SHBA mban “presionin në maksimum” ndaj Koresë së Veriut

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka deklaruar se SHBA-të do të vazhdojnë fushatën e tyre për të vendosur “presionin në maksimum” ndaj Koresë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

E shoqëruar nga një delegacion amerikan në Olimpiadën Dimërore në Korenë e Jugut, Sanders foli për mediat. Komentet e saj erdhën vetëm disa orë pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, zbuloi sanksionet e vendit të tij “më të rënda ndonjëherë” kundër Koresë së Veriut.

Masat e fundit synojnë dhjetëra kompani të transportit dhe anije në përpjekje për t’u siguruar që Pyongyang të mos mund t’i shmang hapat e mëhershme ndëshkuese që synojnë të pengojnë zhvillimin e fshehtë të regjimit autoritar të armëve bërthamore.

“Unë mund t’ju them se presidenti nuk do të bëjë gabimet që administrata e kaluar i ka bërë apo të jetë i butë ose i dobët”, theksoi Sanders mbi komentet e bëra nga agjencia lokale e lajmeve Yonhap.

Vajza e presidentit Trump, Ivanka, është duke udhëhequr delegacionin amerikan, i cili do të qëndrojë në Korenë e Jugut për ceremoninë e mbylljes së “PyeongChang 2018”, që do të mbahet ditën e nesërme.

Në lidhje me spekulimet nëse ajo do të zhvillojë ndonjë dialog me zyrtarët e Koresë së Veriut që janë në vizitë në Korenë e Jugut, përfshirë anëtarin e lartë të partisë në pushtet, Kim Yong-chol, Sanders u përgjigj se, “Tani për tani, nuk ka asgjë të planifikuar”.

Yong-chol është një figurë e diskutueshme i konsideruar si përgjegjës për dy sulme në vitin 2010 që morën jetën e 50 personave në Korenë e Jugut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP