MJESHTRI I GËNJESHTRËS, I PREFERUARI I GRUEVSKIT!

Jeta në ish-Jugosllavi ishte e mbushur me zhvillime të vrullshme politike. Në ato vite njerëzit kalonin shumë kohë para televizorit dhe ndiqnin informacionet zyrtare duke sharë, herë ndër dhëmb e herë me zë, fytyrat që shfaqeshin të kollarisura e që flisnin për aksione të suksesshme, siguronin se çdo gjë ishte kryer me profesionalizëm dhe garantonin se nuk do lejojnë padrejtësi. Dhe populli i ndiqte me mosbesim, duke e ditur se ata e fshihnin të vërtetën, sepse ata kishin tradhëtuar interesat e popullit dhe e vërteta ua rrezikonte përfitimet nga pushteti!

Këto kujtime mu ngjallën ndërsa po ndiqja zëdhënësin e partisë shqiptare në pushtet, tek po rradhiste njëmijë gënjeshtra në ALSAT-M për operacionin për kapjen e të akuzuarve për krimin në Smilkovcë, i cili kishte shërbyer si ekspedite ndëshkuese për popullatën e pafajshme shqiptare. Dhe ndërsa Bujar Osmani me zë të ngrysur mundohej të na bind se kronikat në media për keqtrajtimin e të arrestuarve nuk ishin të vërteta, mua me dilnin para sysh skenat e njëjta me shqiptarët kukulla në pushtet gjatë kohës së komunizmit, që ngulnin këmbë se vetëm ajo që thonin ata ishte e vërtetë, ndërsa të gjithë të tjerët gënjenin!

Përderisa Zëdhënësi shpaloste politikën standarde të BDI-së që fillimisht bën rolin e strucit e pastaj atë të shpërlarjes së gojës – duke dënuar me fjalë të thata deklaratën e Jankullovskës (e cila i shpalli fajtor të akuzuarit pa asnjë vendim gjykate) – mendja më shkoi te deklarata e vet Bujar Osmanit, në gazetën “Zhurnal”, po ditën e aksionit, më 1 maj! Në këtë deklaratë për arrestimet e sapokryera të shqiptarëve, ai vet, si edhe Jankullovska (të cilën ai po e dënonte tani në emër të BDI-së), paragjykonte se vrarësit kishin qenë shqiptarë, duke nënkuptuar se të akuzuarit ishin fajtorë (edhepse pa asnjë vendim gjykate) (citoj) “shqiptarët … nuk mund të pranojnë përgjegjësi kolektive për vrasje fëmijësh, krim që nuk e mbajnë mend në historinë e tyre as në kohëra lufte …”!!!  http://zhurnal.mk/content/?id=125113481832  
Edhe më qyqar është qëndrimi i BDI-së, i shprehur nga Zëdhënësi i saj se, BDI do të kërkojë përgjegjësi nga Ministrja e brendshme, nëse vendimi i gjykatës nuk do të konfirmojë deklarimet e saj për fajësinë e të akuzuarve! Si duket BDI ende “nuk ka informacion” se Ministrja e brendshme me vet deklarimet e saj ka shkelur një prej parimeve bazë të sistemit juridik, atë të prezumimit të pafajësisë, dhe vetëm me këtë duhet të mbajë përgjegjësi, pa marrë parasysh vendimin e gjykatës!

Në argumentimet e tij Z. Osmani shpesh e ka zakon të tregojë një ngjarje të trilluar nga vet ai dhe pastaj ta shtjellojë atë e ta bëjë storje, sikur ajo të ishte e vërtetë. Megjithatë, kësaj rradhe, rrëfimi se në momentin e ezanit policët i kanë hequr prangat një të arrestuari, e kanë lënë atë të falet dhe pastaj e kanë prangosur sërish, dukej qartë se ishte komplet gënjeshtër personale e zëdhënësit të BDI-së për ta mashtruar opinionin, sepse atë po e tregonte zëdhënësi i partisë shqiptare në pushtet, ndërkohë që rrëfimet e të arrestuarve në media flisnin për dhunë dhe keqtrajtime! Rrëfime të tilla të montuara për gjoja dashamirësinë e policëve ndaj shqiptarëve kemi dëgjuar plot edhe në kohën e Millosheviqit dhe kjo e Bujarit nuk tingëllonte hiç më ndryshe!

