Stinor me plot trofe për lojtarët shqiptarë

Sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj në mesjavë fitoi Kupën e Kroacisë me Dinamon e Zagrebit. Kupën, Beqiraj ia bashkoi trofeut të titullit të kampionit, të cilin e fitoi më herët. 

Ai shënoi një gol në finale të Kupës. 

Beqiraj ka shkëlqyer me Dinamon këtë edicion. Është golashënuesi më i mirë i kampionatit kroat, me 15 gola të shënuar. 

Ai është vetëm njëri prej futbollistëve shqiptarë që ka fituar trofe në këtë edicion. 

“Jam shumë i lumtur, kemi fituar dy trofetë dhe të gjithë tifozët e Dinamos kanë arsye për të festuar”, ka thënë Beqiraj. 

Dy trofe të Kroacisë futbollisti pejan i fitoi edhe në edicionin e kaluar. 

Për futbollistët shqiptarë ky është njëri prej edicioneve më të suksesshme në dekadën e fundit. Në skuadrat që kanë fituar trofe në liga të ndryshme, shqiptarët kishin rol kyç.

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka po luajnë stinorin e tyre të fundit me Baselin. Ata tashmë kanë siguruar titullin e kampionit të Zvicrës, ndërsa gjenden edhe në finale të Kupës së Zvicrës ku do të përballen me Luzernin. Për Shaqirin është titulli i tretë me radhë në Zvicër, derisa për Xhakën i dyti. Shaqiri nga edicioni i ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës së madhe gjermane Bayern Muenchen, derisa edhe Xhaka pritet të luajë në Bundesligë. 

“Unë dua të jap deri në fund çdo gjë nga vetja dhe të fitoj sa më shumë trofe me Baselin”, ka thënë Shaqiri. 

Për Luzernin luajnë tre futbollistë shqiptarë, Burim Kukeli, Hekuran Kryeziu e Jahmir Hyka. 

Titull të kampionit këtë stinor ka fituar edhe sulmuesi Besart Berisha. Berisha me Brisbane Roarin u shpall kampion i Australisë, ndërsa në ndeshjen finale shënoi dy gola në fitoren 2:1 kundër Perth Gloryt. Berisha përfundoi edicionin me 21 gola, që është rekord në kampionatin australian. 

“Nuk e dija se çfarë të pres në Brisbane. Jam vërtet duke shijuar futbollin dhe jetën time. Jam befasuar shumë me ligën, jetën në Brisbane dhe në Australi. Kam gjetur një skuadër fantastike. Ndoshta është koha më e mirë e karrierës sime. Jam shumë i lumtur që vendosa të vij në Brisbane. Kam rikthyer lumturinë”, ka deklaruar Berisha. 

Titullin në edicionin 2011/2012 e ka fituar edhe Agim Ibraimi me skuadrën sllovene Maribor. Maribori gjendet edhe në finale të Kupës së Sllovenisë ku do të përballet me Celjen. 

Me titull kampioni është kurorëzuar edhe Besnik Hasi. Hasi që kryen detyrën e ndihmëstrajnerit të Anderlechtit ka fituar titullin e Belgjikës. 

Mesfushori Blerim Xhemajli ka rastin të fitoi trofeun më me peshë nga të gjithë shqiptarët. Ai më 20 maj do të luaj në finale të Kupës së Italisë për Napolin, kundër Juventusit. 

Kampion në kategori të dyta janë shpallur Mërgim Mavraj me Greuther Fuerthin në Gjermani dhe Kristian Nushi me St. Gallenin në Zvicër. Shumë afër titujve ishin edhe Admir Mehmedi në kampionatin ukrainas me Dynamo Kievin dhe Atdhe Nuhiu me Rapidin e Vjenës. Të dy përfunduan në pozitën e dytë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button