Junker refuzoi të përgjigjet nëse është e arsyeshme kërkesa e Greqisë që Maqedonia ta ndërrojë Kushtetutën

Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, pas kthimit nga turneu në Ballkanin  Perëndimor, për Euronews, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk kryen trysni ndaj Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, njofton Portalb.mk.

“Trysnia nuk është mjet i cili duhet ta përdorim. I inkurajojmë Greqinë dhe IRJ Maqedoninë që të gjejnë zgjidhje për çështjen e emrit, janë të angazhuar në bisedime, ne nuk duhet të intervenojmë”, thotë Junker.

Ai refuzoi të përgjigjet në pyetje gazetareske për atë nëse është e arsyeshme kërkesa e Greqisë, që Maqedonia ta ndërrojë Kushtetutën e saj.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Çeshtja e emrit, Maqedoni - Greqi

Çeshtja e emrit, Maqedoni – Greqi, ilustrim

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Mesazh i qeshur nga Brukseli: Ecni përpara, por mbaroni punën me Greqinë që të shpërbleheni

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button