Tek dëgjon zëdhënësin e BDI-së të thotë se “ka patur një rast të ushtrimit të dhunës dhe personat përgjegjës po identifikohen dhe do të marrin dënimin e merituar”, kujtesa të thotë se kjo nuk është rrena e tij e parë! Me 29.11.2010, Hasan Alija nga Hasanbegu i Shkupit u ankua se ishte rrahur nga punonjësit e sigurimit të parkingut të Klinikave në Shkup. Z. Osmani, atëherë Ministër i shëndetësisë, nuk vonoi të dalë në media dhe si gjithmonë të premtojë zbardhjen e plotë të rastit (citoj) “… ne deri në fund do ta çojmë këtë rast ta qartësojmë dhe zbardhim dhe ata të cilët kanë vepruar kështu të marrin dënimin e merituar.” http://alsat-m.tv/lajme/vendi/44340.html Dhe pasi Z. Osmani shpërlau gojën, nuk u dënua askush! Edhe pse deri tani kanë kaluar dy javë nga operacioni policor, ndryshe nga sa premtoi Bujar Osmani të hënën e kaluar, askush nuk është identifikuar e as nuk është ndëshkuar! Për fat të keq zëdhënësi i BDI-së e ka shëndërruar ‘PR’-in në përdorim gënjeshtrash, nisur nga parimi se koha i bën gënjeshtrat të harrohen!

Vetëm në këto muajt e fundit si zëdhënës i BDI-së ai është kapur disa herë në rrenë publike. A ju kujtohet rrena e zëdhënësit të BDI-së për mosshkurtimin e buxhetit të Sekretariatit për Euro-integrimet, të cilën e demantuan vet Ministria e financave dhe TV ALSAT-M?! http://alsat-m.tv/lajme/vendi/98310.html … Po rrena e tij lidhur me ligjin për noteri http://alsat-m.tv/lajme/vendi/106347.html , që të nesërmen e demantoi vet Ministri i drejtësisë?! … Po premtimi për emrat e shkollave në Çair http://alsat-m.tv/lajme/vendi/115995.html se do jenë të maqedonëve kur ato të Strumicës të jenë shqiptare?! … Po rrena që e demantoi Alsat-M, për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e vendit, që thirrej në një raport të Sekretariatit për realizimin e MO-së, të cilin nuk e kishte as ky sekretariat http://alsat-m.tv/lajme/vendi/125860.html?!

Ka shumë, nuk i zë vetëm një shkrim!!! Në fakt zëdhënësi i BDI-së është i njohur edhe për prezantimin e tij të rrejshme në opinion si kirurg, pa qenë fare i tillë,  meqë nuk ka mbaruar specializimin për kirurgji. 

Fjalori i zëdhënësit të BDI-së në vazhdimësi përmban fjalë të mëdha, por që në thelb e kanë gënjeshtrën; ai flet për analiza të detajuara … por të paqena; për përgjegjësi të madhe … por inekzistente; për vendime serioze … por për të cilat VMRO as nuk i pyet fare; për prioritete integrimi … por të dështuara pafundësisht dhe për politikë largpamëse, të cilën Prof. Agim Vinca e quan ‘politikë e madhe me kaçik të vogël’!

‘Ne kemi bërë një analizë kronologjike të çdo dite nga 12 prilli deri më sot për të analizuar çdo sekuencë të ndodhive …” … “ … ne kemi qenë të informuar sekondë për sekondë gjatë çdo ngjarje …” u shpreh së fundmi Zëdhënësi i BDI-së duke krijuar përshtypje për një angazhim maksimal dhe kontroll të detajuar të situatës. Por vetëm 48 orë më vonë, zbulimi se Haki Haziri mbahet në burg, ndërkohë që Bujar Osmani thoshte se ai fshihet vet dhe nuk mbahet në asnjë institucion shtetëror tregon se këta njerëz nuk ja kanë haberin dhe nuk i pyet askush për asgjë që ndodh në vend, ndërkohë që fjalët e mëdha të tyre në publik janë vetëm gënjeshtra dhe rrena dhe rrena dhe gënjeshtra për politika të madha!

