Qeveria e Kosovës fillon kontaktet me serbët e veriut

Qeveria e Kosovës në kuadër të planit për veriun, ka filluar kontaktet e para me banorët serbë në këtë pjesë të Kosovës, përmes të cilëve dëshiron joshjen e qytetarëve të kësaj ane për t’i pranuar institucionet e Kosovës.

Burime të gazetës “Tribuna Shqiptare” brenda kabinetit të kryeministrit Hashim Thaçi, bëjnë të ditur se kohëve të fundit është rritur numri i qytetarëve në veri të cilët kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës.

Po ashtu, sipas këtyre burimeve, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga serbët në veri, që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të cilët do të bisedonin me institucionet e Kosovës për integrimin e veriut, por sipas këtyre burimeve, Qeveria e Kosovës assesi nuk do të pranojë të bisedojë me përfaqësuesë serbë të cilët kanë dosje në polici dhe dyshohen për veprime kriminale edhe nëse qytetarët serbë do të insistonin në përfaqësimin e tyre.

“Kontaktet dhe qasja e Qeverisë së Kosovës tashmë ekziston në veri. Pra ekziston një gatishmëri në të dyja anët për ta gjetur mënyrën e bashkëpunimit të normalizimit dhe integrimit të asaj pjese. Megjithatë, njëra ndër problemet e ardhshme do të jetë mënyra se si t’i tregojmë popullatës në veri që përfaqësuesit legjitim nuk duhet të jenë kriminel dhe nuk do të mund që ata të përfaqësohen nga njerëz të cilët kanë dosje policore”, i ka thënë ky burim gazetës.

“Dosjet e kriminelëve në veri duhet të publikohen nga instancat ndërkombëtare në të cilat përfshihen EULEX dhe KFOR, duke krijuar përshtypjen se institucionet e Kosovës dëshirojnë ta largojnë dikë duke e definuar si kriminel”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button