Irani s’e respekton armëpushimin në tërë Sirinë

Irani ka thënë se sulmet kundër “terroristëve”, jashtë Damaskut, do të vazhdojnë, mirëpo Teherani dhe qeveria siriane do të respektojnë armëpushimin 30-ditor të OKB-së, në pjesën tjetër të territorit të Sirisë.

Shefi i stafit të ushtrisë iraniane, gjenerali, Mohammad Baqeri, është cituar të ketë thënë sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, se Irani dhe Siria do të veprojnë në përputhshmëri me rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Disa pjesë në periferi të Damaskut, të cilat kontrollohen nga terroristët, nuk janë të përfshira në armëpushim andaj operacioni i pastrimit do të vazhdojë atje”, është cituar të ketë thënë Baqeri, raporton Radio Evropa e Lirë.

Dëshmitarët dhe monitoruesit kanë thënë se dhuna është pakësuar dukshëm në zonat afër Damaskut, pas arritjes së marrëveshjes.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, ka thënë se forcat qeveritare kanë kryer sulme të reja në Gutën Lindore më 25 shkurt, mirëpo nuk është raportuar për viktima, prej arritjes së marrëveshjes.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të zhvillojnë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me zbatimin e armëpushimit 30-ditor në Siri, ka njoftuar presidenca franceze.

Bisedimet, që pritet të zhvillohen me telefon janë njoftuar pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka votuar më 24 shkurt në mënyrë unanime për një armëpushim në Siri.

Zyra e Macronit ka thënë se diskutimet do të fokusohen në zbatimin e rezolutës dhe rrugën politike që duhet ndjekur në mënyrë që të arrihet një paqe afatgjatë në Siri.

Në mesin e raportimeve për luftime të vazhdueshme, shefi i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje të gjitha palëve më 24 shkurt, që të zbatojnë “menjëherë” armëpushimin.

Një zëdhënës i OKB-së, e ka cituar Guterresin, të ketë thënë se armëpushimi i menjëhershëm është i nevojshëm, “”veçanërisht për të siguruar shpërndarjen e sigurt dhe të papenguar të ndihmave dhe shërbimeve humanitare, evakuimin e të sëmurëve dhe të plagosurve në mënyrë kritike si dhe zvogëlimin e vuajtjeve të popullit sirian”.

Është raportuar se sponsorët e kësaj rezolute, Kuvajti dhe Suedia kanë ndryshuar tekstin e dokumentit për të siguruar mbështetjen ruse.

Moska është aleate kyçe e presidentit sirian, Bashar-al Assad dhe ka fuqinë e përdorimit të vetos në Këshillin e Sigurimit.

Macron dhe Merkel i kanë bërë thirrje Putinit më 23 shkurt të mbështesë propozimin për armëpushim.

Sipas aktivistëve, forcat e qeverisë siriane kanë vrarë më shumë se 500 civilë gjatë një jave, në bombardimet intensive në këtë rajon, që gjendet afër Damaskut.

Turqia ka thënë se ka mirëpritur rezolutën për armëpushim, mirëpo ka thënë se ushtria e saj do të vazhdojë të luftojë “organizatat terroriste”, të cilat kërcënojnë integritetin territorial të Sirisë.

Muajin e kaluar Turqia ka nisur një operacion ushtarak në tokë dhe ajër në rajonin Afrin në veri të Sirisë, që kontrollohet nga kurdët.

Zëdhënësi i OBB-së, ka thënë se Guterres u ka rikujtuar të gjitha palëve për “obligimin e tyre absolut” për të mbrojtur civilët.

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom, i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters, se ne “pranojmë që armëpushimi mund të zgjasë disa orë derisa të zbatohet plotësisht, mirëpo duhet të vazhdojmë presionin sepse zbatimi i saj është çelësi tani”.

OKB ka deklaruar se afro 400,000 persona jetojnë në këtë rajon, të cilët gjenden nën rrethim qeveritar për më shumë se katër vite.

Në një deklaratë për media në Shtëpinë e Bardhë më 23 shkurt, presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar Rusinë, Iranin dhe qeverinë siriane duke thënë se ata janë përgjegjës për “turpin humanitar” në Siri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button