Delegacioni i madh i Bashkimit Evropan zbret në Shkup, cila është porosia?

Pas njoftimit se gjatë ditës së diel pritet që në Shkup të vijnë kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, bashkë me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federika Mogerini dhe komesarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, njohësit e çështjeve të politikës së jashtme vlerësojnë se kjo vizitë pritet të jetë mjaft pozitive.

Ish diplomati, Alajdin Demiri thotë për Portalb.mk se pas bikmeve të shpeshta mes kryeministrave dhe ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, tani e ka radhën diplomacia e madhe boëtrore të jep përkrahje për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Pas vizitave të shpeshta dhe kontakteve të shpeshta mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe dy ministrave të punëve të jashtme të po këtyre dy shteteve, tani radhën e ka diplomacia e madhe botërore, të cilën e filloi Merkel me takimet që i realizoi me Zaev dhe Cipras. Si duket puna është e kryer dhe ardhja e këtyre tregon se duan të marrin pjesë në zgjidhjen e këtij kontesti dhe të japin mbështetje si Greqisë ashtu edhe Maqedonisë dhe më e rëndësishmja është se do të ketë premtime konkrete, qoftë në sferën ekonomike, integrimeve, e kështu me radhë”, tha për Portalb, Demiti.

Gjithashtu ish ambasadori, Nano Ruzhin tha për Portalb.mk se përveç punëve të jashtme, ky takim do të ketë ndikim edhe në punët e brendshme, pasi që do të hulumtohet se deri ku janë reformat e rekomanduara nga Pribe.

“Vizita e treshes nënkupton përkrahje të dialogut dhe sa më shpejtë të gjendet kompromis për emrin dhe kështu të afrohen proceset e anëtarësimit në NATO dhe BE, e dyta ngase përveç euro deputetëve vijnë edhe deputet pritet të ndikohet në pjesën e brendshme dhe të jashtme. Të brendshme, të shikohet deri ku është arritur me reformat të cilat ishin pjesë e Pribe-së, dhe e treta të dërgohet mesazh subjekteve politike të brendshme që duhet të gjendet konsensus për gjendjet me rëndësi, shteti ka interes të përbashkët. D.m.th. do të insistohet në politikën e jashtme dhe përshpejtimin e proceseve pozitive të çështjes së emrit dhe në politikën e brendshme gjithashtu për përshpejtimin e reformave, sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, ngase jemi më së keqi të ranguar në Ballkan, të ketë liri të shprehjes dhe të plotësohen të gjitha reformat e kërkuara nga BE. Mendoj se këta më shumë vijnë në një takim pozitiv dhe mbështetës sesa për të na tërhequr vërejtjen ose për të na dënuar”, tha për Portalb.mk, Ruzhin.

Ndërkaq tani për tani është e ditur që do të kenë takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe me presidentin, Gjorge Ivanov, por nuk përjashtohet mundësia për takime tjera.

Për pritjet nga vizita e Junker, kryeministri Zaev tha se edhe një herë pret inkurajim dhe motivim serioz për përfundim të reformave.

“Për ne kjo është inkurajim, do të thotë motivacion serioz, t’i përfundojmë reformat në pajtim me planet 3-6-9, t’i vazhdojmë të gjitha ato procese të avancimit të cilësisë së përgjithshme të jetës së qytetarëve, për arsye se jemi të bindur se Evropa do të na japë datë për negociata vetlm nëse meritojmë apo do të bëhemi anëtare e BE-së vetëm atëherë kur standardi ynë i qytetarëve do të jetë përafërsisht i barabartë me standardet e qytetarëve të BE-së”, tha Zaev.

Shtoi se pret saktësim për terminin kur Maqedonia do të marrë rekomantim të pakushtëzuar, por njëkohësisht edhe inkurajim se në qershor është e mundur të ketë datë për fillim të negociatave, e me atë edhe hapje të fondeve plotësuese evropiane për Republikën e Maqedonisë.

Nga Komisioni Evropian tani për tani refuzojnë që të japin detaje rreth porosive të cilat do t’ua dërgojnë përfaqësuesve të Maqedonisë, veçmas në lidhje me çështjen e zgjidhjes së emrit.

Ndërkaq, nga Qeveria e Maqedonisë, vlerësojnë se “ky është moment kryesor për prezantimin e Strategjisë, por edhe inkurajim për qeveritë që t’i miratojnë përpjekjet për arritje të qëllimeve të reja”.

Ashtu siç ka thënë disa herë, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, Strategjia është e mirë për Maqedoninë, pasi që valorizohen sukseset e vendit në lidhje me reformat.

Ai pret që Raporti i Komisionit Evropian për progres të vendit, i cili do të publikohet më 7 prill, duhet të sjell rekomandim për fillim të negociatave.

Cila është porosia?

Junker, vizitën e paralajmëroi gjatë prezantimit të strategjisë më 6 shkurt, titulli i të cilit ishte “Ballkani është pjesë integrale e Evropës”.

Por, qëllimi i Strategjisë është Ballkani Perëndimore të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ndërkaq deri atje rruga është e gjatë, e cila kërkon shumë punë, transmeton Portalb.mk.

Kjo është pjesë e porosisë që në Maqedonia do ta sjell Junker, gjatë vizitës së tij.

Juker do t’i vizitojë të gjithë vendet ballkanike, që t’ua prezantojë personalisht strategjinë që e ka iniciuar mu ai në shtator të vitit 2017, kur deklaroi se BE do duhet të japë perspektivë kredibile për anëtarësim të Ballkanit në BE. Pak më vonë, në nëntor, ai shtoi se, sipas tij, Serbia dhe Mali i Zi, do të bëhen anëtare të BE-së përpara vitit 2025.

“Dua të përsëris bindjen time se është e patjetërsueshme që ta perspektivën për anëtarësim duhet ta mbajmë të hapur për Ballkanin Perëndimor. Ashtu siç shihet nuk është e mundur që të pranojmë anëtare të reja në vitin 2018 (në vitin 2019 mbaron mandati i Junkerit), por dua që perspektiva evropiane të mos shihet si ftesë, por si nevojë në kontinuitet për këtë pjesë të Evropës”, ka porositur Junker.

Pa konsensus nacional me zemër dhe mendje nuk ka hyrje në BE

Fillimisht, Komisioni nga Ballkani që ta përforcojnë shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit pasi që gjithandej në Ballkan zotëron ndjenja se disa njerëz nuk munden të dënohet. Nga ana tjetër, mediat në të njëjtat vende janë nën kontrollin e pushtetit.

E dyta, ekonomitë e vendeve ballkanike nuk janë kompetitive dhe ekonomia gjithashtu është nën kontroll të pushtetit. Kësaj gjithashtu duhet t’i jepet fund, që vendet të mundin të përparojnë drejt BE-së dhe që të munden të hapin vende pune, veçmas për të rinjtë.

E treta, kontestet bilaterale patjetër duhet që të zgjidhen. Komisioni ka porositur që vendet me probleme nuk do të pranohen në BE, ndërkaq zgjidhje të përhershme patjetër duhet të ketë, përcjellë Portalb.mk.

E katërta, gjithashtu shumë e rëndësishme edhe si pikat paraprake, është konsensusi i shteteve për hyrje në BE: konsensus politik dhe shoqëror, me të cilin qytetarët do ta japin “mbështetjen e tyre edhe me zemër, por edhe mendje”, thuhet në strategji.

Shkurt, porosia e Komisionit është – nëse doni hyrje në BE, aksioni duhet të fillojë, menjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP