Qeveria e publikoi shpalljen për shitjen e “Mercedesit” luksoz

Prej sot dhe në dhjetë ditët e ardhshme, të gjithë të interesuarit, persona fizik apo juridik, të vendit ose të jashtmit mund të dorëzojnë fletparaqitje te Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë për pjesëmarrje në ankand publik për veturën “Mercedes-Benz C 600”, transmeton Portalb.mk.

Çmimi fillestar është 14.372.208 denarë dhe është përcaktuar në bazë të vlerësimit të bërë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Byrosë së Ekpertizave Gjyqësore, ndërsa shpallja është publikuar në botimet e sotme të gazetave “Nova Makedonija”, “Slloboden Peçat” dhe “Koha”.

“Seriozitetin e ofertës të interesuarit e garantojnë me dorëzimin e garancisë bankare në shumë dy për qind nga vlera e veturës, gjegjësisht 287.444 denarë”, deklaroi drejtori i Shërbimit, Pece Mirçevski në konferencën e sotme për shtyp.

Ai theksoi se kusht shtesë për personat fizik është që të jenë të aftë për biznes, të mos jetë i gjykuar për pjesëmarrje në ndonjë organizatë kriminele, korrupsion, mashtrim apo larje parash dhe t’i kenë paguar të gjitha taksat dhe kontributet për shtetin. Personat juridik gjithashtu, të dorëzojnë gjendjen aktuale si dhe vërtetim se nuk u është shqiptuar dënim për ndalesë e përkohshme ose e vazhdueshme për kryerjen e veprimtarisë.

“Personat e interesuar do të mund ta shohin veturën me 7 mars prej orës 10 deri 15 në adresën bulevardi “Goce Dellçev” në garazhin e objektit të RTVM-së. Pas skadimit të afatit për dorëzim të ofertave me 12 mars Komisioni do të ketë afat tre ditë për vlerësimin e ofertave, ndërsa ankandi publik do të përfundojë me 16 mars në orën 10 nëpërmjet ankandit elektronik në faqen e internetit të Ministrisë së Financave. Ofruesi i cili do të dorëzojë ofertë më të favorshme në afat prej 15 ditëve nga marrja e njoftimit për zgjedhje do të duhet ta dërgojë shumën e parave nëpërmjet llogarisë bankare në Maqedoni ku do të bëhet marrëveshje në afat prej pesë ditë pune për pagesën përfundimtare. Nëse blerësi nuk e paguan shumën e plotë, marrëveshja nuk do të bëhet, ndërsa garancia bankare do të jetë aktive”, tha Mirçevski.

Informata shtesë të interesuarit mund të gjejnë në adresën elektronike  [email protected].

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button