Tabela e autostradës “Prijatelstvo” nuk është në gjuhën shqipe, deklarohet Qeveria e Maqedonisë

Pas heqjes së tabelës rrugore në autostradën Shkup – Selanik, për shkak të ndërrimit të emrit nga “Aleksandër Makedonski” në “Prijatelstvo” (Miqësia) është vendosur tabelë e re. Ajo çfarë ra në sy ishte se tabela ishte shkruajtur në gjuhën maqedonase dhe angleze, kurse jo edhe në gjuhën shqipe. Portalb.mk, kontaktoi Qeverinë e Maqedonisë për të marrë prononcim, nga atje thanë se vendosja e tabelës në gjuhën shqipe nuk parashihet me ligj.

“Tabela nuk është vendosur edhe në gjuhën shqipe pasi që ajo nuk parashihet me ligj”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë.

Paragrafi 3, i Nenit 188 të ligjit të sigurisë në komunikacionin rrugor në gjuhën maqedonase

Sipas paragrafit 3, të Nenit 188 të ligjit të sigurisë në komunikacionin rrugor, thuhet se: “Shenjat rrugore të informimit dhe tabelat plotësuese të cilat janë pjesë përbërëse të shenjave të komunikacionit dhe të cilat më afër e përcaktojnë rëndësinë e shenjës së komunikacionit, janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik dhe në gjuhën angleze dhe franceze dhe shkrimin e tyre, kurse në rrugët e vetëqeverisjes lokale ku më së paku 20% e qytetarëve e flasin gjuhë zyrtare të ndryshëm nga gjuha maqedonase dhe në shkrimin e tij”.

Në Maqedoni tash për tash nuk inciativë për ndryshimin e ligjit të sigurisë në komunikacionin rrugor me anë të së cilit do të parashihej përdorimi i gjuhës shqipe edhe në autostradat jashtë qytetit të Shkupit.

“Në tabelat do të shkruhet shqip vetëm në tabelat që do të vendosen në territorin e Shkupit”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Përndryshe, nëntëmbëdhjetë tabela rrugore me emrin e tanishëm të autostradës “Aleksandër Makedonski” do të zëvendësohen me emrin e ri “Prijatelstvo” (Miqësia), pasi që pas publikimit në “Gazetën Zyrtare” hyn në fuqi vendimi qeveritar për riemërimin e autostradës të  Korridori 10 dhe të aeroportit të Shkupit.

“Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore e ka marrë vendimin për riemërimin e autostradës “Aleksandër Makedonski” dhe do të punojë për realizimin e saj. Do të ndryshohen 19 tabela”, deklaroi ditë më parë, Zoran Kitanov.

Ndryshe, vendosja e tabelës së re në autostradën Shkup – Selanik vjen pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për riemërimin e autostradës dhe aeroportit ku edhe u hoqën mbishkrimi “Aleksandri i Madh” nga aeroporti i Shkupit dhe tabelat rrugore, të cilat janë pjesë e ndryshimeve që duhet t’i bëjë Maqedonia për zgjidhjen e çështjes së emrit Maqedoni – Greqi për integrim në NATO dhe BE.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Çeshtja e emrit, Maqedoni - Greqi

Çeshtja e emrit, Maqedoni – Greqi, ilustrim

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button