KËNGËTARI I DASHURISË

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Ai është, pa dyshim, njëri prej zërave më të veçantë të romantizmit shqiptar.

I lindur në Strigar të Kalabrisë, në mesin e arbëreshëve krenarë, që, edhe pas aq shekujsh shpërnguljeje të dhunshme e mbanin të gjallë kujtimin e të parëve, bashkë me shpresën se një ditë do të kthehen  atje ku toka buzëqesh përplot me lule…, Zef Serembe pati për udhërrëfyes krijimtarinë e pasur gojore, nëpërmjet së cilës arbëreshët shpërfaqnin para botës shpirtin fisnik.

Ky shterg i Rilindjes erdhi në letërsi në kohë vlimesh të mëdha, atëherë kur nisi beteja për hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar, që vuri në lëvizje edhe arbëreshët. Këto rrethana përndezën atdhedashurinë e çiltër të poetit të interesuar për atë që ndodhte përtej Adriatikut.

Serembe jetoi në kushte të mjerueshme, në kufi të ekzistencës fizike, por ia doli të njohë vlerat letrare shqiptare të asaj periudhe, madje u bë studiues i tyre. U angazhua edhe për alfabetin e përbashkët të Shqipes, duke u bërë zëdhënës i bashkimit të kombit.

Shkroi shqip e italisht dhe, që me gjallje, dëshmoi se është lirik i lindur. U këndoi me zjarr dy mollëve të ndaluara, dy dashurive të papërjetuara – atdheut të të parëve dhe vashës së mallit të parë…

Lirikat atdhetare të Serembes janë në vazhdën e asaj që krijuan rilindasit tanë, të shpërndarë gjithandej kolonive të Evropës e të Azisë. Përmes tyre Serembe angazhohej fuqishëm për zgjidhje revolucionare të çështjes shqiptare, që, më në fund, e Mira t’mugullojë pa pranga.

Janë të njohura vargjet me antiteza të rralla që shpërfaqin dramën e njerëzve të mbetur pa atdhe, dhembjen e gjymtyrës së shkëputur dhunshëm nga trungu: Zogj të bukur këndojnë me hare, / po zëmra do më plasë mua në gji…, sepse: Arbëria matanë detit na kujton / se ne të huaj jemi te ky dhe…

Heronjtë e tij lirikë, janë të ngjashëm me ata të poetëve të tjerë arbëreshë, gjithnjë të rreshtuar anti pushteteve satrape dhe në mbrojtje të lirisë së njeriut të vogël. Ai besonte në lirinë që po afrohej dhe vetëm e priste momentin: …kur veriu të fryjë atje / dhe shqiptarët do t’i zgjojë / të ndezin luftën e re…

Kohët e mëvonshme dëshmuan se Serembe kishte pasur të drejtë. Ai e sugjeroi me saktësi udhën më të sigurt të fitimit të lirisë dhe mëkëmbjes së dinjitetit, udhën që, ndoshta, akoma nuk e ka gjetur cakun e vet.

Ideali tjetër i Serembes qe dashuria ndaj më të bukurës në Strigar, të cilën nuk e shijoi kurrë. Notat e para të kësaj dashurie të pastër i gjejmë te Kënga e mallit të parë, ku, veç zjarrit zhuritës të shpirtit, shpaloi bukurinë e virgjër të natyrës dhe jetën e fshatarëve arbëreshë. Në këtë ambient idilik ai e pësoi goditjen e parë dhe të fundit të shigjetës së Amorit, goditjen e befasishme të bukurisë që do t’ia mbajë përjetësisht peng zemrën dhe shpirtin e ndjeshëm: …kur e vrejta, kur e pashë, / “sa e bukur”! sakaq thashë, / që ahere s’pat pushim / ky i mjeri shpirti im…

Pas valëve të haresë shpirtërore, që gjetën vend në shumë poezi të Serembes, pasuan vargjet e ngrysura, përplot përgjërime e dhembje, po vasha nuk i përgjigjet dashurisë dhe s’ia vë veshin: …eja, vashë dhe gëzomë, / tash që kam kaq drithërime, / dhe më këngë qetësomë / nga të thellat llaftarime…

Është kjo koha kur dashuria e poetit ka shtegëtuar në Brazilin e largët, kur jeta e tij qe bërë ferr. Por dashnori i flaktë nuk dorëzohet dhe niset për te vasha, i bindur se dashuria nuk vdes kurrë, sepse të dashuruarit edhe: nëse i ndan vdekja me ato gërshërë, / ngrihet kujtimi në këmbë e rri mbi varr…

Dhembja e mallit të njëanshëm që ndjente ndaj vashës, më pas dhe tmerri që i shkaktoi vdekja e saj në Brazil, u përkeqësuan prej fatkeqësive të tjera që e ndoqën këmba-këmbës: varfëria e skajshme, humbja e poezive dhe shënimeve të shumta që i merrte kudo me vete. Këto makthe bënë që shenjë mbrojtëse e poezisë së Serembes të jetë bashkëjetesa e shpresës për jetë dhe ideja e përhumbjes.

Serembeja është cilësuar si krijues novator, që e freskoi poezinë romantike me forma dhe ndjesi të reja. Vargun e tij me rrënjë në folklorin e pasur arbëresh ai e gërshetoi me elementet e reja të poezisë evropiane të kohës, që për arbëreshët nuk qe e panjohur.

Thënë shkurt: Serembeja qe njëri prej kolosëve të Rilindjes që e ktheu poezinë n’atdheun e mirëfilltë të saj – në brigjet e Epirit, aty ku e gjeti gjeniu francez Lamartini.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

One thought on “KËNGËTARI I DASHURISË

  1. edhe vete teksti yt Fatmir poetik ka dal’.
    kur keshtu shkruan per shkrimtaret, kushedi si ligjeron per ta, para studenteve me fat qe kane profesore ne plotkuptimin e fjales.
    Nje fakultet serioz ku japin mesim ata qe jane te afte per kete, plus edhe vete krijojne.
    e kam nje ide per emision nga arsimi qe e mendoj te jete efektiv si permbajtje dhe mesazh
    te emetohen ligjerata gjysemoreshe, jo me shusme, te profesoreve universitare kryesisht te shkencave humanitare
    ti degjojme live edhe doktor profesoret ne plotekuptimin e fjales, por edhe te tjeret, mjeranet qe bejne sikur i mesojne studentet
    sa me pak i merituar titulli aq me shume kane qejf ta theksojne publikisht, sigurisht edhe ti vete e ke spikatur kete dell qesharak;
    p.sh jorastesisht kolumnistet ketu qe jane profesore te adhuruar nga studentet nuk theksojne titujt e vet poshte emrit se ky lloj provincializmi praktikohet vetem ne rrethe te prapambetura.
    Tash “miku im i vjeter, ti miku im i ri…” po ta rilexoj tekstin per Seremben se teksti i mire nuk mjaftohet me nje te lexuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP