Italia do të ndihmojë derisa Kosova të hyjë në BE

Ministri Agim Çeku dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati, pritën të hënën ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Giampaolo Di Paola.

Ministri Di Paola deklaroi se Italia do të vazhdojë të jetë prezente në Kosovë dhe të ndihmojë Kosovën edhe më tej deri sa ajo dhe i tërë Ballkani të integrohen në Bashkimin Evropian.

“Këtë rrugëtim do ta bëjmë së bashku. Sikur deri më tash edhe në të ardhmen Kosova mund të llogarisë në ndihmën e Italisë”, tha ministri italian.

Ministri Çeku me këtë rast e njoftoi homologun e tij, me zhvillimin e FSK-së, me të arriturat, me objektivat, me vizionin e zhvillimit dhe me sfidat që po përballet FSK-së.

Pas takimit ministri i FSK-së deklaroi se ka marrë mbështetje nga ministri Di Paola për agjendën e Kosovës për bashkëpunimin rajonal si edhe për agjendën e Kosovës për në NATO.

Ministri Çeku shprehu besimin për mbështetje pikërisht bazuar në autoritetin e admiralit Di Paola si njohës i mirë i zhvillimeve në FSK dhe Kosovë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button