Guta Lindore, 674 civilë të vrarë gjatë 12 ditëve të fundit

Në sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit ndaj Gutës Lindore, të cilën e mban nën rrethim për 5 vite, gjatë 12 ditëve të fundit jetën e kanë humbur 674 civilë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të qendrës së Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore, në sulmet gjatë periudhës 19-28 shkurt të regjimit të Asadit dhe të Rusisë ndaj Gutës Lindore jetën e kanë humbur 666 persona, përfshirë 127 fëmijë, 95 gra dhe 2 zyrtarë të Mbrojtjes Civile.

Në bombardime janë plagosur 2.278 persona nga të cilët 658 fëmijë, 540 gra dhe 7 zyrtarë të Mbrojtjes Civile.

Gratë dhe fëmijët në Gutën Lindore zakonisht banojnë në strehimoret dhe bodrumet e shtëpive kurse meshkujt detyrohen të dalin nga shtëpitë për të siguruar mbijetesën e familjeve.

– Janë hedhur mijëra bomba

Forcat e regjimit sirian dhe mbështetësit e tyre gjatë 10 ditëve kryen 917 goditje nga ajri ndaj Gutës Lindore.

Regjimi dhe mbështetësit gjatë periudhës së njëjtë kanë marrë në objektiv Gutën Lindore me 459 predha nga toka në tokë, 284 bomba fuçi, 172 bomba termobarike, 15 municione thërrmuese, 3.879 raketa dhe 3.357 sulme artilerike.

Mbrojtja Civile ka bërë të ditur se 8 civilë e kanë humbur jetën nga bombardimet gjatë ditës së djeshme ndaj Gutës Lindore.

Me këtë, numri i civilëve të cilët e kanë humbur jetën gjatë 12 ditëve të fundit në rajon është rritur në 674.

Me projekt-rezolutën e miratuar nga Këshili i Sigurimit të OKB-së, më 24 shkurt u vendos që të ketë të paktën një muaj armëpushim humanitar për dërgimin e ndihmave humanitare në Siri dhe për evakuimin e personave të sëmurë dhe të plagosur rëndë në Gutën Lindore, që mbetet nën rrethimin e regjimit sirian.

Në vendim kërkohet dërgimi në mënyrë të “sigurtë, pa pengesë dhe të vazhdueshme” i ndihmave humanitare në të gjithë Sirinë dhe ndalimi për të paktën 30 ditë i konflikteve “pa vonesë” nga të gjitha palët për evakuimin e “të sëmurëve dhe të plagosurve rëndë”.

Në Gutën Lindore jetojnë rreth 400 mijë civilë. Ky rajon në marrëveshjen në Astana u shpall zonë e deeskalimit të përleshjeve. Përskaj kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vendi garantues i të cilit është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar intensifikuan rrethimin ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.

Kriza humanitare në Gutën Lindore nga dita në ditë është duke u përkeqësuar ndërsa mijëra civilëve u nevojitet evakuim. Shumica e civilëve të cilët duhet të evakuohen urgjentisht përbëhen nga fëmijë dhe persona të sëmurë nga kanceri. Përveç kësaj, shumë fëmijë në Gutën Lindore kanë vdekur si pasojë e urisë dhe mungesës së ilaçeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button