SHKENCA E JOVANËVE

Jovani merret me histori. Mbiemri i tij është Deretiq. Ai i përket “shkollës autoktone serbe”. Ka shkruar libra voluminozë për historinë e popullit serb. Ai shfaqet nëpër emisione, ku flet për “historinë e lavdishme serbe”. Merr pjesë nëpër konferenca shkencore, që organizohen nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë dhe diskuton rreth “problemeve metodologjike për origjinën e shqiptarëve”.

Jovani thotë se shqiptarët kanë ardhur në Ballkan nga Kaukazi; se serbët janë populli më autokton në botë; se ilirët, trakët, dakët, gjermanët, suedezët, janë serbë; se Leka i Madh është serb; se shkrimi serb është më i vjetri në Europë; se serbët triumfuan në Betejën e Kosovës; se serbët e kanë Zeusin e tyre, që quhet Serbon; se janë popull hyjnor; se e kanë krijuar letërsinë antike; se përmenden në librat e shenjtë; se Shën Mëria dhe Jezusi janë serbë. Pastaj: një lum epitetesh për despotët serbë dhe një lum fyerjesh për “të tjerët”.

Jovani dhe bashkëmendimtarët e tij, me akrobacione gjuhësore, çdo emër e nxjerrin me origjinë serbe. Ata shpesh thirren në mitologji. Në Ballkan mitologjia bëhet histori dhe historia degjeneron në historicizëm. Kjo “ngatërresë” bëhet për qëllime politike.

Ka edhe jovanë shqiptarë, që e përdorin këtë “metodologji studimore” dhe shumëfishojnë marrëzira nëpër portale patriotike. Ata botojnë “studime” mbi gjuhën pellazge. I barazojnë figurat mitologjike me figurat historike. Personazhet e veprave antike i quajnë heronj ilirë e pellazgë. Ka dallim: jovanët shqiptarë nuk merren seriozisht, kurse jovanët serbë ndikuan dhe ndikojnë në politikën shtetërore serbe.

Shumë “studime” jovanësh serbë vazhdojnë të shërbejnë si “referenca shkencore”. Një adhurues i jovanësh e botoi një libër mbi qytetërimin 800 mijë vjeçar maqedonas! Një tjetër Jovan, me mbiemrin Trifunovski, botoi libra ku shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës i quan “ardhacakë”. Librat ia botoi Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencave. Idhulli i Jovan Trifunovskit, që në një libër, flet për “karakterin serb të maqedonasve”, ishte Jovani me mbiemrin Cvijiq, i cili i konsideronte si serbë edhe boshnjakët, kroatët, malazezët dhe maqedonasit. “Studimet” e Cvijiqit u përdorën nga politika shoviniste gjatë zgjerimit të shtetit serb në “tokat e reja”. Cvijiqi e trajtoi gjuhën maqedonase si pjesë të serbishtes. Dhe sërish adhurohet nga studiuesit maqedonas, për shkak të qëndrimit të njëjtë ndaj shqiptarëve.

Ka edhe Jovanë të tjerë. Historiani Jovan Pejin, adhuruesi i çetnikut Drazha Mihajloviq, njihet për qëndrimet shoviniste. Ai është kroatofob dhe albanofob. Ish – drejtori i Arkivit Historik të Serbisë shkaktoi skandal kur tha se kroatët ishin “serbë katolikë” dhe ishin “populli më gjenocidal e më primitiv në Europë”. As ky nuk i harron shqiptarët, që i quan zullumqarë, plaçkitës, islamistë, fise.

Këta jovanë serbëve ua sforcuan vetëdijen mitike. E dimë përse dhe e dimë se çfarë ndodhi pastaj. Për shkak të jovanëve, që i gjejmë në politikë, diplomaci, kisha e media, ndodhën shumë kasaphana.

Fatmirësisht, bota shkencore shqiptare nuk i merr seriozisht “studiuesit” shqiptarë të këtij kallëpi, edhe pse atyre shkrimet u pëlqehen dhe u shumëfishohen. Shqiptarët kanë shkencëtarë përmasash europiane. Mjafton ta përmendim Eqrem Çabejin, të cilin e kontestojnë jovanët shqiptarë, që mendojnë se gjithçka mund të shpjegohet me “akrobacione gjuhësore”. Me kësi “shkence” të duartroket provinca, por të qesh bota.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button