Breth: OSBE ndjek nga afër hetimet, gjykata duhet ta zbardhë rastin

OSBE-ja po e ndjek nga afër hetimin për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovcë, madje mban kontakte të rregullta me qeverinë apo autoritete të tjera. Kështu deklaroi ambasadori i OSBE-së në Shkup Ralf Breth i cili mbajti një ligjëratë në Universitetin Shtetëror të Tetovës mbi rolin e OSBE-së në Maqedoni.

Breth tha se tani e ka radhën policia dhe gjykata që të vlerësojnë faktet që kanë mbledhur. 
“Ne patjetër që i ndjekim këto zhvillime, dhe informohemi nga qeveria, por ne nuk jemi pjesë e këtij procesi hetimor. Ne mendojmë se tani, policia dhe drejtësia duhet të bëjnë punën e tyre ku çdo gjë që është mbledhur duhet të evaluohet dhe kushdo që mund të ndihmojë këtë hetim, duhet ta bëjë atë patjetër.

Me kalimin e kohës gjërat do zënë vendin e duhur dhe gjykata do të bëjë punën, por normalisht, autoritetet duhet të jenë transparente që qytetarët të kuptojnë se çfarë po ndodhë. E përsëris edhe një herë, se procesi do të marrë pak kohë dhe nuk ka arsye të spekulohet apo t’i hidhet benzinë zjarrit. Autoriteteve t’u lihet kohë të bëjnë punën e tyre’, tha Ralf Breth, ambasador i OSBE-së në Maqedoni. 

Breth foli dhe për protestat e fundit duke theksuar se ato janë e drejtë legjitime e qytetarëve por ato nuk duhet të shoqërohen me akte dhune, apo me parulla që dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe krijojnë antagonizma në shoqëri. 
Ai theksoi se OSBE I ka ndjekur nga afër protestat e realizuara në shtatë qytete të Maqedonisë.

“Protestat janë e drejtë e çdo shoqërie, por duhet të nënvizojë dy gjëra. Protestat nuk duhet të jenë të dhunshme në asnjë mënyrë, pra kjo është një ndër elementet kryesorë… Inkurajojmë qytetarët të mos i përdorin protestat për të nxitur tensione të reja me hedhje sloganesh apo temash që antagonizojnë sërish shoqërinë’, tha Ralf Breth, ambasador i OSBE-së në Maqedoni.  / Portalb


Lajme të ngjashme

Back to top button