë thyhemi aty ku jemi më të fortë!” Për shembull, Perandoria Romake, në kulmin e suksesit u shkatërrua. Aleksandri i Madh i Maqedonisë Antike, arriti që ta zgjeroj territorin e tij deri në Kinën e sodit. Por, atëherë kur më së shumti u forcua, u shkatërrua. Napoleon Bonaparta i Francës pushtoi dhe udhëhoqi gati të gjithë kontinentin Evropian, duke çuar në çdo vend të pushtuar idealet e Revolucionit Francez. Me gjithë fuqinë e tij të jashtëzakonshme siç thuhet, në trupin e tij të shkurtër, nuk arriti t’i mbante dhe t’i kontrollonte të gjithë ato territore. Shkaqet e këtyre shkatërrimeve duhet kërkuar në vetë procesin historik.

Në esencë ku dua të dal me këto shembuj? Pra, le të ndërlidhem, me tekstin e lexuar. Teksti fillon me territorin jashtëzakonisht të madh që dikur paska pasur edhe Perandoria Osmane. Në sundimin e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, i cili kishte arritur që t’i zgjeronte territoret e Perandorisë së tij deri në Vienën e sotme. Periudha e tij konsiderohet si periudha më e lavdishme që ka pasur deri atëherë Perandoria Osmane. Megjithatë, në kulmin e suksesit Sulltanin e kishte munduar një çështje goxha serioze. Nga studimi i historisë, ai kishte vënë re se çdo shtet i fuqishëm i fillonte ligështimi pas një fare kohe. Pra, si çdo gjë e krijuar nga njeriu si qenie, që ka fund, edhe shtetet mund të kenë fund.

Sulltani i kapluar nga frika e këtij fenomeni, ishte marrur me çështjen se a mundej një gjë e tillë të parandalohet dhe të shmanget. Aq shumë e kishte munduar vetën, si çdo njeri që e mundon vetën e tij me preokupimet, problemet dhe sfidat e jetës, që më pas ato të njejtat gjatë natës i pasqyrohen në ëndërr edhe Sulltan Sulejmanit e njejta gjë i kishte ndodhur një natë. Në pamundësi për t’i dhënë kuptim dhe përgjigje kësaj çështjeje kishte vendosur për të kërkuar ndihmë me një nga dijetarët e kohës, i cili quhej Jahja Efendi. Kështu ai i shkroi një letër, për çështjen që e mundonte jashtëzakonisht shumë. Dijetari i madh paska jetuar në lagjen Beshiktash të Stambollit. Në letër, Sulltani paskësh shkruar: “Ju keni dije rreth shumë sekreteve, prandaj uroj të vini dorën në zemër dhe të më tregoni kur bien shtetet dhe cili është fundi i Perandorisë Osmane!”. Përgjigja e dijetarit aq sa kishte qenë befasuese, koncize dhe e shkurtër në përmbajtje njëkohësisht kishte qenë jashtëzakonisht enigmatike, gjë që e kishte munduar Sulltanin edhe më shumë se vetë çështja kryesore.

Përgjigja e dijetarit tingëllonte në këtë formë: “E ç’më duhet mua kjo o Sulltan? Ç’më duhet mua?”.

Në pamundësi për të gjetur përgjigjen enigmatike dhe të mistershme të dijetarit, Sulltan Sulejmani niset për në shtëpinë e tij. Pasi u takua edhe njëherë i’a parashtroi të njejtën pyetje për të cilën kërkonte përgjigje koncize dhe konkrete. Dijetari i kohës, Jahja Efendi, kësaj radhe i ishte përgjigjur drejtpërdrejtë: “Sulltan i nderuar! Kur të përhapet zullumi dhe korrupsioni në vend, kur secili që e sheh dhe e dëgjon këtë zullum dhe korrupsion thotë: “E ç’më duhet mua” duke u fokusuar tek hallet e veta, kur barinjtë të shqyejnë kopenë dhe ata që e shohin këtë heshtin, kur të ngrihet në qiell britma, ankesa dhe e qara e fukarenjve dhe e nevojtarëve të cilën se dëgjon tjetër kush përveç pemëve e gurëve, atëherë shteti është në buzë të greminës. Në raste të tilla, thesaret e shtetit boshatisen, populli e humbet besimin dhe respektin për shtetin dhe minimizohet ndjesia e bindjes ndaj autoritetit të shtetit. Në këtë rast, rënia dhe shkatërrimi është alternativë e vetme për një shtet të tillë.