Kulmi i pafytyrësisë ishte shkuarja e Z. Osmanit tek familja Haziri dhe mashtrimi i tyre i sërishëm, pasi u kuptua se ajo që Z. Osmani kishte deklaruar për rastin Haziri kishte dalur rrenë e plotë! Tani Bujari nuk ishte shfaqur dy ditë, duke planifikuar mashtrimin e rradhës. Dhe lajmi në ALSAT-M, thoshte se (citoj): “Familjes Haziri zëdhënësi i partisë  së Ahmetit Bujar Osmani i ka sqaruar se qëndrimi i tij publik për rastin e Haki Hazirit ka qenë në drejtim të mospublikimit të informacionit zyrtar se Hakiu është dëshmitar i mbrojtur deri në atë moment, dhe është deklaruar kështu me qëllim për të mbrojtur Hakiun dhe familjen e tij.”
O pikë e zezë, Bujari tani po luante sikur i kishte ditur të gjitha. O turp e faqe e zezë, po a mendon ai se të tjerët nuk e dinë se ai në asnjë variant nuk ka pasur fare dijeni për Haki Hazirin, meqë të dhënat për dëshmitarët e mbrojtur i mbajnë vetëm pak zyrtarë të policisë që merren me rastin dhe ato asnjëherë dhe në asnjë vend nuk ju jepen zëdhënësve të partive dhe këtu Bujari nuk ka patur asgjë se çka të mbrojë!

Nga ana tjetër, ka dyshime seriose se Hakiu nuk është mbajtur as si dëshmitar i mbrojtur, sepse dëshmitar i mbrojtur është një person për të cilin për shkaqe sigurie mbahet i fshehtë identiteti i tij dhe/ose vendndodhja e tij, por asnjëherë nuk mund të mbahet e fshehtë nëse ai është gjallë apo jo, duke e konsideruar si person, fati i të cilit nuk dihet! Një dëshmitar i mbrojtur është i tillë në përputhje me vullnetin e vet, por nëse ai nuk e di se ku ndodhet, si në rastin e Haki Hazirit, kjo vë në dyshim vullnetin e tij gjatë mbajtjes dhe vet arsyetimin se është mbajtur si dëshmitar i mbrojtur! 

Nëse e dëgjon me kujdes, marrëzirat e Zëdhënësit të BDI-së nuk kanë fund. Ja disa prej tyre gjatë intervistës së të hënës së kaluar në ALSAT-M: 
Z. Osmani tha: “… ne kemi komunikim të përditshëm me strukturat tona në Ministrinë e punëve të brendshme …”! – Për cilat struktura flet zëdhënësi i BDI-së, kur dihet se ligji e ndalon mbajtjen e strukturave partiake në këtë ministri?!
Zëdhënësi i partisë që për 10 vjet i gënjen ish-luftëtarët e UÇK-së, duke i garantuar se do ua zgjidh statusin, tha se partia e tij tani garanton se nuk do të ketë montim të procesit! E si garanton BDI se nuk do të ketë montim të procesit kur nga ana tjetër po vet ajo në disa raste të tjera ka deklaruara se gjykatat janë të pavarura?! Si do ndërhyjë BDI?! Ai gënjeu edhe se gjoja kur ata kanë qenë në pushtet nuk paskan lejuar asnjë proces të montuar. Po Vreshtat e Rashtakut edhe arrestimi dhe dënimi për rastin e Sopotit që ndodhën gjatë qenjës së BDI-së në pushtet çka ishin?! Në fakt njolla e tyre më e madhe është ekzekutimi pa gjyq i njërit prej themeluesve të UÇK-së, Harun Aliut, për vrasjen e të cilit BDI bëri rolin e strucit, duke mos kërkuar as një hetim të paravarur, ndërkohë që pamjet e transmetuara tregonin për një ekzekutim në pritë!

