Pritet vendimi për zgjedhjet në Kaçanik

Komuna e Kaçanikut ende nuk ia ka deponuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dorëheqjen e Xhabir Zharkut nga posti i kryetarit, që t’u hapë rrugë më pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë komunë. Në MAPL presin që gjatë kësaj jave të javës të dorëzojnë në Presidencë çështjen Zharku, e cila pastaj do të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.

“MAPL ende nuk e ka pranuar dorëheqjen zyrtare të kryetarit të Komunës së Kaçanikut. Pas pranimit të dorëheqjes konform dispozitave ligjore në fuqi, MAPL do t’i marrë veprimet e mundshme”, ka thënë për “Zërin” Lumnije Demi, zëdhënëse në MAPL.

Ndërkohë, sipas saj, edhe pse MAPL i ka tre ditë afat për ta dorëzuar në Presidencë çështjen Zharku. Mirëpo, sipas Demit, MAPL një gjë të tillë do ta bëjë brenda ditës, nga momenti kur deponohet dorëheqja nga Komuna e Kaçanikut.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, ka dhënë dorëheqje nga ky post, të premten paradite. Gjithashtu ai ka dhënë dorëheqje edhe nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Kaçanik. Ndërkaq, pas dorëheqjes së kryetarit Zharku, Komuna e Kaçanikut do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar komune.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, postin e kryetarit do ta ushtrojë Heset Loku, nënkryetar i Komunës. Ndryshe, Xhabir Zharku e ka udhëhequr Kaçanikun që nga zgjedhjet lokale 2007, ndërsa është detyruar të dorëhiqet pasi që Gjykata Supreme vërtetoi vendimin e Gjykatës së Qarkut, me të cilin vendim, Zharku dënohet me tri vjet heqje lirie. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button