Ekspozita e dhjetësheve (FOTO)

Për nder të ditëlindjes së dhjetë të shtetit (ende të pa bërë) të Kosovës, këto ditë u organizuan shumë aktivitete kulturore gjithandej në hapësirën shqiptare, e ndër to, që ia vlen të vlerësohet është organizimi i Ekspozitës Tradicionale, çmimi “Gursel Sylejmani”2018, ekspozitë me karakter garues ku me punimet e tyre u paraqiten gjashtëdhjetë e pesë artistë nga trevat mbarëshqiptare.

Organizime të tilla si ekspozita në fjalë ndodhin rrallë e përmallë në hapësirën tonë, ku edhe për nga pjesëmarrja edhe për nga përmbajtja, por edhe nga interesimi i madh i artdashësve, kjo ekspozitë mund të emërohet si një ngjarje kulturore e një niveli të lartë. E, sigurisht për këtë meritat i takojnë Shoqatës së Artistëve Figurativ “Zef Kolombi”, shoqatë kjo që me punët e mira që po bën po e shndërron qytetin e Ferizajt në Kryeqytet Kulturor të Kosovës.

Shkruan: Ben Apolloni, regjisor

Puna serioze e “Zef Kolombit” duket se ka fituar edhe simpatinë dhe respektin e artistëve figurativ nga hapësira mbarë shqiptare dhe prandaj edhe veprat e tyre kishin “vërshuar” drejtë Ferizajt, për të krijuar një eveniment madhështor kulturor në vigjilje të festës së Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë ekspozitë, me karakter garues, artistët kishin prezantuar punime të ndryshme për nga përmbajtja, forma, e teknika. Edhe pse dominonte piktura, aty ishin prezentë edhe skulptura, fotografia, arti konceptual, etj.

Juria vlerësuese e përbërë nga Visar Mulliqi, Burhan Ahmeti dhe Adelina Hakiu, fitues të çmimit “Gursel Sylejmani”2018, e shpalli artistin Përparim Behluli me veprën e tij “Embrion”, një punim shumë interesant i realizuar me dru e metal. Por edhe pse vepra “Embrion” u vlerësua me çmim, aty kishte edhe plotë punime tjera që qoftë si ide, qoftë si realizim ishin të denja për t’u vlerësuar me çmimin kryesor.  Ndër ato punime që vlen të theksohen në mënyrë të veçantë ishin: “Komunikimi” nga Agron Bytyqi, “Kosova” nga Buron Kaceli, “Gorgu” nga Ardian Kadrija, “Lule në tokën e përgjakur” nga Muhamet Ahmeti-Metis, “Ne nëpër kohë” nga Lebibe Topalli, “Vajtimi 1999” nga Hazir Reka, “100 vjet jetë, 10 vjet shtet” nga Fatbardha Goga, e shumë e shumë të tjera punime që me vlerat estetike, do ta nderonin secilën galeri, secilin qytet e secilin shtet.

Pasi që çmimi tradicional mbanë emrin e piktorit dëshmor, Gursel Sylejmani, aty u ekspozua edhe një punim i tij, që padyshim ishte një ide e mirë pasi që përveç kuptimit simbolik të pranisë së dëshmorit artist në mesin e kolegëve të tij, vepra ishte intriguese për vizitoret si realizim artistik por edhe sikur jepte mesazhin tek vizitorët e shumtë në Galeri, se ushtarët e UÇK-së, para se të ishin bërë ushtarë me pushkë kishin qenë intelektualë me vetëdije të lartë për lirinë, për atdheun. Vepra me titullin “Pa titull”, e krijuar më 1992, e ripohonte mendimin e filozofit të madh, Aristotelit, se arti ka për detyrë të parashikojë të ardhmen, se arti është profetizues. Piktura, e Gursel Sylejmanit ishte profeci. Autori e kishte parashikuar saktë rrugën e lirisë së vendit të tij. Ai e kishte ditur saktë se si grilat e robërisë do të shkriheshin vetëm nga nxehtësia e gjakut të liridashësve dhe pasi e kishte thënë këtë me ngjyrat e vajit në pëlhurë, me vetëdije të plotë kishte derdhë gjakun e tij në altarin e LIRISË tonë.

Pra, kjo ekspozitë që u organizua për dhjetë vjetorin e shtetësisë së Kosovës dhe pati edicionin e dhjetë si çmim, për nga organizimi dhe për nga vlerat që solli në Ferizaj dhe në Kosovë, lirisht mund të vlerësohet me notën dhjetë. Thënë ndryshe, ishte një ekspozitë e dhjetësheve!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button