Joseph Dioguardi: Në Maqedoni feja islame shfrytëzohet kundër shqiptarëve

Ish Senatori Amerikan dhe kryetari i Ligës qytetare shqiptaro-Amerikane Joseph Dioguardi, në një intervistë për Televizionin lokal Koha në Tetovë tha se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni shkelen për çdo ditë ndërsa kjo situatë nuk duhet ndryshuar me dhunë por me mençuri.

“Qeveria sllave e Maqedonisë është treguar shumë e mençur në këtë rast, duke i nxitur në njëfarë mënyre fundamentalistët islamikë, që unë nuk e di se kush janë, bile mund të mos jenë edhe shqiptarë që të futen në këto demonstrata, që të duket sikur shqiptarët nuk kanë legjitimet, si grup demokratik dhe si një pakicë shumë, shumë e madhe në Maqedoni, pa të drejtën e tyre. Duhet ta luftojmë këtë gjë, duke e thënë të vërtetën. E vërteta është se ka pothuajse 40 përqind ndoshta 35 përqind shqiptarë, në fakt nuk e dimë se sa janë për shkak se regjistrimi asnjëherë nuk është mbikëqyrur nga autoritet përkatëse ndërkombëtare, kështu që nuk e dimë saktë se sa shqiptarë jetojnë në Maqedoni. Po edhe sikur të jenë një e treta, 33 përqind shihni se sa shqiptarë janë të punësuar në institucionet shtetërore, më pak se 10 përqind. Kur unë isha atje, në vitin 1992, kishte më pak se 2 përqind të punësuar. Njerëzit duhet të besojnë në Zot ashtu siç dëshirojnë, por tani feja islame shfrytëzohet kundër shqiptarëve, për shkak të veprave mizore të vehabistëve nga Arabia Saudite, që erdhën këtu për t’i sulmuar kullat binjake më 11 shtator 2001.” deklaroi kryetari i LQSHA. 

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit e cila sipas tij nuk është implementuar. 

“E dimë se Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar dhe duket sikur sllavo maqedonasit nuk e kanë ndërmend ta implementojnë atë. Ata duan t’i largojnë shqiptarët prej trojeve të tyre, ashtu siç u përpoq Millosheviqi në Kosovë. Ata e dinë se nuk do ta kenë një mundësi të tillë, sepse shqiptarët nuk do t’i lënë trojet e tyre, prandaj do të përpiqen t’i asimilojnë ata”, thotë Dioguardi në intervistën e tij të dhënë për televizionin lokal Tv KOHA në Tetovë. 

Ai rekomandoi shqiptarët të protestojnë me simbolet e tyre kombëtare.

”Është me rëndësi për shqiptarët që të dalin në rrugë me flamuj kombëtarë, me flamurin e SHBA-ve, dhe duhet të brohorisin, ashtu siç bënë në Kosovë, USA, USA, USA, dhe duhet ta mbajnë simbolin kombëtar, kësulën e bardhë. Pse jo. Le ta dijnë njerëzit se ata janë shqiptarë, e jo vehabistë nga Arabia Saudite. Po ashtu nuk duhet të ketë dhunë” ka thënë Joseph Dioguardi. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button