Tradhëtia intelektuale

Gjëja e parë që mu kujtua pasi lexova letrën e nënshkruar nga 200 intelektualë që kërkojnë që qeveria t’i ndërpresë bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit ishte libri i Zhylien Benda-së me titull “Tradhëtia e intelektualëve”. Thjeshtë, vet titulli i librit të shkruar me 1927 përshtatet aq shumë me këtë realitet në të cilin jetojmë, ku një pjesë e mirë e intelektualëve (fatmirpsisht jo të gjithë), në vend që të kenë statusin e prijësve të proceseve shoqërore të cilat duhet ta çojnë vendin para dhe ta integrojnë në strukturat euro-atlantike, vendosën që të përfaqësojnë forcën konzervative dhe raksionare, që shikon nga e kaluara dhe jo nga e ardhmja.

Të qënit intelektual nënkupton të qenit avangardë dhe të shikuarit para. Intelektualët duhet të jenë në gjendje të shohin atë që të tjerët nuk arrijnë ta dallojnë në të ardhmen e afërt apo të largët. Të qënit intelektual nënkupton të shikohen proceset me largpamësi dhe të ndiqen trendet botërore me mençuri. Të sillesh sikur struci që e vendos kokën në rërë për t’u ikur problemeve reale që e rrethojnë nuk është karakteritistikë e një intelektuali të mirëfilltë por e një frikacaku jo largpamës dhe jo kreativ.

E si mund të përshkruhet ndryshe absurdi që këta 200 persona pretendojnë se problemi i emrit do të zgjidheshka me një hap shumë të thjeshtë, t’i shkruhet letër OKBsë dhe të kërkohet që ajo të reagojë ashpër për këtë padrejtësi historike që i bëhet Maqedonisë! Paska qenë kaq e thjeshtë! Si nuk janë kujtuar gjithë ata njerëz që tash më 27 vite mundohet ta zgjidhin këtë kontest se në fakt zgjidhjen e paskan pasur para hunde?! Si mund të mos e kishin parë?! Po ky ndërmjetësuesi që u plak e nuk e zgjodhi dot kontestin, si nuk arriti që ta shohë sa e thjeshtë na paska qenë zgjidhja?!

Epo kur vërte 200 njerëz që thonë se janë intelektualë dhe kanë kariera të pasura pas tyre sriozisht përhapin teza të tilla njeriu të cilit i punon sado pak arsyeja nuk mund të mos ndihet i tradhëtuar, si tek libri i Benda-së. I tradhëtuar dhe i ofenduar nga ky trajtim idiotesk që intelektualët e shquar mundohen t’ia bëjnë, ta bindin që në fakt nuk ka problem, kur ai është duke hequr shpirt nga problemi evident dhe enorm nga barra e të cilit nuk arrin të çlirohet gati se tri dekada.
Është për të ardhur keq që këtë moment historik – siç e quajnë ata vetë, intelektualët nuk arritën ta shfrytëzojnë për të ndihmuar krijimin e një tendence konstruktive në opinionin e gjerë por përkundrazi, vendosën që të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të frigës destruktive duke e mashtruar opinionin se zgjidhja është shumë e thjeshtë kur në fakt nuk është ashtu. Për më tepër, jo vetëm që e trajtojnë opinionin e gjerë si budalla me këtë tezë se në fakt zgjidhjen e paskemi pasur para hunde tërë kohën, por edhe më keq, i quajnë tradhëtarë të gjithë ata që nuk e kanë nënshkruar këtë letër absurde dhe nuk pajtohen me qëndrimet e shprehura aty.

Me faktin që në atë letër nuk ka asnjë intelektual shqiptar të nënshkruar, përsëri e bëjnë të qartë perceptimin e kahëmotshëm që shqiptarët në këtë vend janë tradhëtarët kujdestarë të shtetit, tradhëtarë që insistojnë që integrimi në NATO dhe në UE është e vetmja perspectivë për vendin.

Të kishte jetuar ende Benda do të kishte shkruar disa vazhdime të librit të tij të njohur dhe me siguri do i qartësonte edhe më tej këto dilema rreth asaj se kush në fakt janë tradhëtarët e vërtetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button