Konfederata e kokëtrashëve

Secila gjeneratë me filmat e vet. Skenarë përafërsisht të njëjtë, regjisorë e aktorë tjerë, publik i frikësuar, i ulur në terr dhe i obsesionuar me pamjet para vetes, i pavetëdijshëm për hajdutin e vogël që ia trazon xhepat. Nëse kohërat dhe veprat e LSDM-së ishin të shënuara me luftën heroike kundër Shqipërisë së Madhe, blockbuster-i i sotëm djathtist është padyshim një cover Hantingtonian i Davidit të vogël maqedonas në mbrojtje të Evropës nga islamizmi. Shfaqje profitabile të cilat arrijnë ta largojnë vëmendjen e shikuesit, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, prej mjerimit personal, duke i dhënë kuptim vuajtjes së tij që megjithatë e tërë kjo sakrificë personale dhe familjare ka ndonjë qëllim më të lartë.  

Kështu, nuk kalon asnjë muaj pa i përkujtuar ndonjë polic kujdestar shqiptarët për nevojën e përcaktimit civilizues mes Lindjes dhe Perëndimit, duke harruar që në sytë e disa të tjerëve rajoni ynë qëmoti është vendosur në kategorinë e Orientit, i përcaktuar sipas mënyrës së jetesës ose zgjidhjes së problemeve. 

Këtyre ditëve kishim mundësi të lexojmë një prej këtyre diatribave ku interpretuesit e vetëshpallur të rolit të Xhorxh Uashingtonit në mënyrë euforike pohojnë që ka ardhur koha e së vërtetës. “Le të bien maskat më në fund!” klithi politikani i ri, i pavetëdijshëm që këto maska kanë rënë qëmoti dhe veshët e gomarit qëndrojnë me krenari mbi kokat tona. Problemi qëndron aty që më nuk ka kush të na e thotë këtë. 

Pasardhësit e vetëshpallur ballkanikë të Xhorxh Uashingtonit janë mjaft të aftë, së paku deri tani, në shtrembërimin e tezave, duke na shërbyer vazhdimisht argumente të mjera të sulmeve si mbrojtja më e mirë para realitetit gjithnjë më të vrazhdë të politikës tërësisht të gabuar. Sulme të cilat nuk janë inspiruar prej motiveve etnike apo fetare, por prej profiterizmit banal partiak për një grusht votash të votuesve të vet të manipuluar. Duke shkruar prej kompjuterëve partiakë, prapavijat e të cilëve janë të zbukuruara me fotografi të ambasadorëve të shndërruar në majmunë dhe të ambasadave të djegura, kryqmbajtësi i ri sulmon e nuk jep përgjigje: pse Arabia e njëjtë Saudite është aleati më i afërt ushtarako-ekonomik i SHBA-ve; pse Shqipëria është anëtare e NATO-s e jo Maqedonia; pse ushtarë prej Shqipërisë (të besimit islam) para pak kohësh e humbën jetën në luftën kundër talebanëve në Afganistan; pse përfaqësues të lartë të SHBA-ve e vizitojnë Shqipërinë dhe e anashkalojnë Maqedoninë; pse sulmet më të ashpra ndaj atyre që mbanin flamuj arabë erdhën prej Kosovës, Shqipërisë dhe vetë shqiptarëve në Maqedoni; pse gjimnazi më i vjetër shqiptar në Shkup e mban emrin e Zef Lush Markut; pse një politikë kuazi demo-kristiane me vite i kundërvihej vënies së përmendoreve të të krishterëve shqiptarë në Shkup; pse jo shqiptarët, por Serbia ortodokse është partneri më i afërt i Iranit mysliman në rajon, e njëjta Serbi me të cilën para pak kohësh nënshkruam marrëveshje për bashkëpunim policor?

Politikani i ri mendon që e fsheh dinakërinë e kartës fituese – myslimanët janë bileta jonë për hyrje në Perëndim. Por, pikërisht në këtë maskë fshihen veshët e gomarit të qasjes sonë të tërësishme orientale ndaj politikës, ekonomisë dhe sigurisë. 

Ekziston një përvijëzim i qartë mes asaj që quhet politikë dhe siguri. E para duron akrobacione të llojllojshme, verbale apo mediale, për profiterizëm afatshkurtër. Por, e dyta bazohet në fakte dhe dëshmi të thata, të zhveshura prej paragjykimeve apo emocioneve. Fatkeqësisht, me diatribën e vet, politikani i ri vetëm e vërtetoi manipulimin e tërësishëm dhe afatgjatë profiterik të sigurisë për qëllime politike, dhe çmimi që mund ta paguajmë për këtë mund të jetë mjaft i lartë dhe i hidhur. Sa për përkujtim, raporti i tillë ndaj sigurisë në mënyrë të pakëndshme na e përkujton rastin “Curveball” nga Iraku, në të cilin një person shërbente të dhëna të rrejshme për shkak të arritjes së një qëllimi të caktuar. Me të vërtetë, a është e mundshme që një garniturë e tërë politike të jetë aq e mjerë në imagjinatën e vet që ta konsiderojë tërë sistemin perëndimor të sigurisë aq të trashë që të mund ta manipulojë atë? Për këto arsye, konsideroj që është e përshtatshme të parashtrohet edhe një pyetje – a është qasja e këtillë politikisht fleksibile ndaj sigurisë një argument në favor të anëtarësimit tonë në NATO, apo është një ilustrim i papjekurisë sonë institucionale për anëtarësim në të? Sido që të jetë, Antonio Milloshoski ka të drejtë – “në shoqëritë me politikanë të dobët, të gjithë janë politikanë”. 

Prandaj, duke gjykuar në bazë të zgjedhjes së aktorëve, skena jonë politike dhe mediale në masë të madhe gjithnjë më tepër po i përngjan (jo)heroit Ignacius Xh. Rajlli nga libri i hatashëm i Xhon Kenedi Tulit “Konfederata e kokëtrashëve”. Ekscentrikë, të paaftë për punë efektive, të shkyçur nga realiteti, të inspiruar prej filozofive mesjetare, mbijetojmë nën vërshimin e iluzioneve grandomane si kontrapunkt i irelevancës sonë esenciale.    

Po të ishte ndryshe, do të gjendej së paku një politikan shqiptar që këtyre ditëve do të përpiqej ta shohë anën tjetër të pamjes së prezantuar prej kolegut të përmendur maqedonas dhe do të pyetej publikisht – e pse personat e ndezur nga religjioni (besimtarët e krishterë dhe myslimanë edhe ashtu nuk protestojnë, për shkak se janë të virtytshëm dhe kanë një vështrim tjetër mbi botën) heshtin para korrupsionit të tërësishëm në pjesën shqiptare të shoqërisë; pse ata nuk u mblodhën së paku për një protestë të vogël kundër politikës së Iranit apo Pakistanit për mosnjohje të Kosovës, edhe pse deklarohen dhe krenohen si “mbrojtës” të vetëshpallur të të drejtave të myslimanëve; pse universitetet e caktuara shqiptare sot janë një hije e vlerave në krahasim me gjimnazin “Zef Lush Marku” dikur; pse ekziston një diskriminim i tillë brenda-shqiptar dhe një urrejtje e tillë provinciale ndaj Shkupit dhe Kumanovës; pse me një numër aq të madh të personave religjiozë kemi rrugë aq të papastra dhe kaos urbanistik në Çair; pse tolerojmë ministra të mjerë në tryezën e të cilëve lirisht mund ta ulni edhe vetë Çarls Mensonin; pse partitë politike shqiptare tolerojnë klane biznes-islamiste në radhët e veta; pse nuk i pyesin politikanët e tyre çfarë është kjo politikë verbale properëndimore e cila i eliminon të gjithë politikanët e rinj të cilët çmohen lart pikërisht prej përfaqësuesve perëndimorë?

Athua është rastësi trajtimi i Ermira Mehmetit-Devajës dhe i Mirushe Hoxhës, që të dyja zonja shkupjane, urbane, elokuente, të arsimuara, të pëlqyera nga opinioni publik? Që të dyja prej familjeve të njohura, të respektuara, baballarët e të cilave dhe intelektualë të shquar – Amir Mehmeti, Mehmedali Hoxha – kanë vuajtur burg për shkak të kauzës shqiptare gjatë kohë para se kjo kauzë të përmendet publikisht, aq me shum duke mos thënë asnjë fjalë ankese qëkur kauza shqiptare u bë fjalëkalim për secilën krijesë gjysmë-analfabete politike. Që të dyja heshtazi të hequra anash, në mënyrë cinike e të vrazhdë, nga ana e atyre të cilët betohen në Evropën, në vlerat, në arsimin, në barazinë. Pikërisht në personalitetin e këtyre dy femrave të reja dhe në raportin e dy udhëheqësive ndaj tyre pasqyrohet kalbja e psikës dhe urrejtjes provinciale ndaj krejt asaj që është urbane, bashkëkohore, me mendje të lirë, mbi kurrizin e tyre thyhet konflikti mes dinakërisë fshatare dhe transparencës urbane. 

Kuptohet, të mëdhenjtë do të japin arsyetime ngushëlluese, krejt me ton të rrejshëm, kuazi-mbrojtës maçoist që “i ruajmë për diçka më të mirë ose për kohë më të mira”, por e vërteta është një, e pamëshirshme dhe e pamposhtur. Arsyeja e vërtetë për largimin e tyre është që të dy zonjat nuk janë të korruptuara dhe as nuk dinë, e as nuk duan të sjellin para për partinë, nuk kanë bazë të rrugaçëve të mëhallave, kuazi-patriotëve ose organizatave të rrejshme joqeveritare, nuk janë populiste dhe nuk janë të gatshme ta luajnë rolin e mizave të urta intelektuale rreth prijësve të tyre. 

Baza e Ermirës dhe e Mirushes është megjithatë pak më e ndryshme – studentë, intelektualë të rinj, djem e vajza që te ato shohin model dhe shpresë, vërtetim që është OK të jesh e re, e suksesshme, e pavarur, krenare dhe e paepur, bazë e ardhmërisë urbane, e jo e kasabës së fjetur ballkanike. Për ta kuptuar cili është modeli i dëshiruar i politikanit të ri për udhëheqësit shqiptarë, mjafton të shihet se kë po na e ofrojnë dy partitë si zëvendësim për dy shkupjanet. Krejt sipas modelit “pesë për qind më i mençur se shoferi dhe pesë për qind më pak inteligjent se bodigardi”. Ç’të bëjsh – e pafund është frika qyqare ballkanike prej urtësisë femërore. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button