Qeveria do të ndihmojë në mjekimin falas spitalor për më të varfërit

Kryeministri Zoran Zaev në seancën e sotme plenare duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Amdi Bajram, tha se angazhohen për miratim të ligjit për mjekim falas spitalor si një prej masave për tejkalim të varfërisë.

“Personat e rrezikuar social kanë të drejtë për mjekim falas spitalor, ta shfrytëzojnë këtë moment si qytetarë, ndërsa institucionet janë të obliguar ta respektojnë ligjin. Bëjmë përpjekje që deri në fund të këtij viti t’i sigurojmë ato 5,5 milionë euro të cilat do të thonë participim në pjesën e mjekimit spitalor”, tha mes tjerash Zaev, transmeton MIA.

Këtë, siç shtoi kryeministri, e bëjnë për shkak të qytetarëve të varfër, sepse të pasurit nuk e kanë problem ta paguajnë participimin.

“Por, nëse dëshirojmë të jemi shtet ku në pajtueshmëri me Kushtetutën, aspekti social do të jetë i rëndësishëm, atëherë iniciativat e tilla shpresoj se do të hasin në mbështetje para së gjithash nga institucionet. Jam i bindur se Parlamenti do të jepte mbështetje për vendimet e këtilla të cilat do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve të varfër”, tha Zaev.

Deputeti Bajram në seancën e sotme kërkoi të ndërtohet përmendore në varrin e Esma Rexhepova – Teodosievskës.

Ministri i Kulturës Robert Allagjozovski tha se gjithë procedura për ngritje të përmendores duhet të shkojë përmes Kuvendit, për shkak se Esma është artiste kombëtare.

Kryeministri Zaev shtoi se për herë të parë dëgjon për një kërkesë të këtillë dhe se është e palejueshme që varri i Esmës të mos ketë përmendore, për shkak se, siç tha, Esma meriton në mënyrë dinjitoze të shënohet vepra e saj.

Qeveria ka mjete për këtë, tha Zaev dhe shtoi se personalisht do të angazhohet tek deputetët dhe tek Fondacioni “Esma dhe Stevo Teodosievski” të ruhet emri dhe vepra e Esma Rexhepovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button