Irani, Arabia Saudite, Rusia, SHBA dhe Turqia: Çfarë po ndodh realisht me luftën e Sirisë?

Në luftën e Sirisë janë përfshirë shumë vende të tjera – jo vetëm regjimi i Assadit dhe kundërshtarët e tij. Interesa të tyre kanë edhe Irani, Arabia Saudite, Rusia, SHBA, shkruan Dojçe Vele.

Irani: Mbështetësi më i madh i Assadit

Regjimi jofetar i Sirisë dhe toekracia iraniane në parim nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Por pikërisht Teherani e ka shpëtuar presidentin e Sirisë Baschar al-Assad nga rrëzimi. Të paktën deri në ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në vjeshtën e vitit 2015, Irani ka qenë partneri më i rëndësishëm ushtarak i regjimit të Assadit. Teherani ka dërguar para, armë, informacione sekrete, këshilltarë ushtarakë dhe trupa në Siri. Ato trupa janë pjesë e Gardës Revolucionare, milicëve shiitë dhe Hezbollahut.

Tendosjet fetare i hapin hapësirë Iranit që të paraqitet atje si mbrojtës i shiitëve. Ndryshe aleanca e regjimit të Assadit me Iranin bazohet tek tri synime kryesore: dëshira për uljen e ndikimit amerikan në Lindjen e Mesme, dobësimin e Izralit e më herët ka qenë edhe kufizimi i ndikimit të regjimit irakian në kohën e Saddam Husseinit. Ndërkohë të dy vendet janë edhe kundërshtare të Arabisë Saudite. Në aspektin rajonal, Siria është për Iranin një hallkë e rëndësishme për lidhje me Libanin.

Rusia: Shpëtimi i Asadit

Kur Assadi ishte me shpatulla pas muri, ishte Rusia ajo që e shpëtoi. Rusia i nisi mww 2015 aksionet ushtarake në mbështetje të regjimit të Assadit. Qëllimi zyrtar i Rusisë: lufta kundër terrorizmit. Faktikisht nuk është sulmuar vetëm “Shteti Islamik” (IS), por edhe shumë kundërshtarë të tjerë të Assadit.

Por Moska nuk është e interesuar vetëm për mbështetjen e Assadit. Pas izolimit të Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin ka dashur që ta rikthejë vendin e vet në skenën ndërkombëtare – dhe e arriti me sukses. Edhe Assadi ka përfituar nga kjo ndërhyjre. Presidenti i Sirisë e ka rimarrww pushtetin në pjesën më të madhe të vendit. Rusia i ka arritur sukseset më të mëdha ushtarake në Aleppo dhe Palmyra. Por Kremlini është kritikuar shpesh edhe për krime lufte ndaj civilëve në zonat e luftës.

Arabia Saudite kundërshtare e Iranit

Arabia  Saudite është shqetësuar për shkak të rritjes së influencës së Iranit në këtë rajon, që nga lufta e Irakut në vitin 2003. Riadi shqetësohet edhe për shkak të afërsisë mes Damaskut dhe Teheranit.

Prej fillimit të kryengritjeve në vitin 2011, Arabia Saudite ka mbështetur opozitën në Siri. Qëllimi: rrëzimi i Assadit dhe marrja e pushtetit nga opozita. Në këtë kuadër janë furnizuar me armë dhe para grupe të ndryshme xhihadiste.

Tuqia: Dikur mik e tani armik

Turqia me veprimet e saja të njëanshme dhe në veçanti presidenti Recep Tayyip Erdogan, kanë pasur nga mesi i vitit 2000 raporte të shkëlqyeshme me regjimin e Assadit. Ata kanë publikuar madje edhe fotografi nga pushime të përbashkëta në Detin Mesdhe.

Me shpërthimin e luftës qytetare në Siri, Turqia është pozicionuar kundër regjimit të Assadit dhe e ka mbështetur opozitën. Nëpër territorin e Turqisë kanë kaluar shumë armë dhe luftëtarë, që kanë shkuar në Siri, shpesh edhe xhihadistë dhe luftëtarë të IS. Ndërkohë duket se Turqia duket se ka një qëllim kryesor – të evitojë krijimin e territoreve të lira kurde në zonën e afërt kufitare me Turqinë – ndonëse këtu është në konflikt me partnerin në NATO – SHBA.