E vërteta në pohimin e vazhdueshëm të Z. Osmani se BDI ka konsistencë në qëndrimet e veta, qëndron në dështimin si konsistencë e vazhdueshme e politikës së saj, e pasuar me gënjestrën si mjet i vetëm i mbetur në dispozicion për të mbuluar këtë dështim si konsistencë veprimi. 
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani u mundua të na bind se është shumë normale që njerëzve tu futen në shtëpi policët në mes të natës, në një aksion me 800 policë, t’ju vendosen prangat, të paraqiten para kamerave si monstrum dhe pastaj si pa të keq pas 48 orësh të lëshohen të lirë. Kjo ndodhi me 13 persona, prej të cilëve katër femra dhe këtë Bujar Osmani e paraqiti si veprim shumë profesional ndërsa Sekretari i përgjithshëm i BDI-së në emisionin ‘Rruga drejt’ u arsyetua se këta mund të jenë persona që mund të japin informata!!! –Me 800 policë të armatosur deri në dhëmb? – Në mes të natës? – Me pranga në duar? – A kështu mblidhen informatat nga njerëzit?!

Zëdhënësi i BDI-së që tha se kanë qenë të informuar për çdo detaj, nuk tha asgjë se ciilët janë terroristët që paskan luftuar kundër NATO-s dhe vendeve perendimore në Afganistan dhe Pakistan? …  Apo, se pse duhej që në xhirimet e shkurtra nga arrestimet e policisë të tregoheshin fotografitë e ushtarëve të UÇK-së si materiale terroriste dhe jo armët e kapura? … Kush gënjen, njerëzit e thjeshtë që deklarojnë në media se janë keqtrajtuar apo zëdhënësi i partisë shqiptarë në pushtet?!

Kështu ndodh kur përfaqësuesit e shqiptarëve janë të kapur nga interesat e tyre. Zëdhënësi i BDI-së njihet edhe si ish-ministri që rrinte gjithë ditën me mobil në dorë duke e njoftuar Kryeministrin Gruevski me sms për çdo gjë që ndodhte. Për më tepër Gruevski, në kohën e formimit të qeverisë aktuale, ja pat propozuar Ahmetit atë për ministër të mbrojtjes, pasi nuk ishte dakord që atë post ta mbante një ish-luftëtar i UÇK-së. Zëdhënësi i BDI-së, për të cilin shokët e tij thonë se pak vite më parë hante xhevrek me jogurt, tani pasi ka bërë ca para i ka hyrë biznesit duke hapur kafene dhe në vend të xhevrekut me jogurt pin viski dhe puro. Zëdhënësi i BDI-së është shqiptari i parë dhe i vetëm, për punësimin ose transferimin e të cilit në vend të ri pune ka ndërhyrë Kryeministri Gruevski! Sipas fjalëve të vet Z. Osmani treguar shokëve të tij, meqë Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale për tetë muaj nuk e kishte pranuar kërkesën e tij që të trasnferohet nga Spitali i Qytetit në Shkup për në Klinikë, ai i kishte telefonuar Kryeministrit që të ndërhynte dhe Drejtori i Klinikës në fjalë kishte nënshkruar vetëm pas ndërhyrjes së Kryeministrit Gruevski!  

Mbase prandaj për zëdhënësin e BDI-së është normale dhe profesionale që 800 policë të trokasin nëpër dyer të shtëpive në mes të natës “për të marrë në pyetje” njerëz të pafajshëm, për tua vendosur prangat në duar edhe nënave dhe motrave, për t’i quajtur monstrumë, për t’i dërguar në stacione policie dhe pastaj pas 48 orësh për t’i liruar! Është normale sepse ai është i sigurtë se nuk do t’i trokasin në derën e tij!

Autori është zëdhënës i Rilindjes Demokratike Shqiptare.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button