Ikja e Qoses

Këto ditë do të mbahen mend pasi që janë ditët e dislokimit të përmendoreve problematike në Maqedoni. Ditët kur me disa hapa duhet të përmirësohen disa nga gabimet më të dukshme të pushtetit të kaluar në këtë vend. U vendosën natën këto përmendore, dhe po natën po zhvendosen. Dislokimi i tyre është një simbolikë e fuqishme që tregon çlirimin e ngadalshëm nga kthetrat e një regjimi që e pa të arsyeshme që në hyrje të kompleksit të gjykatave të vendosë përmendoren e një mercenari që ka shërbyer si vrasës i paskrupullt me pagesë, që partia ua ka dërguar atyre që kanë menduar ndyshe dhe mospajtimin e tyre e kanë paguar shtrenjtë. Përmendorja e Andon Lazov Janev – Qoses para gjykatave kishte pikërisht këtë qëllim, frikësimin simbolik të gjyqtarëve, kërcënimin e përditshëm të tyre se në rast të devijimit nga “rruga e duhur” do të ballafaqohen me kamën e Qoses që haptazi shihej tek përmendorja si pjesa kryesore sculptures së bronzit.

Qoseja u bë koncept në gjyqësinë e Maqedonisë, koncept nga i cili do të duhet shumë mund për t’u çliruar, shumë më tepër mund se sa dislokimi fizik i skulpturës së papërshtatshme. Eliminimi i Qoses nga psika e gjyqtarit të këtij vendi nuk do të jetë i lehtë dhe nuk do të ndodhë menjëherë: shumë gjyqatrë duhet të çlirohen nga frika që në ndërdijene tyre e kanë ndaj pushtetit ekzekutiv, ndërsa disa prej gjyqtarëve duhet të çlirohen nga mendimi se ata vetë janë Qose dhe si të tillë duhet të jenë të frikshëm dhe kërcënues ndaj kolegëve të tyre. Ky proces i eliminimit mental të Qoses do të jetë shumë më i vështirë se sa eliminimi fizik i tij dhe ende nuk dihet a do të ketë sukses. Çlirimi i gjyqësorit nga qosellëku do të jetë arritja më e madhe e vendit, do të jetë shenjë e qartë që liria e vërtetë është e mundur.

Qoseja iku por la zëvendësit e tij pas vehtes. La si kryetar të Këshillit Gjyqësor Karaxhovskin, i cili i shërbeu me përkushtim me vite të tëra pushtetit që gjyqësinë e shihte nën prizmin e Qoses. Pas tij mbeti edhe Vangelovski të udhëheqë ende me Gjykatën Supreme. Personi i cili në mënyrë direkte bëri të mundur që personit në arrati t’i anulohet paraburgimi dhe me këtë kontribuoji që edhd dy persona tjerë të ndjekur nga PSP të arratisen, qëndron ende me plot fuqi si kryetar i gjykatës më të lartë në vend dhe thjeshtë nuk ndjen as pikën më të vogël të përgjegjësisë morale për të dhënë dorëheqje pas këtye skandaleve. Gjyqatrët e gjyqtaret që i dëgjuam në bisedat e përgjuara se si janë bërë gjyqtare, nga të cilat gjyqësia e këtij vendi e mori emrin e turpshëm Gjyqësi Swarovski, vazhdojnë të gjykojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë, dhe sjellin vendime në lëndët e PSP ku i dënojnë të akuzuarit me dënime simbolike me kusht, për evasion fiskal të përmasave të konsiderueshme për një ekonomi të varfër si ajo e Maqedonisë. Në kushte të tilla duket qartë që zhvendosja e mirëfilltë e Qoses do kohë për të ndodhur, kohë, dhe shumë vullnet dhe përkrahje që drejtësia në këtë vend përfundimisht të funksionojë.

Dhe drejtësia patjetër të funksionojë në të gjitha rastet, edhe tek rasti i vrasjes së Almirit. Gjyqësia e një vendi duhet të jetë garantuesi kryesor i të drejtave fundamentale të njerut. Çdo person dhe çdo familje duhet të ndjejë që pikërisht gjyqësori si institucion shtetëror është mbrojtës dhe garantues i të drejtës së jetës. Pa mbrojtje efikase të kësaj të drejte, është e kotë të flitet për çfarëdo gjëje tjetër.

E drejta e jetës mbrohet duke siguruar hetim të shpejtë, efikas dhe transparent të rasteve kur dikush ka humbur jetën. Ky është obligimi kryesor procedural i shtetit lidhur me mbrojtjen e të drejtës së jetës. Dita ditës dalin informata që vendosin dyshim mbi mënyrën si është realizuar hetimi në rastin e vrasjes së Almirit. Dyshimet e tilla ngjallin mosbesim tek gjykata dhe provokojnë ndjenjën e padrejtësisë gjatë gjykimit. Kur e gjithë kjo kombinohet me tone etnike, gjërat duken keq, shumë keq.

Rasti i Almirit është një shembull eklatant i një rasti keq të menaxhuar nga organet gjyqësore për disa arsye. E para, dashja për të kryer një vepër është vështirë e provueshme, prandaj hetimi i shpejtë efikas dhe transparent është vendimtar për atë se çfarë provash mblidhen, gjë që e përcakton kualifikimin e veprës penale në momentin e ngritjes së aktakuzës. E dyta, në raste të tilla senzitive, është shumë me rendësi se çfarë raporti krijon prokuroria me familjen e viktimës. Ajo duhet të takojë familjen e victimës, t’i sqarojë çdo detal rreth procedurës penale që është në zhvilim, t’ia sqarojë hapat e mëtejshëm dhe arsyet eventuale kur nuk arrin të sigurojë sa duhet prova për të vërtetuar paramendimin. Qasja e izolimit të familjes së viktimës dhe veprimit pa informimin e saj dhe në kundërshtim me interesat e saj është shumë problematike dhe e papranueshme. E treta, ky rast nxori në pah edhe një herë që viktima në sistemin tone të procedurës penle nuk është sa duhet e mbrojtur, sepse fati i saj lidhet ngushtë me veprimin e prokurorisë. Kur prokuroria tërhiqet nga aktakuza ose vendos ta ndryshojë atë, viktimës nuk i mbetet asnjë mundësi veprimi përveç se të drejtohet deri tek prokurori i shkallës së dytë. Kjo tregon që viktima në këto raste nuk e ka mbrojtjen e duhur gjyqësore të të drejtave të saj, një lëshim të cilin ligjvënësi duhet urgjentisht ta përmirësojë.

Për këto arsye dhe për shumë raste të tjera që nuk e kanë publicitetin e rastit të Almirit, gjyqësia e këtij vendi duhet të reformohet, ta zhdukë Qosen brenda vehtes, dhe jo vetëm ta dislokojë atë nga parku para kompleksit të gjykatave. Suksesi do të vijë në momentin kur Qoseja i padukshëm do të dalë nga pjesa e brednshme e gjykatës, kur vetë gjyqtarët do të arrijnë që shpirtërisht të çlirohen prej tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button