Kujtoj se edhe Martin Luther King, udhëheqësi i shquar i lëvizjes për të drejtat civile afro-amerikane, në një rast ka thënë: “Jetët tona filluan të marrin fund në ditën që ne u bëmë të heshtur mbi gjërat që kanë rëndësi”.
Shembulli i lartpërmenduar mund të shërbej si shembull shkollor dhe leksion që duhet pranuar dhe mësuar shumë prej saj.

Sidoqoftë, ti kthehemi realitetit tonë të dhimbshëm dhe qëllimit të këtij shkrimi. Sa herë kemi heshtur ne ndaj gjërave që kanë pasur rëndësi jetike për ne? Sa herë kemi heshtur për padrejtësitë që na janë bërë si shoqëri? A kanë filluar njëmend jetët tona të marrin fund? Apo nga mungesa e ngritjes së zërit, veçse kanë marrë fund? Preokupimi me hallet tona dhe interesat tona ka bërë që indiferenca, injorimi, neglizhenca ndaj fenomeneve negative, të na infektojë dhe të na kaploj komplet si shoqëri. Të qëndrosh indiferent ndaj këtyre fenomeneve, në mënyrë të heshtur don të thotë aprovim i të njejtave sadoqë në brendinë tonë mund të ekzistoj një shpirt revolucionar që vazhdimisht bën luftë me vetveten tonë duke kërkuar ndryshime. Sa prej nesh ka dëgjuar dhe ka reaguar për këto fenomene? Duke filluar nga favorizimi, nepotizmi në institucionet tona, punësimi i personave me “libreza partiake”, si në kohën e komunizmit, kanosja e korrupsionit që “vlon” në çdo vrimë të shtetit e të shoqërisë sonë, që si duket kjo çështje tanimë është shndërruar në sëmundje fatmirësisht të diagnostifikuar por fatkeqësisht e pashërueshme. Dhe çfarë bëjmë ne? Përderisa janë prezente në mesin tonë dhe s’kemi bërë një hap para edhe përgjigja jonë mund të del se ne fatkeqësisht nuk po bëjmë asgjë.

Nëse nuk zgjohemi nga “gjumi”, si shoqëri, si shtet, e posaçërisht ne si të rinj dhe t’i bashkojmë forcat tona, arsenalin, potencialin tonë dhe t’i qasemi njëherë e përgjithmonë në ç’rrënjosjen e këtyre fenomeneve dhe dukurive negative, e rrezikojmë ardhmërinë tonë.
Duhet të jemi më tepër koshient se me indiferencën tonë ne po e dëmtojm vetën tonë. Në këtë kontekst, më së miri mund ta përkufizojë një thënie, e cila thotë: “Nëse nuk jeni pjesë e zgjidhjes, jeni pjesë e problemit.”

Rrjedhimisht, indiferenca rezulton në akumulim të problemeve dhe moszgjidhja dhe trashëgimi i të njejtave, nuk zgjidhen brenda natës. Problemet e tilla kanë filluar të kundërmojnë erë të keqe dhe prej kohësh “vuajnë” dhe kërkojnë shpirtëra revolucionar, shpirtëra të freskët, shpirtëra që kërkojnë ndryshime. E ku tjetër pos te rinia mund ta gjejsh atë shpirt?

Gjithsesi, duhet pranuar që gjendja faktike, e vërteta flet ndryshe dhe fajet për këtë i kemi vetë ne, sepse perspektiva jonë varet nga ne. Duke qenë indiferentë ndaj shtetit dhe vendit tonë, është e qartë se rrezikon të qeverisesh nga njerëz inferiorë, ashtu edhe siç thotë Platoni në thënien e tij: “Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.
Pra, le t’i lëshojmë valixhet tona nga dora dhe le t’i përvjelim mëngët tona, diturinë që e kemi ta investojmë në shtetin tonë dhe ta ndërtojmë atë për të ardhmen tonë.

Nëse gishtin për pasojat si rezultat i “politikës” që kanë zhvilluar paraardhësit tanë, i vuajmë ne sot, atëherë të jeni të vetëdijshëm që edhe pasardhësit tanë të njejtin gisht do ta drejtojnë nga ne.

“Shteti ideal”, sadoqë këndshëm tingëllon, mbi këto premisa shkatërrohet dhe nuk ndërtohet!
Në situatë të tillë, edhe “ardhmëria rozë” fatkeqësisht, edhe mëtutje mbetet utopike!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP