21-vjeçarja shqiptare në faqet e revistës prestigjioze, Vogue

Piktore e talentuar dhe stiliste në ekspansion, Okiana Mikeli është botuar në faqet e Vogue Italia, të muajit maj, si fituese e vulës më të mirë për firmën Alcantara.

Gara u organizua nga Alcantara, që është edhe emri i një prej tekstileve më të preferuara dhe që përdoret nga markat më të njohura të modës italiane dhe revistës Vogue, për projektin e zbulimit të talenteve të reja në fushwn e modws “Who is on the next”.
Stampa do të publikohet në librin e mostrave të Alcantara dhe me të do të prodhohet një tekstil i veçantë që do të përdoret nga stilistë të ndryshëm për sfilatën e manifestimit
AltaRoma – AltaModa që do të zhvillohet në muajin korrik në kryeqytetin italian.
Në tekstin e botuar në gazetën, Vogue, shkruhet:
“Okiana Mikeli, fituesja më e re e projektit, 21 vjeç ka lindur në Tiranë, Shqipëri, por jeton në Romë dhe studjon për stiliste në Akademia Altieri. Është entuziaste për këtë projekt që e konsideron një mundësi unike për të bërë të njohur punën e saj krijuese.
Okiana Mikeli shprehet për Vogue, se, “ për të realizuar stampën time u frymwzova nga fluturat dhe dekoracionet azteke/prekolumbiane. Kam shkrirë në një figurë natyralizmin dhe vizatimet gjeometrike të aztekeve, duke i vendosur njëra mbi tjetrën në një konstruksion simetrik në gjithë modulin. Harmoni dhe tension drejt pavdekësisë.
Moda,- shprehet Mikeli, “është një konceptim personal estetik që arrin shprehjen e saj më të lartë në krijmin artistik. Nuk është e rastit që unë jam edhe piktore.“
Ndërkohë, në muajin mars të këtij viti, Okiana Mikeli, ishte e përzgjedhur me portretin “Ofelia“ në projeksionin e madh në vitrinat e “Printemps“ në Paris, me vepra të zgjedhura nga fotografi i mirënjohur anglez, Nick Knight për firmën, Paco Rabanne.
Okiana është edhe një piktore e talentuar me një pjesëmarrje të gjerë në galeritë e qytetit të përjetshëm, por edhe në mbarë Italinë dhe në vende të tjera të botës. Është fituesja e disa çmimeve të kritikës në Romë, Gjenovë, Piaçence, Firence, si dhe në Bratislavë dhe Bruksel. Veprat e saj janë të botuara dhe në periodikët dhe anuaret e pikturës italiane.

Lajme të ngjashme

Back to top button