Përveç kësaj, Erdogani do që të ketë një fjalë vendimtare për rregullimin shtetëror të Sirisë pas luftës. Ky është një prej qëllimeve të ndërhyrjes ushtarake përtej kufirit. Projeksionet turke kanë për qëllim që Turqia të bëhet një fuqi hegjemoniste në Lindjen e Mesme.

Izraeli: Armiku gjendet në Teheran

Shqetësimi më i madh i Izraelit në luftën e Sirisë është prezenca e Gardës iraniane dhe milicëve të afërt me Teheranin në Siri. Izraeli ka frikë në radhë të parë se milicët e Hezbolllahut do të pozicionohen dhe fuqizohen në Golan, në zonën kufitare mes Sirisë dhe Izralit dhe prej atje mund të godasë territoret izraelite me raketa. Prej atje ndaj Izraelit janë nisur prej vitit 2011 rreth 100 sulme dhe ka pasur shumë autokolona me armë.

SHBA: Pa plan

Mësimet nga dështimet e ndërhyrjes ushtarake në Irak dhe Libi, dhe hezitimet e ish-presidentit Barack Obama e kanë dobësuar pozitën amerikane në këtë rajon. Kur Assadi në vitin 2012 ishte buzë humbjes, Obama ka refuzuar një angazhim më të fuqishëm atje, ndonëse ka kritikuar ashpër sjelljen e Assadit. Në vend të SHBA ndërhyri Rusia dhe e mbështeti Assadin.

Hezituese është edhe politika e Donald Trumpit. Qëllimet e tij janë shkatërrimi i IS dhe dobësimi i influencës së Iranit. Ndaj prezenca amerikane kufizohet në angazhimin e njësive speciale dhe disa sulme ajrore. Në këtë mënyrë SHBA është përfshirë në këtë luftë, pa pasur ndonjë rol vërtet të rëndësishëm. Ofensiva më e re turke kundër kurdëve ka shkaktuar dilema në SHBA, sepse Turqia është një partner i rëndësishëm në NATO. Uashingtoni njëkohësisht i sheh milicët kurdë si partner të rëndësishëm në luftën kundër IS.

Gjermania: Ndihmat

Qeveria gjermane ka theksuar në të kaluarën gjithnjë se angazhohet për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Siri, por pa presidentin Assad. Së fundi zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert u ka bërë thirrje Rusisë dhe Iranit që të ushtrojnë ndikimin e tyre. “Pa mbështetjen e këtyre partnerëve, regjimi i Assadit nuk do të ishte  atje ku është sot”.

Ushtarakisht Gjermania nuk është përfshirë në konfliktin e Sirisë dhe nuk paraqet lojtar tepër të fuqishëm në rajon. Ndonëse avionët gjermanë mbështesin aksionet për zbulimin e pozicioneve të IS. Avionët gjermanë kanë flutuar së pari nga Turqia, e pas tërheqjes së Bundesverit nga Incirliku, tani fluturojnë nga Jordania.

Përveç kësaj Bundesveri mbështet në veri të Irakut kurdët, që luftojnë kundër IS. Gjermania ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Por së fundi ka pasur debate të shumta për shkak të dërgimit të tankeve gjermane Leopard në Turqi, të cilat përdoren tani nga Erdogani kundër kurdëve në Siri.

Franca: Macroni kërkon zgjidhje politike

Franca ka një rol të rëndësishëm atje. Fillimisht ka dërguar pajisje mjekësore për kryengritësit në Siri e më pas edhe armë. Në fund të shtatorit të vitit 2015, Franca ka zgjeruar sulmet ushtarake kundër trupave të IS, pas sulmeve terroriste në Paris, në nëntor të vitit 2015.

Prioritetet e Francës në Siri, sipas pohimeve në Paris, janë përmirësimi i gjendjes humanitare në Siri, lufta kundër terrirozmit dhe rifillimi i negociatave të paqes. Presidenti Emmanuel Macron në veçanti angazhohet për këto negociata. Macroni vitin e kaluar ka shpallur se Franca nuk kërkon domosdoshëmrisht rrëzimin e regjimit të Assadit për vazhdimin e negociatave paqësore.

Para një jave presidenti francez ka kërcënuar me sulme ushtarake, në qoftë se dëshmohet se atje po përdoren armë kimike kundër civilë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button