Rohan: ‘Ahtisaari’ të zbatohet edhe në veri

Albert Rohan, ish-zëvendës kryenegociatorin për statusin e Kosovës, tha të hënën se Kosovës ka shënuar përparime në fusha të ndryshme, porse ajo duhet të ndërmarrë hapa të nevojshëm në zbatimin e plotë të Planit Ahtisaari, në veçanti në tri komunat në veri të Kosovës, për përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë.

Diplomati austriak, Rohan, edhe njëherë shprehu bindjen e tij që shteti i Kosovës është një storie suksesi dhe se e ardhmja e Kosovës, siç tha ai, pa asnjë dyshim do të jetë anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ish i dërguari i posaçëm për statusin e Kosovës, Rohan, i bëri këto komente në Prishtinë në takime të ndara që zhvilloi me presidente Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Ai u shpreh i kënaqur me punën që është bërë në Kosovë, dhe shprehu bindjen e tij që fundi i këtij viti do të gjejë Kosovën me një proces të përmbylljes së suksesshme të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Në takimin Jahjaga-Rohan u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset e integrimit nëpër të cilat po kalon vendi, marrëdhëniet ndërfqinjësore në rajon dhe ato me BE-në, si dhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe për angazhimin e e diplomatit austriak në grupin “Miqtë e Kosovës”.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po shënon përparim në proceset integruese dhe se me marrjen e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës dhe BE-ja kanë hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ajo tha se Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar që garanton të drejtat e barabarta për qytetarët e të gjitha komuniteteve.

Edhe kryeministri Thaçi e ka njoftuar ambasadorin me punën që po e bën Qeveria e Republikës së Kosovës në përmbushjen e standardeve evropiane të integrimit, duke shprehur bindjen se Republika e Kosovës ka të ardhme të sigurt në strukturat euro-atlantike. /telegrafi


Lajme të ngjashme

Back to top button